A do të rrëzohet Qabeja? (8)

A DO TË RRËZOHET QABEJA?

U përgatit një ushtri e madhe. Brenda ushtrisë ishte edhe një elefant me emrin Mahmud. Në krye të radhëve të ushtrisë qëndronin Ebreheja me elefantin e tij, Mahmudin. Erdhi koha që ata iu afruan hyrjes së qytetit të Mekës. Aty ata vodhën edhe devetë e Abdulmutalibit, të cilat ishin duke kullotur.

Ebreheja e thirri kasnecin e tij, të cilin do ta dërgonte në Mekë për të biseduar me prijësin e Mekës:

-Tani më dëgjo mirë dhe transmetoja fjalë për fjalë prijësit të Mekës këto që po të them, – e porositi Ebreheja lajmësin e tij.

-Patjetër imzot, ia ktheu kasneci i bindur!

-Këtu nuk kemi ardhur për të luftuar. Kemi ardhur për të shkatërruar Qaben, që ju e mbani si vend adhurimi. Ne nuk duam të derdhim gjakun e askujt për aq kohë sa nuk del askush që të na pengojë në rrugën tonë.

Kasneci që mori këto urdhra u nis menjëherë në drejtim të Mekës. Ai ia transmetoi Abdulmutalibit, që ishte në krye, një për një, të gjitha ato çfarë i kishte porositur mbreti i tij. Sapo kasneci e mbaroi fjalën, përreth ra një heshtje e plotë.

Ata që ndodheshin aty zunë të prisnin përgjigjen që do të jepte Abdulmutalibi. Meka nuk e kishte fuqinë e mjaftueshme për t’u përballur me këtë ushtri kaq të madhe. Më në fund, qetësinë mbizëtoruese e thyen fjalët e Abdulmutalibit tek i thoshte kasnecit të Ebrehesë:

-As ne nuk duam të luftojmë me Ebrehenë, por dijeni mirë se kjo ndërtesë e shenjtë i takon Allahut. Vetëm Ai mund ta shpëtojë Qaben prej shkatërrimit. Nëse Ai nuk e ruan këtë ndërtesë, e cila është bërë enkas për Të, atëherë ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër vullnetit të mbretit tuaj.

Pak pasi u takua me kasnecin e Ebrehesë, Abdulmutalibi shkoi vetë për tek Ebreheja. Pamja madhështore dhe e hijshme e Abdulmutalibit e ndikoi Ebrehenë së tepërmi. U çua në këmbë dhe e priti gjyshin e Profetit duke e pyetur për qëllimin e tij. Mes tyre kaloi kjo bisedë:

-Ushtarët e tu, teksa vinin për këtu, më kanë vjedhur dyqind deve. Unë po shkoja për t’i marrë.

-Kur të pashë për herë të parë mendova se ishe trim. Unë po të them se kam ardhur për të rrëzuar Qaben, që është vendi yt i adhurimit dhe i të parëve të tu, ndërsa ti më thua se të kanë vjedhur devetë.

-Unë jam pronari i deveve, ndërsa i zoti i Qabes është Allahu.

Këto fjalë e tërbuan Ebrehenë duke e bërë atë që të bërtiste:

-Jepjani devetë këtij. Asgjë nuk mund të më ndalë që ta shkatërroj Qaben!

Abdulmutalibi, i cili nuk e kishte prishur gjakun gjatë tërë bisedës:

-Mua, kjo as që më intereson. Ja tek e keni Qaben, ja edhe rrugën, – u tha duke u larguar bashkë me devetë e tij drejt Mekës.

Abdulmutalibi dha fjalën se do t’i jepte ato deve si sadaka, me qëllim që Qabes të mos i ndodhte asgjë. Gjithashtu u kërkoi të gjithëve që ta boshatisnin qytetin përpara se të vinin keqbërësit. Banorët e dëgjuan fjalën e tij duke dalë prej qytetit ose duke u fshehur nëpër male.