Besimi në Jetën e Përtejme

BESIMI NË JETËN E PËRTEJME

Ne besojmë në ringjalljen pas vdekjes. Një gjë e tillë nuk është aspak e vështirë për Krijuesin tonë i cili na ka krijuar një herë. Dhe tani, në këtë çast, a nuk realizohen ringjallje para syve tanë! A nuk gjelbërojnë në pranverë pemët të cilat dimrit zhvishen nga gjethet dhe mbeten të thata? Nëse edhe pemët ringjallen çdo pranverë, atëherë si mos të ringjallemi ne, krijesa më e përkryer e Allahut? Pastaj, ka njerëz që gjatë gjithë jetës së tyre bëjnë padrejtësi. I dëmtojnë dhe ofendojnë të tjerët. Dhe vërejmë që këtyre njerëzve nuk u ndodh asgjë. Kjo do të thotë që Allahu, Ai që nuk mbyll sytë ndaj padrejtësisë, e ka lënë shpërblimin për të mirat dhe dënimin për të këqijat në një vend tjetër.

Ky vend quhet ahiret dhe përmendet si në Kuran ashtu dhe në hadithet e Profetit (a.s). Një mysliman i mirë vepron duke menduar se do ballafaqohet me veprat e tij. Largohet nga të këqijat dhe bën vepra të mira.

 

NJERIU QË BESON AHIRETIN

Beson në shpërblimin dhe dënimin e çdo vepre, e mirë apo e keqe qoftë ajo. Asgjë nuk mbetet pa u shpërblyer.

Përpiqet të zbatojë gjithë urdhrat dhe ndalesat e Allahut që të fitojë xhenetin e premtuar.

Kjo botë është si një arë, ndërsa bota tjetër si një korrje e të mbjellave, ndaj përpiqet ta vlerësojë këtë botë në mënyrën më të mirë.

Beson se një ditë i dobëti do të marrë të drejtën e tij ndaj të fortit dhe nuk i bëhet padrejtësi askujt.