
BESIMI NË PËRCAKTIMIN HYJNOR (KADERI)
Më parë përmendem se dy nga cilësitë individuale të Allahut ishin Paraqenie (kidem) dhe Pasqenie (beka). Pra, Allahu nuk është krijuar më vonë. Ai ekzistonte para çdo gjëje. Është i pafillim. Përveç kësaj, nuk ka as fund, as nuk do zhduket asnjëherë. Është i pafund.
Kader është njohja dhe përcaktimi nga ana e Allahut e të gjitha gjërave, të mira apo të këqija, veçorive të tyre, kohës dhe mënyrës së ndodhjes, që kanë ndodhur dhe do të ndodhin nga fillimi deri në fund.
Kada është realizimi i gjërave të cilat janë të shkruara në kader në kohën dhe vendin e duhur.
Ne si myslimanë besojmë në kadanë dhe kaderin (caktimin e Allahut). Gjërat që na ndodhin i përballojmë me durim dhe i pranojmë si një caktim i Allahut.
NJERIU QË BESON NË KADER
Është në dijeni se Allahu di çdo gjë dhe beson se as edhe një gjethe nuk bie pa lejen e tij.
Tregohet i kujdesshëm për të mos prishur ekuilibrin që ka vendosur Allahu në gjithësi.
Allahu ka krijuar gjithçka brenda një rregulli dhe si një pjesë e këtij rregulli i beson Allahut kur lufton dhe përballet me vështirësi.
Kategoria:Besimi

BESIMI NË JETËN E PËRTEJME
Ne besojmë në ringjalljen pas vdekjes. Një gjë e tillë nuk është aspak e vështirë për Krijuesin tonë i cili na ka krijuar një herë. Dhe tani, në këtë çast, a nuk realizohen ringjallje para syve tanë! A nuk gjelbërojnë në pranverë pemët të cilat dimrit zhvishen nga gjethet dhe mbeten të thata? Nëse edhe pemët ringjallen çdo pranverë, atëherë si mos të ringjallemi ne, krijesa më e përkryer e Allahut? Pastaj, ka njerëz që gjatë gjithë jetës së tyre bëjnë padrejtësi. I dëmtojnë dhe ofendojnë të tjerët. Dhe vërejmë që këtyre njerëzve nuk u ndodh asgjë. Kjo do të thotë që Allahu, Ai që nuk mbyll sytë ndaj padrejtësisë, e ka lënë shpërblimin për të mirat dhe dënimin për të këqijat në një vend tjetër.
Ky vend quhet ahiret dhe përmendet si në Kuran ashtu dhe në hadithet e Profetit (a.s). Një mysliman i mirë vepron duke menduar se do ballafaqohet me veprat e tij. Largohet nga të këqijat dhe bën vepra të mira.
NJERIU QË BESON AHIRETIN
Beson në shpërblimin dhe dënimin e çdo vepre, e mirë apo e keqe qoftë ajo. Asgjë nuk mbetet pa u shpërblyer.
Përpiqet të zbatojë gjithë urdhrat dhe ndalesat e Allahut që të fitojë xhenetin e premtuar.
Kjo botë është si një arë, ndërsa bota tjetër si një korrje e të mbjellave, ndaj përpiqet ta vlerësojë këtë botë në mënyrën më të mirë.
Beson se një ditë i dobëti do të marrë të drejtën e tij ndaj të fortit dhe nuk i bëhet padrejtësi askujt.
Kategoria:Besimi

BESIMI NË PROFETËT
Profetët janë njerëz të zgjedhur nga Allahu. Janë ndërmjetës, të dërguar mes njerëzve dhe Allahut. Çfarë dëshiron nga ne Krijuesi i Lartësuar i cili na ka sjellë në këtë botë si mysafir për një kohë të caktuar? Ku do të shkojmë pasi të na mbarojë koha? Për të gjitha këto Allahu na ka dërguar mesazhe nëpërmjet profetëve.
Profetët janë njerëz fjalëdrejtë. Njohuritë, urdhrat e marra nga Allahu ua transmetojnë njerëzve në mënyrën më perfekte.
Nga ana individuale edhe ata janë njerëz si ne. Hanë, pinë, gëzohen, hidhërohen… Njëherazi ata janë krijuar me një natyrë të vyer dhe janë të pajisur me cilësi të rralla. Cilësitë kryesore të profetëve janë këto:
- Ismet (pafajësia): Allahu i ka mbrojtur ata nga çdo lloj mëkati, i vogël apo i madh qoftë. Nuk bëjnë mëkate, janë të pafajshëm.
- Emanet (besueshmëria): Ata janë njerëz të besueshëm dhe njihen si të tillë nga të gjithë.
- Sidk (drejtësia): Janë të drejtë, qëndrojnë aq larg nga gënjeshtra saqë nuk gënjejnë as për shaka. Madje edhe shakatë e tyre ishin për të dhënë mësim.
- Fetanet (zgjuarsia): Janë njerëz shumë të zgjuar dhe me botëkuptim të gjerë. Ata arrijnë në shkallën më të lartë të mençurisë dhe zgjuarsisë.
- Teblig (kumti): Shpalljen hyjnore të marrë nga Allahu ua transmetojnë njerëzve pa e ndryshuar.
Ata duhen të jenë të tillë sepse detyra që kanë kërkon të jenë njerëz jo të zakonshëm.
Islami është feja e fundit dhe e përkryera, ndërsa profeti Muhamed (a.s) është profeti i fundit. Ai ka bërë një jetë për t’u marrë shembull dhe e ka realizuar pa asnjë të metë detyrën e tij si i dërguar.
Ne si myslimanë e duam shumë profetin tonë. Përpiqemi të veprojmë si ai kur hamë, pimë, ulemi, ngrihemi, flasim. Sepse Ai na ka transmetuar një fe kaq të përsosur si Islami, na ka treguar rrugët e të mirës dhe të bukurës.
Nga ky aspekt, Profeti Muhamed (s.a.s) ka edhe pesë veçori të tjera të ndara nga profetët e tjerë:
- Nga ana e virtytit është më i lartësuari nga të gjithë profetët.
- Është dërguar për gjithë njerëzit dhe xhindët.
- Është profeti i fundit. Pas tij nuk do të ketë më të profetë.
- Është dërguar si mëshirë për botët.
- Feja që ka sjellë do të vazhdojë deri në ditën e kiametit.
PROFETËT E PËRMENDUR NË KURAN
Sipas një transmetimi thuhet se nga Ademi (a.s) e deri te Muhamedi (s.a.s) janë dërguar 124 mijë profetë, sipas një transmetimi tjetër 224 mijë profetë. Nga këto në Kuran përmenden vetëm 28 prej tyre. Profetët që përmenden në Kuran janë këta:
Adem – Idriz – Nuh – Hud – Salih – Ibrahim – Lut – Ismail – Is’hak – Jakub – Jusuf – Ejub – Shuajb – Musa – Harun – Davud – Sulejman – Junus – Iljas – Eljesa – Dhulkifl – Zekerija – Jahja – Isa – Uzejr – Lukman – Dhul Karnejn – Muhamed.
Zoti im, mëshira dhe paqja jote qofshin mbi profetin tonë Muhamedin dhe gjithë profetët e tjerë, të afërmit dhe shokët e tyre! Amin!
NJERIU QË BESON PROFETËT
Merr shembull nga ata në çdo hap të jetës.
Përpiqet të jetë i ndershëm dhe i drejtë duke pasqyruar drejtësinë dhe ndershmërinë e tyre.
Mëson sjelljet dhe veprimet e profetëve dhe përpiqet t’i praktikojë në jetën e tij.
Përpiqet të jetë i drejtë me të tjerët ashtu siç kanë qenë profetët.
Kategoria:Besimi

BESIMI NË LIBRAT E SHENJTË
Allahu i Madhëruar nëpërmjet engjëllit Xhebrail u ka zbritur një pjesë të profetëve libra dhe fletë që përmbajnë urdhra, ndalesa dhe të fshehta përkatëse.
SHPALLJA
Vahj (shpallje) quhen njohuritë e prera të transmetuara tek profetët në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e Allahut ose nëpërmjet një ndërmjetësi.
Allahu i Madhëruar ia transmeton njohuritë e dëshiruara njerëzve të veçantë të zgjedhur mes robërve nëpërmjet një rruge të veçantë. Allahu ua ka transmetuar dëshirën e Tij profetëve në rrugë të ndryshme shpalljeje (vahj).
LLOJET E SHPALLJES
- Ëndërr e besueshme: Allahu i transmeton njohuritë e dëshiruara tek profetët nëpërmjet një ëndrre të vërtetë. Edhe Profetit tonë (s.a.s) kështu i ka ardhur shpallja e parë. Të gjitha ato që kishte parë në ëndërr ishin realizuar njësoj në të vërtetë.
- Shpallja me anë të frymëzimit: Allahu i transmeton shpalljen direkt profetëve duke ia vendosur në zemrën e tyre pa asnjë ndërmjetës.
- Fjala pas perdes: është dëgjimi i fjalës së Allahut pa pasur asnjë ndërmjetës dhe pa e parë Atë.
- Shpallja nëpërmjet engjëllit: Është transmetimi i fjalës së Allahut të Madhëruar te profetët nëpërmjet engjëllit.
Engjëlli i cili transmeton fjalët e Allahut tek profetët ndonjëherë është paraqitur në formën e tij, e ndonjëherë në formën e një njeriu. Njerëzit që kanë qenë të pranishëm aty e kanë parë dhe dëgjuar fjalët e tij. Ndonjëherë engjëlli ka transmetuar shpalljen tek profetët pa u dukur vetë.
Kurani fisnik i është dërguar Profetit tonë (s.a.s) nëpërmjet formës së katërt, pra nëpërmjet engjëllit.
Një pjesë e librave të shpallur profetëve nga ana e Allahut janë libra të vegjël të përbërë nga disa fletë. Këta fletë janë quajtur ‘sahife’ ose në shumës ‘suhuf’.
LIBRAT
“Teurati” i është dërguar Musait (a.s).
“Zeburi” i është dërguar Davudit (a.s).
“Ungjilli” i është dërguar Isait (a.s).
“Kurani” i është dërguar Profetit tonë, Muhamedit (s.a.s).
Libri ynë është libri i fundit dhe Profeti ynë është profeti i fundit. Kurani fisnik është i vetmi libër që ka ruajtur formën origjinale të zbritjes. Nuk do të ndryshohet asnjëherë deri në fund as dhe një shkronjë apo një fjalë e tij. Sepse Allahu (xh.sh) na ka siguruar për këtë në Kuran: “Vërtet ne e kemi shpallur Kuranin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri”. (Hixhr, 9)
Kategoria:Besimi

BESIMI NË ENGJËJT
Edhe engjëjt (melekët) janë krijesa të Allahut. Me aq sa kemi mësuar nga Kurani dhe hadithet e Profetit, engjëjt nuk hanë, nuk pinë, nuk kanë gjini, i binden urdhrave të Allahut dhe kryejnë detyrën e tyre me përpikëri.
Numrin e engjëjve e di vetëm Allahu. Ka katër engjëj të mëdhenj të cilët janë:
- Xhebraili (a.s): transmeton shpalljen hyjnore dhe urdhrat e Allahut tek profetët (engjëlli i shpalljes).
- Mikalili (a.s): organizon dukuritë natyrore.
- Israfili (a.s): është i ngarkuar me detyrën e fryrjes së surit në ditën e kiametit dhe me ringjalljen e njerëzve.
- Azraili (a.s): është i ngarkuar me marrjen e shpirtit nga njerëzit në kohën kur u afrohet vdekja.
Përveç tyre janë dhe Kiramen Katibin, engjëjt që ndodhen në të djathtë dhe në të majtë të njeriut për të shkruar të mirat dhe mëkatet; engjëjt Munker dhe Nekir, të cilët do t’i bëjnë pyetjet e para njeriut në varr.
Përveç engjëjve ka dhe disa krijesa të tjera jolëndore të cilat nuk mund të shihen me sy.
Kategoria:Besimi
BESIMI NË ALLAH
Pemët çelin lule dhe japin fruta. Deti mban mbi të anijet, lopët prodhojnë qumështin, dielli ngroh tokën në të cilën jetojmë… Rreth nesh nuk ekziston asgjë e pavlefshme. Çdo krijesë që nga më e vogla e deri tek hëna apo dielli ka shumë detyra që i dimë dhe nuk i dimë. Ndërsa njeriu është qenia më e përkryer. Mendon, flet, prodhon, hidhërohet, gëzohet… Po pse vallë u krijua një krijesë kaq e përkryer si njeriu? Cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë e tij?
Krijuesi e di më mirë shkakun dhe qëllimin e krijimit të njeriut. Krijuesi është Zoti i Madhëruar, Allahu (xh.sh). Prandaj ne qëllimin e ardhjes sonë në tokë e mësojmë nga Kurani.
Në Kuranin Famëlartë Allahu thotë: “Xhindët dhe njerëzit i krijova vetëm të më njohin e të më adhurojnë” (Dharijat, 56)
Mirë, po si do ta njohim Atë? Si të marrim informacion dhe njohuri rreth Tij?
Allahu na ka dhënë mundësi njohjeje që vijnë nga rrugë të ndryshme. Këto janë Kurani, Profeti Muhamed (s.a.s) dhe gjithësia. Në Kuran Allahu (xh.sh) na jep njohuri rreth cilësive të Tij. P.sh., në suren Ihlas mësojmë se Ai është një, se nuk ka nevojë për askënd, se çdo gjë ia ka nevojën Atij dhe se asgjë nuk është e njëjtë me Të.
Të lexosh Kuran në këtë mënyrë për të njohur Allahun është një adhurim më vete. Edhe krenaria e gjithësisë, robi dhe i Dërguari i Allahut, Profeti ynë (s.a.s) na jep njohuri rreth Allahut me anë të fjalëve dhe sjelljeve të tij.
Një tjetër rrugë që na prezanton Krijuesin është edhe gjithësia. Gjithësia është porsi një libër që na tregon për Allahun. Të gjitha krijesat, të gjalla apo jo të gjalla, që jetojnë në qiell apo në tokë, janë aq të përsosura saqë na bën të mendojmë se Krijuesi është i patëmeta. Ky krijues është Allahu.
Këtu na vjen në mendje një pyetje: A mund të krijohen rastësisht gjithçka shohim? Sepse ne nuk mund ta shohim atë që i hap lulet, lind diellin dhe sjell shiun.
Kategoria:Besimi