HAXHI – Udhëtimi i shenjtë
Haxh quhet vizita e disa vendeve të caktuara brenda një periudhe specifike sipas disa rregullave të përcaktuara. Ndryshe mund të themi që haxhi është një adhurim i bërë në një periudhë të caktuar të vitit dhe konsiston në veshjen e ihramit duke bërë nijetin përkatës, në bërjen e tavafit të Qabes, qëndrimit në Arafat. Ihrami është kusht i haxhit ndërsa tavafi dhe qëndrimi në Arafat janë pjesët përbërëse të tij.
Çdo mysliman, burrë apo grua, nëse plotëson kushtet, pra nëse ka mundësi financiare dhe shëndetësore e ka obligim (farz) të shkojë në haxh të paktën një herë në jetën e tij. Njeriu nuk duhet ta shtyjë këtë obligim, por duhet ta realizojë sapo t’i jepet mundësia.
Kushtet e detyrimit të haxhit
Një person i cili e ka obligim haxhin duhet të plotësojë këto kushte:
- Të jetë mysliman
- Të ketë arritur moshën e pjekurisë.
- Të jetë i shëndoshë mendërisht.
- Të jetë i lirë.
- Të ketë aq mundësi financiare sa të përballojë shpenzimet e familjes gjatë kohës që do të jetë në haxh, shpenzimet e rrugës dhe të qëndrimit në vendet e shenjta.
Kushtet që duhet të plotësoje personi që kryen haxhin:
Kushtet që duhet të plotësojë personi i cili e ka obligim haxhin janë:
- Të jetë mirë nga ana fizike. Personi i cili mund të kryejë haxhin duhet të jetë i shëndoshë fizikisht. Nëse vuan nga ndonjë sëmundje atëherë mund të ngarkojë dikë tjetër në vend të tij për kryerjen e haxhit.
- Siguria e rrugës. Nuk duhet të ketë luftë apo situata të tjera që mund të pengojnë vajtjen në haxh.
- Gruaja duhet të jetë e shoqëruar nga burri apo nga të afërmit (si: djali, vëllai, babai, apo ndonjë i afërm me të cilin e ka të ndaluar të martohet).
- Gruas të cilës i ka vdekur burri apo është ndarë nga ai duhet të presë kohën e caktuar (iddet).
- Të jetë i lirë, të mos ketë pengesa si burgu.
KUSHTET E VLEFSHMËRISË SË HAXHIT
Për pranimin e haxhit duhet të plotësohen këto tre kushte:
- Personi i cili bën nijet të kryejë haxhin gjatë kohës së ihramit duhet të largohet nga disa vepra dhe sjellje dhe i ka të ndaluara deri në përfundim të kohës së ihramit.
- Farzet e haxhit, hyrja në ihram, qëndrimi në Arafat dhe bërja e tavafit duhet të kryhen brenda një afati të caktuar.
Haxhi kryhet brenda dhjetë ditëve të muajit Dhul Hixhxhe. Të gjitha veprimet (qëndrimi në Arafat, tavafi, vrapimi mes dy kodrave, gjuajtja e shejtanit me gurë) duhet të kryhen brenda një afati të caktuar përndryshe haxhi nuk pranohet.
- Farzet e haxhit duhet të zbatohen në vende të përcaktuara. Qëndrimi në Arafat duhet të bëhet në Arafat ndërsa tavafi duhet të bëhet brenda xhamisë së shenjtë.
Kategoria:Haxhi