MILINGONAT E MENÇURA
Milingonat ishin mbledhur në një shesh të hapur e po bisedonin. Me to ish bashkuar edhe një milingonë e kuqe e ardhur nga vendbanime të largëta.
Me një zë të prerë e të lodhur, milingona e kuqe tha:
“Unë sapo erdha sot në Mekë në torbën e një udhëtari. Gjatë rrugës dëgjova prej tij se paska dalë një njeri që thoka se qenka profeti i një feje të re. Më duket se fenë e re e quakan “Islam”.”
Duke e tundur pelerinën prej pushi që e mbronte nga dielli i shkretëtirës, milingona e kadifenjtë tha:
“Drejt e ke dëgjuar! Ne milingonat, i marrim vesh të gjitha ngaqë mund të hyjmë e dalim kudo!”
“Ç’njeri është ai?”, pyeti milingona e kuqe.
Milingona e kadifenjtë iu përgjigj me një pamje serioze:
“I drejtë, i ndershëm, i besueshëm, i dhimbsur, ndihmëtar, shkurt, njeriu më i sjellshëm ndër banorët e këtushëm. Atë e thërresin “Emin”, “i Besueshmi”!”
“Mirë, po ç’gjëra na urdhëron feja e tij?”
Fjalën e mori milingona e zezë:
“T’i besojmë Allahut, të mos njohim zot tjetër veç Tij dhe të pranojmë se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Na urdhëron të mos vjedhim, të mos gënjejmë, të mos përgojojmë të tjerët, të mos pimë pije alkoolike, të mos luajmë bixhoz.”
“Ç’gjëra të mira!”, tha milingona e kuqe! “Siç duket, të gjithë njerëzit po hyjnë në Islam!”
Milingona me flatra, duke i hapur flatrat, u hodh e tha:
“Armiqtë përpiqen ta pengojnë përhapjen e Islamit. Tre vjet më parë, Profeti Muhamed filloi t’i ftojë njerëzit për në Islam. Por këtë punë e ka bërë gjer tani fshehtas për t’u ruajtur prej armiqve. Të parët që e pranuan Islamin, ishin Hatixheja, Ebu Bekri, Bilali, Osmani e, pas tyre, edhe shumë të tjerë!”
Duke i hapur sytë fort, milingona e zezë tha:
“Por ju s’e dini, moj motra, që unë kam parë se si u bë mysliman Aliu, fëmija i parë!”
“Të lutem, na trego!”, iu lutën shoqet.
“Një ditë po sillesha andej-këtej për të gjetur ushqim dhe hyra në shtëpinë e Profetit Muhamed. Aliu, që ndodhej aty, ishte një fëmijë në të dhjetat. Muhamedi dhe e shoqja, Hatixheja, po falnin namaz. Kur mbaruan, Aliu i pyeti: “Ç’është kjo që po bëni?” I dërguari i Allahut, Muhamedi, i tha: “O Ali, kjo është feja e pëlqyer dhe e zgjedhur nga Allahu! Unë po të ftoj t’i besosh të vetmit Zot, Allahut, dhe po të them të mos u falesh më idhujve që s’u sjellin as dobi e as dëm njerëzve!” Aliu i tha se donte ta bisedonte këtë propozim me të atin, Ebu Talibin.”
“Po ç’i tha Muhamedi atij?”, pyeti me kërshëri milingona e kuqe.
“O Ali! Po të duash, bëj siç të thashë, por, po të mos duash, mbaji fshehur këto që pe e dëgjove këtu, mos askujt i trego!”, e mbaroi rrëfimin milingona e zezë.
Aliu e kaloi atë natë duke menduar. Edhe unë aty prita gjer të nesërmen në mëngjes. Ç’është e drejta, prisja se ç’përgjigje do të jepte ai. Kur u bë mëngjes, Aliu erdhi te shtëpia e Profetit Muhamed dhe tha:
“Allahu nuk e pyeti Ebu Talibin kur më krijoi mua, po unë, pse duhet ta pyes kur dua t’i falem Allahut?”
Kështu Aliu u bë mysliman! Fëmija i parë mysliman!
Milingona e kuqe tha duke i rrahur duart:
“Ç’përgjigje e bukur! Po pas atyre tre vjetëve të ftesës së fshehtë, ç’ndodhi?”
Duke e tundur kokën e vet të madhe, milingona kokëmadhe tha:
“Pastaj, me urdhër të Allahut, filloi periudha e ftesës së hapur. Në fillim, Profeti Muhamed ftoi në Islam të afërmit e tij. Atë ditë unë ndodhesha për vizitë te shtëpia e tij. Ai i kishte mbledhur të gjithë të afërmit. Pasi mbaruan së ngrëni, unë dhe milingonat e tjera iu përveshëm mbledhjes së thërrimeve. Atëherë Profeti Muhamed u ngrit në këmbë dhe foli:
“Vëllezër dhe kushërinj! Unë po ju ftoj t’i besoni Allahut, veç të cilit nuk ka zot tjetër! Kurse unë jam i dërguari i Tij te njerëzit për t’u mësuar fenë e zgjedhur prej Tij!”
“Po të ftuarit, ç’thanë?”
“Xhaxhai i tij, Ebu Talibi, u gëzua dhe i tha se do ta ndihmonte. Edhe të tjerët u bashkuan me të. Vetëm i ungji Ebu Leheb i doli kundër!”
Milingona me flatra rrudhi fytyrën:
“E njoh Ebu Lehebin! Unë jetoj para shtëpisë së tij. Para ca ditësh pashë se si hidhte ndyrësira para portës së shtëpisë së Muhamedit, që e ka edhe komshi. Kurse e shoqja mblidhte ferra e shkurre dhe i shtronte në rrugën nga kalonte Muhamedi. Që të dy janë njerëz shumë të këqij!”
Milingona e kadifenjtë hyri në mes duke tundur pelerinën me push:
“Foleja ime ndodhet në kodrën Safa. Pasi i ftoi të afërmit, Profeti Muhamed e mblodhi në këtë kodër fisin Kurejsh për t’u folur edhe atyre haptas. Atë ditë Ebu Lehebi i foli Muhamedit me fjalë të rënda dhe e qëlloi me gur. Pastaj, siç kam dëgjuar nga myslimanët, zbriti surja “Tebbet” ku tregohej se Ebu Lehebin bashkë me të shoqen i priste një fund shumë i keq.”
Milingona e kuqe i tha:
“Pra, ti paske qenë në kodrën Safa atë ditë! Po ç’u tha Muhamedi njerëzve të fisit Kurejsh?”
Milingona e kadifenjtë tregoi:
“Profeti Muhamed u foli kështu atyre: “O Kurejshë! Po qe se ju them se pas këtij mali ose në atë luginë ndodhet një ushtri armike që do t’ju sulmojë sonte apo nesër në mëngjes, a do të më besoni?” Ata iu përgjigjën të gjithë me një gojë: “Po, do të të besojmë!” Sepse ata kurrë s’e kishin dëgjuar Muhamedin të gënjente apo të mos e mbante fjalën, prandaj edhe e thërrisnin Emin. Ai ishte njeriu më i drejtë mes tyre! “Atëherë, po ju them se unë jam ngarkuar t’ju lajmëroj se mbi ju do të bjerë një ndëshkim i rëndë!”, u tha Profeti Muhamed. “Allahu i Lartë më urdhëroi: “Frikësoji njerëzit e tu të afërt me ndëshkimin e jetës tjetër!” Dhe vazhdoi: “Unë po ju ftoj të besoni se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se unë jam robi dhe i Dërguari i Tij tek ju dhe tek të gjithë njerëzit. Po qe se pranoni, mund t’ju them se do të shkoni në xhenet, në parajsë!” Të gjithë e dëgjuan me vëmendje dhe, pastaj, u larguan që aty.”
Milingona e kuqe dëgjonte me kureshtje të madhe. Në mendje i kishte ardhur një pyetje:
“Ç’bëjnë tani idhujtarët?”
“Tani ata po i mundojnë shumë Muhamedin dhe besimtarët. Por mundimet dhe torturat e tyre nuk e largojnë dot të Dërguarin e Allahut nga rruga. Ai nuk heq dorë nga detyra e tij për t’u folur njerëzve për Islamin, për besimin e drejtë në një Zot të vetëm. As myslimanët nuk heqin dorë nga besimi; përkundrazi, numri i tyre shtohet nga dita në ditë! Prandaj edhe shqetësimi dhe të ligësia e idhujtarëve shtohen gjithnjë e më shumë!
Duke bërë shenjë me antenat, milingona kokëmadhe pyeti:
“Pa shihni! A s’janë ata parësia e idhujtarëve? Janë mbledhur dhe po drejtohen për te shtëpia e Ebu Talibit!”
Milingona e zezë propozoi:
“Ejani të shkojmë dhe ne! Të shohim ç’do të thonë!”
Milingonat u nisën për te shtëpia e Ebu Talibit dhe hynë brenda nga një e çarë nën portë. Pastaj u rreshtuan përgjatë murit të dhomës ku u mblodhën njerëzit. Ebu Talibin e kishin mu përballë. Pas pak, brenda hynë idhujtarët. Milingonat i kthyen antenat që të dëgjonin sa më mirë! Kjo ishte e dyta herë që idhujtarët vinin në shtëpinë e Ebu Talibit.
“O Ebu Talib”, iu drejtua njëri prej tyre, “ti je njëri prej të parëve dhe më pleqve tanë! T’u drejtuam një herë ty që ta bëje tët nip të hiqte dorë nga gjërat që bën dhe fjalët që thotë. Por ti nuk bëre siç të kërkuam. Të betohemi se këtej e tutje nuk do të durojmë dot më që ai të na i fyejë etërit dhe gjyshërit, t’i quajë ata të pamend e t’i shajë zotat tanë! Tani, ose do t’ia mbyllësh gojën atij, ose ne do të luftojmë kundër jush gjersa njëra palë të shfaroset!”
Dhe u larguan.
Ebu Talibi ishte xhaxhai i Profetit. Ai e pati mbrojtur qysh kur ishte i vogël.
Milingona kokëmadhe u pëshpëriti shoqeve:
“Me sa e njoh unë, Ebu Talibi nuk dëshiron të veçohet nga fisi, por edhe të nipin nuk mund ta lërë të vetëm, pa mbrojtje! Të shohim se ç’do të bëjë!”
Ebu Talibi i çoi fjalë Muhamedit. Milingonat nuk lëvizën nga vendi.
Dhe ja, ku hyri brenda një burrë me fytyrën si drita. Ishte Profeti, Muhamedi! E mahnitur nga pamja e tij, milingona e kuqe tha me mallëngjim:
“Ç’fytyrë të bukur e tërë dritë që paska! Ja, pra, ky qenka Muhamedi! Kurrë gjer tani s’kam parë një njeri të tillë!
Ebu Talibi nisi t’i flasë të nipit me një zë lutës:
“O biri i tim vëllai! Paria e fisit erdhën te unë e më thanë për fjalët e tua. Të lutem, mos merr përsipër një barrë që s’mund ta mbajmë as unë, as ti! Mos u thuaj më njerëzve fjalë që s’u pëlqejnë!”
Përfaqësuesi dhe i Dërguari i Zotit ia ktheu i vendosur, me fjalë të prera:
“Ta dish mirë, o xhaxha, se edhe sikur të m’i vënë Diellin mbi dorën e djathtë dhe Hënën, mbi të majtën, unë nuk heq dorë nga ky besim dhe nga përhapja e tij! Ose Allahu do t’i japë fitoren fesë së Tij, ose unë do të jap jetën për të!”
Të gjitha milingonat ngrinë para një përgjigjeje të tillë! Sytë u ishin përlotur.
Edhe Ebu Talibi dukej i tronditur. Vendosmëria e të nipit e kishte prekur thellë! Ebu Talibi iu hodh në qafë dhe i tha:
“O im nip! Vazhdo siç e ke nisur! Unë do të të mbroj gjer në fund!”
Milingonat i kishte prekur thellë kjo skenë. Pasi dolën nga shtëpia e Ebu Talibit dhe u mblodhën sërish në shesh, milingona e zezë, duke iu drejtuar milingonës së kuqe, tha:
“Shih, moj motër! Robi më i dashur i Zotit, Muhamedi, i cili u bën thirrje njerëzve të mendojnë dhe veprojnë drejt, si rrjedhojë, të shpëtojnë nga ndëshkimi i jetës tjetër, jeton mes nesh. Ne e duam shumë atë, mirëpo ende shumë vetë sillen si armiq ndaj tij. Sa keq!”
Me zërin që i dridhej nga ngashërimi, milingona e kuqe tha:
“Edhe unë do të rri këtu! Nuk dua të ndahem prej tij sa të jem gjallë!”
A e kuptuat tregimin?
- Ç’tregon milingona e zezë mbi fenë islame?
- Diskutoni me një më të rritur mbi fjalët e Aliut kur vendosi të bëhej mysliman.
- Kush ka qenë Ebu Lehebi? Ç’veprime të këqija bënte ai?
- Ç’vështirësi përballonin myslimanët për besimin e tyre?
- Dihet se feja Islame e ndalon gënjeshtrën. Pse gënjeshtra është e keqe dhe pse të gënjesh është veprim i keq? A ju vjen mirë juve po t’ju gënjejnë? Pse?
- Ç’përgjigje i jep Profeti Muhamedi xhaxhait të tij, Ebu Talib?
- Pse e duam shumë Profetin tonë?
Kategoria:Tregime të zgjedhura

PËLLUMBAT E SHPELLËS
Ishte një pasdreke mjaft e nxehtë. Dielli i shkretëtirës i ngjyente në alle kodërzat e rërës përreth. Mes kodërzave ndodhej një oaz. Rreth atij burimi të vogël uji kishin mbirë e radhitur një sërë drurësh hurme. Degët e tyre të ngarkuara me hurma vareshin gjer përdhé. Me ngjyrën e tyre të verdhë në të artë, veshulët e hurmave dukeshin shumë të shijshme. Mbi degët e njërit prej drurëve ndodhej një fole pëllumbash.
Pëllumbat prindër i kishin marrë të vegjlit nën krahë. Pak më parë kishin ngrënë të gjithë së bashku dhe tani po preheshin të ngopur. Ata po sodisnin diellin që pasqyrohej mbi ujë. Sytë e pëllumbit nënë, pëllumbeshës, ishin kredhur në largësi. Pëllumbi baba, i cili e vuri re, e pyeti bashkëshorten:
“Gu-gu, Pëllumbeshë! Prapë u krodhe në mendime! Ç’po mendon ashtu?”
“Eh”, tha ajo duke rënkuar thellë. “Ti e di se ç’po mendoj, ore burrë! Gu-gu!”
Pëllumbi tundi kokën rëndë-rëndë.
“E di”, tha duke buzëqeshur, “si nuk e di? Po mendon sërish për ato ditë të bukura, prapë!”
“Asnjë çast s’më hiqen nga mendja. Me përfytyrimin e tyre jetoj! Gu-gu!”
Të vegjlit e tyre, Hirushi dhe Larushi kishin vetëm ca ditë që kishin dalë nga veza. Ata s’dinin gjë për të kaluarën e prindërve të tyre. Ata u bënë shumë kureshtarë nga biseda e prindërve. Megjithëse kishin vetëm pak ditë që kishin ardhur në jetë, ata e kishin kuptuar se prindërit e tyre kishin një vend të veçantë mes zogjve dhe shpendëve të tjerë të atyre anëve.
Një ditë më parë, sorkadhet që kishin zbritur në breg të oazit, seç bisedonin dhe bënin me shenjë nga çerdhja e tyre. Kurse shqiponja që po fluturonte në kupë të qiellit, në çdo rrotullim, u thoshte: “Ju lumtë! Ju lumtë!”
Shkurt, të gjitha kafshët i përshëndesnin dhe përpiqeshin me sa kishin mundësi të mos i ngacmonte gjë.
Hirushi dhe Larushi nuk e kuptonin pse kafshët e tjera i vlerësonin kaq shumë. Një ditë menduan se kishte ardhur koha t’i pyesnin.
Me zërin e tij të hollë, Hirushi e pyeti t’ëmën:
“Mami, të lutem, më thuaj pse na duan kaq shumë kafshët, pse hiqen menjëherë mënjanë kur shkojmë për të pirë ujë dhe pse na përshëndesin me aq respekt?”
Nëna e mori sërish nën krahë me dashuri të voglin e saj, ia përkëdheli kokën me dhembshuri dhe iu drejtua me buzëqeshje të shoqit:
“Më duket se erdhi koha t’ua tregojmë çdo gjë fëmijëve! Ç’thua ti?”
“Po, këta u rritën aq sa të kuptojnë, pra, le t’ua tregojmë!”
Nëna e mori nën krahë edhe Larushin dhe nisi të tregojë:
“Ah, more bij, le të flasim më parë pak për Zotin. Si çdo gjë tjetër, edhe neve, Ai na ka krijuar. Ne jemi krijesat e Tij. Çdo ditë Ai na e siguron ushqimin, kurse ne e gjejmë, e marrim dhe e hamë. Ai lëshon nga retë në qiell shi, kurse ne e pimë.”
“Pa shihni, more fëmijë”, tha babai, “sa krahë të bukur e plot pendë ngjyra-ngjyra na ka dhënë Zoti! Ne hapim krahët e fluturojmë në qiellin blu, kurse me sqepin gjejmë ushqim dhe pastrojmë pendët. Pastaj…”
“O, babi… “, thirri Larushi, “unë sot i pastrova pendët, por sqepi nuk më arriti gjer te koka. Ç’duhet të bëj?”
“Bashkë me vëllanë, mund t’ia pastroni kokën njëri-tjetrit. Ndihma për njëri-tjetrin është gjë e mirë!”
Nëna e qortoi Larushin butë:
“I vogli im! Nuk duhet t’ia presësh fjalën babait! Duhet ta presësh të mbarojë, pastaj ta pyesësh. Kështu është më mirë!”
“Mirë, nënë”, tha Larushi i bindur.
Babai vazhdoi:
“Sado ta falënderojmë Zotin tonë, është pak. Ai na do shumë. Edhe ne e duam shumë Atë!”
Larushi tha:
“Babi, ti flet shumë bukur. Por akoma nuk na ke treguar se pse kafshët e tjera na vlerësojnë kaq shumë. A s’u ka dhënë Zoti edhe atyre të mira si ne?”
Pëllumbi baba iu përgjigj duke buzëqeshur:
“Gu-gu! Bëj durim, vogëlush! Mësimi kërkon durim. Do t’ju tregoj! Unë dhe nëna juaj, veç të mirave që marrin të gjitha kafshët nga Zoti, kemi marrë edhe një të mirë tjetër.”
Pëllumbesha nuk duroi dot më. Me lotë lumturie në sy, tha:
“Edhe sikur të më jepej mundësia të jetoja miliona vjet në pyje të mbushur me gjelbërim, nuk do ta kisha ndërruar me ato ditë! Zoti ynë na fali një mirësi të madhe!”
Duke kërcyer me padurim nga vendi, Larushi e pyeti nënën:
“Mami, po ç’ndodhi, pra, ato ditë?”
“Pamë Profetin, o bir!..”
Pëllumbi dhe Pëllumbesha ishin prekur thellë nga kujtimet. Ata qanin me shpirt. Pas pak u qetësuan dhe Pëllumbi vazhdoi të tregojë.
“Nuk e harroj kurrë. Ishte vite më parë. Unë dhe nëna juaj ishim ende shumë të rinj. Ishte përsëri një ditë e nxehtë si kjo. Ne po fluturonim mbi kodrat e rërës. Ndërkaq, nga Zoti na erdhi një urdhër. Ne duhet të bënim një fole mu në hyrje të shpellës së quajtur Thevr. Me ta marrë urdhrin, përplasëm krahët me tërë fuqinë dhe fluturuam për në shpellë. Pa pushuar, në hyrje të saj ndërtuam fole.”
Nëna u ngashërye sërish dhe tha:
“Gu-gu! Mu atëherë dëgjuam zëra nga brenda. Kthyem kokën, por ç’të shihnim? Brenda ishin i Dërguari i Zotit, profeti Muhamed, dhe shoku i tij, Ebu Bekri. Atë çast m’u duk se do të më ndalej zemra nga ngazëllimi!”
Larushi pyeti me kërshëri:
“Mirë, moj mami, po si e njohët Profetin ju?”
Nëna qeshi.
“Vogëlushi im! Atë e njohin të gjitha gjallesat, madje edhe jogjallesat. Ai i thërret pemët dhe ato i shkulin rrënjët e i shkojnë pranë. Merr gurë në dorë dhe gurët fillojnë e luten për të. Retë i bëjnë hije. Ai ka një bukuri të tillë në fytyrë që, sapo ta shohësh, dashurohesh pas saj. Ai është i Dërguari i Zotit. Ashtu siç kanë bërë edhe profetët e tjerë, ai na e bën të njohur Zotin e na flet për Të. Ai u tregon njerëzve për të gjitha cilësitë dhe shprehitë e moralit të bukur. Në saje të mësimeve të tij, myslimanët, me të na parë neve, mendojnë për ne, për krijimin tonë. Ata kurrë nuk na bëjnë ndonjë të keqe, por na mbrojnë. A e mban mend se ç’ndodhi dje kur re nga foleja? Të gjithë ne po bërtisnim nga tmerri, kur ty të dalloi një mysliman që në atë kohë po i jepte devesë ujë. Ai u afrua, të mori në duar me përkëdheli, tha “sa të bukur e ka bërë Zoti”, të puthi dhe të vuri në fole pa të shkaktuar asnjë dëm. Duke të vënë, tha “bismil’lah”. Sa u gëzuam ne për këtë sjellje, apo jo!”
“Po, nënë”, tha ai. “Ai xhaxhi u soll shumë mirë me mua. Dhe këtë ia paska mësuar profeti Muhamed! Unë tani do ta dua më shumë atë!”
Pëllumbi baba vazhdoi:
“Por sa keq që ka nga ata që nuk ia dëgjojnë fjalën atij! Ata na quajnë ne qenie të pavlera, që ekzistojmë pa ndonjë qëllim, nuk u vjen keq për ne, prandaj edhe na shajnë dhe na bëjnë keq!”
“Ja, pra, të vegjlit e mi”, tha nëna, “atë ditë, Profeti me Ebu Bekrin ndodheshin në shpellë. Ata po mërgonin, po largoheshin nga Meka për në Medine.”
Duke i hapur sytë me kërshëri, Larushi pyeti:
“Po pse i linin shtëpitë e iknin?”
“Kushërinjtë tanë të Mekës na treguan se ç’kishte ndodhur. Idhujtarët kurejshë të Mekës u bënin shumë të këqija myslimanëve. Ata përpiqeshin t’i detyronin myslimanët të hiqnin dorë nga besimi islam. Prandaj myslimanët, me leje të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kishin filluar të largoheshin për në Medine.”
“Ky largimi quhet hixhret. Idhujtarët dashkan ta pengojnë edhe hixhretin e myslimanëve!”
“Po pse idhujtarët s’duan që myslimanët të mërgojnë? A na thatë se nuk i duan myslimanët e u bëjnë shumë të këqija?”
“Sepse idhujtarët paskan frikë nga bashkimi i myslimanëve me medinasit dhe fuqizimi i tyre! Ata shqetësohen se mos një ditë Profeti Muhamed vihet në krye të tyre dhe i sulmon. Idhujtarët paskan bërë një mbledhje ku, me propozimin e Ebu Xhehlit, paskan vendosur ta vrasin Profetin. Pastaj, një natë, e paskan rrethuar shtëpinë e tij, por Allahu e paska njoftuar. Profeti paska vënë Aliun në shtratin e vet dhe paska dalë nga shtëpia duke kaluar para syve të tyre!”
“Pa e parë ata?”
“Pa e parë, vogëlushi im, sepse, kur Allahu s’do, askush nuk mundet të shohë. Dhe, kështu, pasi kishin pritur gjithë natën rreth shtëpisë së Profetit, idhujtarët ishin habitur kur kishin parë Aliun të dilte që atje!”
Nëna mori pak frymë dhe vazhdoi:
“Ndërkaq, Allahu e kishte urdhëruar të Dërguarin e Tij të mërgojë. Ai u mor vesh me Ebu Bekrin dhe u nisën. Shkuan në fillim në shpellën Theur ku u fshehën. Ja, pra, atëherë ne e bëmë folenë tonë mu në hyrje të shpellës që ishte si një vrimë e madhe. Një motra jonë merimangë thuri një rrjetë të madhe me të cilën e zu tërë hyrjen e shpellës. Gjatë kësaj kohe, idhujtarët ishin vënë pas Profetit dhe Ebu Bekrit.”
Larushit i kishte mbetur sqepi hapur nga habia.
“Kështu, ë?”, tha ai me habi. “Dy pëllumba dhe një merimangë kundër gjithë atyre burrave të armatosur!”
“Mirë, po ç’ndodhi atje, moj nënë?”, pyeti Hiroshi duke përplasur krahët e vegjël.
Nëna iu përgjigj:
“Idhujtarët i qenë afruar shumë shpellës. Ebu Bekri ishte shqetësuar. Ai kishte frikë se mos idhujtarët i bënin ndonjë të keqe Profetit. ‘O i Dërguari i Allahut’, i kishte thënë ai Profetit, ‘s’më vjen keq po të më vrasin mua, por, mos e dhëntë Zoti, po të të bëjnë keq ty, kjo gjë do të sillte shkatërrimin e të gjithë bashkësisë së myslimanëve!’ Kurse Profeti ishte i qetë. Ai u përpoq ta qetësonte Ebu Bekrin duke i thënë: ‘Mos u dëshpëro, Allahu është me ne!’. Por ai i tha: ‘O i Dërguari i Allahut, po qe se ndonjëri prej tyre përkulet dhe sheh brenda në shpellë, na dallon nga këmbët që jemi këtu! I sigurt në vetvete, Profeti u përpoq sërish për ta qetësuar Ebu Bekrin duke i thënë: ‘O Ebu Bekr! Mos u mërzit e mos u shqetëso se Allahu është me ne!’ Pastaj bëri lutje që Allahu ta qetësonte atë!
Idhujtarët e kishin parë folenë tonë dhe rrjetën e merimangës dhe, duke menduar se aty s’do të kishte njerëz, ishin larguar.”
Duke i shkëlqyer sytë, Larushi pyeti:
“Mirë, moj nënë, po sa ndenjën ata në shpellë?
“Tri ditë e tri net, vogëlushi im! Pastaj atje shkoi një prijës me dy kuaj dhe ata u larguan.”
Pëllumbi baba i pa fëmijët në sy me kujdes dhe u tha:
“Ja, kështu, vogëlushët e mi! Unë me nënën tuaj kurrë s’kemi për t’i harruar ato tri ditë të bukura! Ne jemi shumë të lumtur që e pamë Profetin, e shoqëruam dhe bëmë roje për të!”
Larushi tha tërë mërzitje:
“Mirë, po ne nuk e pamë dot!”
“Ashtu është, por edhe ju, po të bëni siç na këshillon ai, edhe do të fitoni pëlqimin e Allahut, edhe do ta shihni atë në xhenet.”
Nëna pëllumbeshë tha:
“Ka vite që njerëzit na përmendin ne duke na treguar si shembull se, me anë të qenieve të dobëta, Allahu mund t’i shkatërrojë edhe ata që duken si shumë të fuqishëm!”
Pëllumbi baba shtoi:
“Vogëlushët e mi, ne presim nga ju që të jetoni sipas urdhrave që Allahu, Zoti ynë, na i ka bërë të ditura me anë të të Dërguarit të Tij, Profetit Muhamed. Kështu, jeta juaj kthehet në xhenet dhe fitoni kënaqësinë e Allahut dhe të Profetit!”
Në folenë e pëllumbave majë degëve të një druri hurme, mori fund një bisedë e ëmbël. Me perëndimin e diellit, qielli u mbush plot yje. Nën vezullimin e yjeve të shkretëtirës, pëllumbat u përqafuan me njëri-tjetrin dhe ranë në një gjumë të lumtur.
Në ëndërr, Profeti u buzëqeshte, i merrte në dorë dhe i përkëdhelte me dashuri.
A e kuptuat ngjarjen?
- Pse kafshët që përmenden në këtë ngjarje, tregonin një dashuri të veçantë për pëllumbat?
- Pse e duan gjallesat shumë Profetin?
- Ç’do të thotë “hixhret”? Kur ka ndodhur? Cilat janë shkaqet e tij?
- Ç’detyrë kryen pëllumbat gjatë rrugës së Profetit për në hixhret?
- Pse nuk frikësohej Profeti nga idhujtarët e armatosur që ishin afruar gjer në hyrje të shpellës?
- A dini të luteni ju për Profetin?
- A e keni parë ndonjëherë në ëndërr Profetin?
- Jepni edhe ju shembull se si një i dobët që mbështetet te Allahu, mund të dalë fitues mbi ata që duken shumë të fortë.
Kategoria:Tregime të zgjedhura

GOMARI FATBARDHË
Fshatarët i kishin lëshuar gomarët për të kullotur. Pas pak, me ta u bashkua edhe gomari i Halimes. Gomarët e tjerë iu mblodhën menjëherë rrotull dhe nisën ta pyesnin:
“Ç’ndodhi atë ditë me ty?”
“Na e kalove të gjithëve, o vëlla! Si munde me këtë moshë që ke?”
“Vërtet, megjithëse je më i moshuari ndër ne, na e kalove!”
Gomari i Halimes u foli shokëve që e shihnin me kërshëri:
“As unë s’e di, o vëllezër! Gjithçka ndodhi pas asaj dite. Kur po shkonim për në Mekë, ecja pas jush i dobët e i pafuqishëm, por kur po ktheheshim, më dukej vetja si luan! Isha bërë i ri si qëmoti! As vetë s’po e kuptoja se ç’kishte ngjarë me mua!”
Fjalën e mori një gomar i moshuar. Ai foli rëndë-rëndë:
“Që prej shumë kohësh po i shërbejmë fisit Sad. I çojmë ata në Mekë e i kthejmë prapë nëpër shtëpi. Ata marrin me vete fëmijët e porsalindur të mekasve për t’i mëkuar, ushqyer e rritur të shëndoshë në klimën e freskët të fshatit tonë malor. Veç kësaj, edhe për t’u mësuar ta flasin bukur arabishten. Por kurrë gjer më sot nuk jemi bërë dëshmitarë të një ndodhie si kjo e fundit!”
“Edhe të zotët tanë nisën të dyshojnë atë ditë në kthim për ty. Ata bisedonin mes tyre: “More, po ky është gomari i Halimes që zbriti bashkë me ne në Mekë? S’po e njohim dot! Sikur s’është ky! Sikur është bërë tjetër!” Të lutemi na trego që në krye se ç’ndodhi atë ditë me ty!” e pyeti një gomar tjetër.
Gomari i Halimes nisi të tregojë:
“E dini, të zotët e mi, Halimeja dhe i shoqi, ishin njerëz të varfër. Mua më hipnin me radhë. Shëndetin tim, po, e njihni shumë mirë! Prandaj atë ditë mezi arritëm në Mekë pas ju të gjithëve!
Gjersa arritëm ne, të gjithë fëmijët e vegjël ishin marrë nga mëndeshat. Zonja ime, Halime, nisi të sorollatej e zymtë nëpër sokakët e Mekës.
Diku u përball me një burrë plak të quajtur Abdulmutalib. Ai i propozoi Halimes të kujdesej për të nipin jetim që e kishte me vete. Bebja ishte shumë i bukur. Dukej qartë që plaku e donte shumë dhe ndjehej i lumtur për të!
Halimeja e pranoi propozimin, hipi mbi mua dhe e mori fëmijën në prehër. Unë e ndjeva se u gjallërova. Po më dukej vetja i ri e i fortë! Dhe u nisëm për t’u kthyer në fshat. Megjithëse ndodheshim shumë pas jush, ju arritëm e jua kaluam!”
Një gomar i zi tha duke tundur kokën:
“Hëmmm! Kjo, o vëlla, ka të bëjë vetëm me fëmijën! Siç duket, ai fëmijë është shumë i mbarë e i bekuar!”
Gomari plak shtoi:
“Edhe unë kështu mendoj! Pa shihni! Ndërsa delet e zotërve tanë mezi mbajnë veten nga uria, delet e Halimes duken shumë të ngopura e me gjinjtë të fryrë nga qumështi!”
Një gomar tjetër u hodh e tha:
“Siç duket, të zotët tanë nuk e kuptuan atë ditë se ai fëmijë jetim e i varfër ishte i mbarë e i bekuar. Nja dy ditë më parë dëgjova tim zot t’i bërtiste çobanit siç kishin nisur t’u bërtisnin pas asaj dite edhe fshatarët e tjerë: “Pse nuk i kullotni dhentë atje ku kullosin edhe dhentë e Halimes?” Kurse çobani e kundërshtonte duke i thënë se kullotat ishin njëlloj kudo.”
Duke tundur veshët, gomari i Halimes tha:
“Po, po, e di! Çobanët erdhën dhe e pyetën time zonjë, Halimen, se ç’ishte kjo punë. Ajo u tha: “Për Zotin, kjo s’është punë bari e kullote! Kjo është një e fshehtë e Zotit! Çdo gjë filloi atë ditë sapo morëm udhën e kthimit nga Meka”!”
Gomari plak tha:
“Kjo gjë duket sheshit, o vëllezër! Të zotët tanë atë ditë u shtynë me njëri-tjetrin se kush të merrte më parë fëmijët e të pasurve, kurse atij jetimit të varfër askush s’ia hodhi sytë. Ndoshta prandaj Zoti po i ndëshkon tani! Vetëm Halimes i doli kaq e mbarë fëmija!”
Gomarët teksa bisedonin, prisnin të zotët të ktheheshin nga lutja e shiut për të cilën kishin dalë.
Kishte shumë që në gjithë zonën ku ndodheshin livadhet, kullotat dhe fshati i fisit Sad, nuk binte shi. Kudo sundonte thatësira. Edhe atë ditë, banorët e fshatit kishin dalë përsëri për lutjen e shiut të prirë nga një orakull.
“U bënë shumë orë që të zotët tanë kanë dalë për në lutjen e shiut”, tha gomari plak. “Ç’thoni, o vëllezër, a do të bjerë shi?”
“Shumë mirë bëhet po të bjerë”, ia priti një gomar tjetër. “Pa shihni se ç’na këputi thatësira! Të gjitha bagëtitë veç atyre të Halimes u dobësuan shumë. U përmallëm për një pikë ujë!”
Gomarët dolën në një vend nga mund t’i shihnin të zotët atje larg që kishin dalë për lutje. Gomarët vazhduan të shihnin të heshtur e të mërzitur. Kaloi një farë kohe kështu, në heshtje, kur njëri prej tyre tha:
“Ooo, pa shihni! Ajo gruaja që po vjen, a s’është Halimja?”
“Po, po, ajo është! Pse, vallë, e ka lënë lutjen dhe është kthyer?”
“Shihni, hyri në shtëpi!”
Gomarët po prisnin se ç’do të ndodhte.
“Ja ku doli!”, thirri një gomar tjetër. “Në duar ka atë fëmijën e bukur. Po kthehet për te grumbulli i njerëzve. Fëmijës i ka hedhur mbi fytyrë një copë të bardhë për ta mbrojtur nga dielli i nxehtë.”
“Në të vërtetë, nuk ka nevojë për atë mbulesë! Pa shihni atë renë që u rri mbi krye e i ndjek nga shkojnë? Reja u bëka hije fëmijës dhe Halimes!”
“Si thoni ju, ç’do ta bëjnë fëmijën?”, pyeti një gomar shokët.
“Siç duket, njëri nga fshatarët e ka kuptuar mbarësinë e fëmijës dhe i ka thënë orakullit.”
“Po, po!”, thirri një gomar i ri. “Halimja ia dha fëmijën orakullit.”
Orakulli kishte filluar të lutej me zë të lartë. Fjalët e lutjes së tij dëgjoheshin gjer te vendi ku ndodheshin gomarët. Ata i ngritën veshët të dëgjonin më mirë.
“O njerëz! Ky është fëmija prej Meke që i solli begati shtëpisë që e mori! Le t’i lutemi Zotit që, për dashurinë për këtë fëmijë të vogël të bekuar, të na lëshojë shi!”
Njerëzit e morën në mes fëmijën e jashtëzakonshëm, ngritën duart me pëllëmbët të hapura drejt qiellit dhe nisën t’i luten Zotit së bashku. Ndërkaq, njëri prej gomarëve vuri re një ndryshim dhe u foli shokëve me zërin që i dridhej nga tronditja:
“Pa shihni se si po zmadhohet reja që i bënte hije djalit!”
Nuk shkoi shumë dhe qiellin e mbuluan re të dendura. Njerëzve u ishte zgjuar shpresa. Sytë nisën t’u qeshnin. Por, kur nisën të binin pikat e para, ata filluan të lëshonin klithma gëzimi të papërmbajtur. Lutja u ishte pranuar! Ata po bërtisnin sikur të kishin parë shi për herë të parë:
“Shi, shi! Po bie shi!”
Për hir të dashurisë së Zotit për atë fëmijë të bekuar, mbi tokën e tyre të tharë e të zhuritur, po binte shi që sillte me vete mëshirë, jetë e begati!
Gomari plak iu kthye gomarit të Halimes dhe i tha:
“Po, po, s’ka dyshim se ky fëmijë është krejt i ndryshëm nga fëmijët e tjerë! Ai është shumë i bukur e i mbarë!”
Pas shiut, të gjithë qeshnin të lumtur. Shiu vazhdoi me ndërprerje një javë të tërë. Toka u ngop me ujë, natyra u gjallërua sërish. Bari u ringjall, të mbjellat e ngritën kokën lart, livadhet u gjelbëruan e u mbushën me lulet erëmira të malit!
Fëmija i bekuar që e quanin Muhamed, qëndroi në shtëpinë e Halimes gjersa u bë katër vjeç. Sa qe atje, begatia dhe mirëqenia në shtëpinë e Halimesë dhe të të gjithë banorëve të atij fshati kurrë nuk u pakësuan!
Profeti i ardhshëm, Muhamedi, ishte i ndryshëm nga të tjerët qysh në moshë të vogël. Ai ishte i drejtë, i edukuar, serioz dhe me moral të lartë. Bashkëmoshatarët dëshironin shumë të bënin shoqëri me të. Kur u rrit sa mund të bënte ndonjë punë, së bashku me vëllanë e gjirit, Abdullahun, nisi të kulloste dhentë e disa shtëpive pranë. Gjatë kohës që u rrit pranë tyre, Halimja dhe i shoqi e deshën Muhamedin me një dashuri të madhe, por, kur mbushi katër vjeçët, e kthyen, ndonëse me hidhërim, në Mekë tek e ëma, Amine.
A e kuptuat ngjarjen?
- Pse shkoi Halimja në Mekë?
- Si hyri gomari i Halimes në Mekë e si doli që atje për t’u kthyer në fshat?
- Pse dhentë e Halimes ishin të ushqyer e të shëndoshë, ndërsa dhentë e fshatarëve të tjerë të paushqyer e të dobët?
- Kur u pranua lutja e fshatarëve për shi?
- 5. Po ju, a bëni lutje shpesh? Pse luteni dhe ç’kërkoni?
Kategoria:Tregime të zgjedhura
Atë ditë afër mbrëmjes, nisi të frynte një erë e freskët. Mbi kodrën pranë Medinës ishte një dru hurme. Lëvizja e degëve nga era e bëri që të dridhej. Duke i fëshfëritur gjethet, i foli:
“Moj motra erë! Erdhe, pra, më në fund, ë? Më gëzove!”
“Fiu-fiu”, bëri era lehtë e lehtë. “ Si je, ti, motër hurma?”
“Të falem nderit, mirë jam! A s’po m’i luan edhe këto degët anësore? Më duket sikur janë mpirë ca!”
Era fryu drejt degëve anësore të drurit të hurmës.
“ Oh, sa mirë! Faleminderit! Ç’do të bënim po të mos ishe ti?”
“Fiu-fiu, e drejtë! Aq shumë detyra që kam!”
“Më shumë më pëlqen që bart retë”, i tha hurma duke i buzëqeshur. “Kështu na vjen shiu që ti e di se sa shumë na duhet. Me të vërtetë, si bëhesh ti, erë?”
“Kur ajri i nxehtë shkëmben vend me ajrin e ftohtë”, tha era.
“Ka shumë kohë që s’të shoh, erë e dashur! Ku ke qenë?”
“Fiu-fiu, jam sjellë nëpër vende të tjera të botës. Sot Zoti më urdhëroi të vij këtu.”
Druri i hurmës i tundi frutat dhe pyeti me kureshtje:
“Pse, vallë?”
“Nuk mund ta di. Mua m’u dha urdhër të fryj drejt ushtrisë së idhujtarëve. Tani po fryj ngadalë, por në të ardhmen do të fryj shumë shpejt. Atëherë do të quhem ciklon, uragan.”
“Ah, e kuptova”, tha hurma. “Me siguri që Allahu të ka dërguar për t’u ndihmuar myslimanëve!”
Era uturiu me kureshtje.
“Ti je një pemë, një dru. Je edhe në majë të kodrës. Ke parë çdo gjë. Më trego së pari këtë gjë. Ndoshta e mësoj se si do t’u ndihmoj myslimanëve.”
“Mirë”, tha pema e hurmës. “Vërtitmu përreth dhe dëgjo!”
Pema u mendua pak dhe nisi të tregojë.
“Tani janë në vitin 627. U bënë pesë vjet që myslimanët mërguan në Medine. Kohët e fundit, disa nga çifutët silleshin nëpër fiset përreth.”
“Përse?”
“Përpiqeshin t’i nxisnin idhujtarët kundër myslimanëve! Ata nuk e duan fuqizimin e myslimanëve!”
Më në fund, idhujtarët u bashkuan dhe formuan një ushtri, një ushtri të madhe prej 10 mijë vetash! Në krye kishin Ebu Sufjanin.”
“Po myslimanët, ç’bënë?”
Pema e hurmës i tundi degët:
“Me ta mësuar këtë, Profeti Muhamed i mblodhi menjëherë shokët.”
“Fiu-fiu, pra, Profeti i paska dhënë rëndësi bisedës, dëgjimit të mendimit të të tjerëve dhe këshillimit!”
“Po, në atë mbledhje u pranua mendimi i Selmanit.”
“Si ishte mendimi i tij?”
“Të qëndronin në qytet e të hapnin kanal rreth tij!”
“Shumë ide e mençur”, tha era. “Ashtu, hyrja e armikut brenda në qytet bëhet shumë e vështirë!”
“Pastaj, të gjithë myslimanët, me Profetin në krye, nisën të hapin hendekun. Edhe fëmijët punuan aty me sa fuqi kishin, por me shumë dëshirë! Hapja e hendekut vazhdoi me ditë të tëra. Gjatë gjithë kohës, Profeti punonte dhe lutej. Ai thoshte: “Allahu im, po të mos na e tregoje Ti rrugën e drejtë, ne as sadaka do të jepnim, as namaz do të falnim. Kur mohuesit të sulen mbi ne, na u jep zemrave durim dhe qetësi!”
Gjatë gërmimit, shokët hasën në një shkëmb shumë të fortë. Sado që u përpoqën, s’e thyen dot. Por aty erdhi Profeti dhe, me tri të rëna, e copëtoi shkëmbin!”
Era, nga njëra anë dëgjonte pemën e hurmës, nga ana tjetër hidhte nga një sy përreth.
“Në këto anë ka shumë pak gjelbërim, kurse toka është krejt e thatë”, tha hurma. Ajo i lëshoi degët poshtë. “Ka kohë që po vuajmë shumë për ujë e për të ngrënë!”
“Po ç’hanë e ç’pinë myslimanët, atëherë?”
“Të ngrënat i kanë shumë të pakta!”
“Gërmimi i një hendeku duhet të jetë punë e vështirë. Pa ngrënë punuan?”
“Po, për ditë të tëra punuan me shumë pak gjë. Të gjithë u dobësuan. Një ditë, njëri nga shokët, që e quanin Xhabir, e ftoi Profetin në shtëpi për të ngrënë pak gjë, kurse Profeti mblodhi një mijë myslimanë dhe i shkoi bashkë me ta.”
“Fiu-fiu”, fishkëlloi era këtë radhë më fort, me çudi. “Allah, Allah! Kush e di si do ta ketë humbur toruan Xhabiri kur ka parë para shtëpisë një mijë vetë!”
Hurma buzëqeshi.
“Xhabiri kishte përgatitur mish dhe bukë. Profeti bëri mbi ushqimin lutjen e begatisë dhe ua ndau shokëve me dorën e vet. Ajo pak gjë ngopi një mijë vetë!”
“Kjo është një mrekulli!”
“Po, kështu!”
“Po pastaj?”
“Më në fund, hapja e hendekut mbaroi. Atëherë edhe ushtria prej 10 mijë vetash e idhujtarëve, u panë në horizont. Kurse myslimanët ishin afro 3 mijë vetë. Kur e panë hendekun, idhujtarët u habitën. Në këtë mes, çifutët pas Medinës e prishën marrëveshjen që kishin me Profetin. Myslimanët u rrethuan nga armiku edhe përballë, edhe pas shpine!”
“Fiu-fiu, sa vështirë!”
“Por jo vetëm kaq. Mes myslimanëve kishte hipokritë, ata që tregoheshin si myslimanë, por që në të vërtetë s’ishin të tillë. Ata s’bënin gjë tjetër veçse përpiqeshin të ulnin moralin e myslimanëve.”
Duke fryrë gjatë e gjatë, era tha:
“Myslimanët janë shumë të lidhur pas fesë. Ata ndodheshin të rrethuar nga të katër anët me armiq. Ishte dhe kohë krize. Ata ishin të pangrënë. Sikur të mos mjaftonin këto, ja dhe hipokritët që përpiqeshin t’ua ulnin besimin dhe qëndresën.”
“Po. Kushtet ishin shumë të vështira. Por, për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata pranonin me dëshirë çdo lloj vështirësie.”
“A e kapërcyen dot idhujtarët hendekun?”
“Disa e provuan, por e morën atë që kërkonin. Kur e kuptuan se nuk do ta kapërcejnë dot hendekun, filluan të gjuajnë me gurë dhe shigjeta. Ata mbetën me ditë të tëra para hendekut. Pastaj nisën të grinden me njëri-tjetrin. Ushtria e tyre nisi të shthurej. Më në fund, ushtria e idhujtarëve u hodh në sulm në të gjithë gjatësinë e hendekut. U bënë luftime shumë të ashpra! Profeti Muhamed lutej vazhdimisht. Unë arrija ta ndjeja lutjen e tij gjer këtu:
“Allahu im që ke zbritur Kuranin, na ndihmo kundër tyre!”
“Edhe unë thosha ‘amin!’”
Më në fund, u bë natë. Vendi u mbulua nga errësira. Edhe tregimi i drurit të hurmës kishte marrë fund.
Era tha:
“Fiu-fiu, Allahu duhet ta ketë pranuar lutjen e Profetit, sepse më urdhëroi të fryj në drejtimin ku ndodheshin idhujtarët. Më urdhëroi të fryj si ciklon! Të faleminderit për ato që më tregove, motër hurma! Më erdhi koha të shkoj në detyrë!”
Druri i hurmës e përshëndeti erën nga pas duke i tundur degët:
“Allahu qoftë me ty, motër!”
Era nisi të bëhej më e shpejtë e më e ftohtë. Ajo u kthye në një ciklon të fuqishëm. Shkoi te vendi ku qëndronte ushtria e idhujtarëve dhe nisi të fishkëllente për tmerr! Pas pak, çadrat nisën të shkuleshin, kuajt të ngatërroheshin me devetë, sytë të mos shihnin dot më!
Idhujtarët i kishte mbërthyer paniku dhe frika. Ushtria ishte bërë rrëmujë. Luftëtarët nisën të iknin. Brenda një kohe të shkurtër, u shpërndanë. Aty s’mbeti më ushtri!
Myslimanët falenderonin Allahun për ndihmën. Të gjitha përpjekjet, shqetësimet dhe luftimet e guximshme kishin përfunduar me fitore! Ata ishin shumë të lumtur! Kudo sundonte një atmosferë feste!
Mes buzëqeshjeve të fitores, Profeti falenderonte Allahun. Ai thoshte:
“Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Vetëm Ai është! Allahu e shenjtëroi ushtrinë tonë. Dhe e ndihmoi robin e Tij!”
A e kuptuat ngjarjen?
- Kërkoni të mësoni se me ç’dobi e krijoi Allahu erën?
- Ç’i tregon hurma erës për daljen e Luftës së Hendekut?
- Para se të merrte vendim mbi një çështje të caktuar, Profeti i jepte rëndësi këshillimit me të tjerët. Diskutoni për këtë.
- Ç’ndodhin gjatë betejës së Hendekut? Si përfundoi ajo?
- Siç do ta keni vënë re, si të gjithë njerëzit, edhe Profeti, gjatë gjithë jetës përpiqet, punon, sëmuret, plagoset në luftë, përballet me vështirësi me të cilat përballemi edhe ne. Megjithëse është rob i zgjedhur i Allahut, ai nuk kalon në jetë mes pasurisë, mirëqenies dhe qetësisë! Diskutoni pse ndodh kështu!
Kategoria:Tregime të zgjedhura
Në një luginë në afërsi të Mekës, pemët ishin mbledhur dhe po bisedonin.
Duke i lëvizur gjethet për t’u freskuar, një fidan u foli pemëve:
“Sot dita qenka shumë e nxehtë”
Druri i hurmës mu aty afër i tha:
“Po, kështu! Po ç’farë ka këtu për t’u ankuar?”
“Ç’do të thuash me këtë?”, iu përgjigj po me pyetje fidani.
“Pa mendo, kur koha bëhet e nxehtë, nga liqenet dhe detet avullon më shumë ujë dhe Zoti ynë i sjell retë e shiut mbi ne e nga to zbrazet ai shiu aq i dëshiruar. Ne pimë e kënaqemi, por edhe bëjmë një banjë të mirë e pastrohemi!”
Duke i tundur kokrrat e bëra të frutit të tij, druri i misvakut, degët e holla të të cilit njerëzit i shtypnin e i bënin si furçë për të pastruar dhëmbët, tha:
“Hurma foli drejt. Ne vetë nuk mund të shkojmë as në breg të lumenjve, as në breg të liqeneve! Mendoni sikur ne të mund të lëviznim sa andej-këtej! Sa do të frikësoheshin njerëzit!”
Të gjithë qeshën nga këto fjalë!
Druri i misvakut vazhdoi:
“Zoti është shumë i mëshirshëm. I vjen keq për ne dhe na e sjell ujin mu në gojë!”
“Lëre këtë, por kujto që neve na ka dhënë rrënjë më shumë se pemëve që jetojnë në vende me klimë të butë e të lagësht! Prandaj ne mund ta gjejmë ujin edhe në vende që duken krejt të thata ose në thellësi më të mëdha!”, tha hurma.
Fidani buzëqeshte me kënaqësi.
“Edhe unë dua të rritem si ju e të jap fruta. Njerëzit do të hanë e do të kënaqen. Kjo më pëlqen shumë! Njerëzit i dua shumë!”, tha ai.
Druri i hurmës buzëqeshi hidhur:
“Kur isha sa ti, isha shumë i padjallëzuar, mendoja se të gjithë njerëzit janë të mirë, pra dhe doja t’u jepja që të gjithëve për të ngrënë. Por këta idhujtarët e Mekës më kanë dëshpëruar shumë. Nuk dua të hanë nga frutat e mi!”
“Pse, ç’kanë bërë ata?”, pyeti fidani me kureshtje.
“Ti je ende i vogël, s’e di. Ne kemi vite që jemi këtu. Ç’gjëra që ndodhën në Mekë! Para se të mërgonin në Medine, myslimanët jetonin këtu, në Mekë. Aty i kishin tokat, shtëpitë. Idhujtarët u bënë shumë të liga myslimanëve që të hiqnin dorë nga besimi dhe feja e tyre. Më në fund, Profeti Muhamed dhe myslimanët u detyruan të largohen nga vendi. Ata lanë gjithçka që kishin dhe mërguan. Ata ishin gati të bënin çdo lloj vetëmohimi për ta jetuar lirisht besimin dhe fenë e tyre.
Fidani e pyeti:
“Kur ndodhi hixhreti?”
Druri i hurmës bëri një llogari me degët siç bëjmë ne me gishta. Duke menduar se atë kohë ndodheshin në vitin 630, u përgjigj:
“Para tetë vjetësh. Me ç’kam dëgjuar nga udhëtarët që pushojnë nën degët e mia, myslimanët në Medine shtohen dhe forcohen çdo ditë e më shumë. Ata u dëshpërokan shumë që në Qabe paska ende idhuj. Ata dashkan ta shpëtojnë sa më shpejt Qabenë nga kjo gjendje.”
Fidani i hapi gjethet:
“Po pse myslimanët nuk veprojnë menjëherë?”
“Edhe unë ka kohë që jam kureshtar për këtë”, tha druri i misvakut duke i lëkundur degët. “Por kam marrë vesh se mes tyre paska një marrëveshje që i thokan “Marrëveshja e Hudejbijes”. Sipas saj, mes myslimanëve dhe idhujtarëve nuk do të ketë luftë për dhjetë vjet! Ju e dini se me këdo që të kenë të bëjnë, myslimanët e mbajnë fjalën!”
Mes pemëve u bë një qetësi e shkurtër. Ndërkaq, nga larg erdhi fluturim një zog. I lodhur e i këputur, ai u ul mbi një degë të drurit të hurmës.
Drurët dhe pemët mësonin shumë gjëra nga zogjtë e nga shpendët.
“Shumë i lodhur e i uritur dukesh o vëlla zog”, i foli hurma duke ia tundur para syve një degë. “Të qoftë për mbarë, prej nga po vjen?”
Ndërsa hante hurmën, zogu iu përgjigj:
“Nga Medina po vij. Kam një lajm të rëndësishëm për ju.”
Pemët u bënë kureshtare. Ç’mund të ishte ky lajm i rëndësishëm?
Pasi mori pak frymë, u vu të tregonte me emocion:
“Idhujtarët e prishën marrëveshjen. Ata sulmuan një fis mysliman.”
“Ou? A është e vërtetë kjo?”
“Po myslimanët, ç’bëjnë tani?”
“Ushtria islame me Profetin në krye, u mblodh. Plot dhjetë mijë vetë! Janë nisur dhe së shpejti do të arrijnë këtu. Vijnë për ta çliruar Mekën!”
Nga gëzimi i madh, pemët nisën të bërtasin:
“Urra! Rroftë ushtria islame! Profeti Muhamed po vjen këtu!”
Nuk kaloi shumë kohë dhe, në mbrëmje, ushtria islame nisi të vinte në luginën ku ndodheshin pemët që po bisedonin.
Gëzimi i pemëve kishte arritur kulmin. Sapo e panë Profetin Muhamed nga larg, nisën të bërtasin duke i përplasur degët me njëra-tjetrën:
“Ja, ja! Po vjen i Dërguari i Allahut!”
Ushtria islame qëndroi në luginë. Me urdhrin e Profetit, çdo ushtar ndezi një zjarr. Pas pak, e gjithë lugina ishte bërë ditë nga flaka e dhjetë mijë zjarreve!
Pema e hurmës tha:
“Pa shihni! Frika në sytë e idhujtarëve mekas dallohet prej këtu! E kanë kuptuar se Meka është rrethuar!”
Druri i misvakut tha me kënaqësi:
“Pa shihni se ç’bën Allahu? Idhujtarët që gjer disa vite më parë s’lanë të këqija e mundime pa bërë mbi myslimanët, tani i ka zënë frika!”
Në atë mes, disa nga shokët e Profetit kishin ardhur pranë drurit të misvakut. Druri i misvakut i uli degët drejt tyre. Të gjitha pemët ishin gati t’i jepnin të gjitha frutat për myslimanët. Profeti u tha shokëve:
“Merrni e hani nga frutat e pjekur të nxirë të misvakut!”
Shokët i thanë me kureshtje:
“O i Dërguari i Allahut, vetëm barinjtë i njohin frutat e pjekura të kësaj peme. A edhe ti ke ruajtur dhentë?”
“Çdo profet ka qenë bari. Edhe unë në Mekë kam ruajtur dhentë e Ebu Talibit!”, tha Profeti. Kur kish qenë i vogël, ai kishte ndihmuar të ungjin duke ia kullotur bagëtinë.
Pemët ishin shumë të lumtura që patën si miq ushtarët e ushtrisë islame. Kur erdhi koha, ushtria islame u nis drejt Mekës.
Kur ushtria islame po hynte në Mekë, pema e hurmës tha:
“Pa shihni! Profeti po hyn në Mekë i thjeshtë, me kokën përkulur! Ai e falenderon Allahun që e bëri t’i shihte ato ditë. Ai u thoshte shokëve: ‘Po s’iu doli kundër kush, me asnjë njeri nuk do të ndesheni!’”
“Edhe unë po e shoh”, tha druri i misvakut. “Megjithëse në qytet hyri një ushtri aq e madhe, kudo ka qetësi dhe siguri të madhe. Profeti po shkon drejt Qabesë. Shihni tani se si të gjithë me një gojë po thonë tekbir: ‘Allahu ekber, Allahu ekber!’”
Fidani që ende e kishte shtatin të shkurtër, nuk mund t’i shihte ata, por i ndiqte ngjarjet me emocion duke i dëgjuar nga shokët e duke i pyetur vazhdimisht:
“Po tani, ç’po bëhet tani?”
Pema e hurmës tregonte:
“Profeti Muhamed po bën Qabenë tavaf. Tani po fal dy rekate namaz. Ai po jep urdhër të pastrohet Qabeja prej idhujve. Shihni, shihni, cilin idhull të bëjë me shenjë me shkopin që ka në dorë, ai idhull rrëzohet përdhe e bëhet copë-copë.”
Druri i misvakut tha:
“A po e dëgjoni, tani po këndohet ezani. Bilali ka hipur mbi Qabe dhe po këndon ezan. Sa bukur që i vjen zëri!”
Të gjitha pemët u vunë ta dëgjojnë në heshtje dhe mahnitje ezanin.
Kur ezani përfundoi, pema e hurmës tha:
“Unë e njoh Bilalin! Ai ka qenë poshtëruar nga njerëzit sepse është zezak dhe, pasi u bë mysliman, vuajti shumë tortura. Më shumë për të gëzohem që Islami i quan të gjithë njerëzit të barabartë!”
Druri i misvakut rrinte i menduar.
“A e dini, shokë, se për çfarë jam kureshtar? Si do të sillet Profeti Muhamed me idhujtarët që u kanë bërë aq të këqija myslimanëve? Myslimanët që janë sot shumë të fortë, mund t’u bëjnë atyre ç’të duan! Të shohim ç’do të ndodhë!”
“Dëgjoni! I Dërguari i Allahut po u flet njerëzve.”
“Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Vetëm Ai është! Ai e solli në vend premtimin, e ndihmoi robin e vet dhe i shkatërroi armiqtë e bashkuar kundër tij!
O njerëz!
Më i nderuari mes jush para Allahut është ai që e ka më shumë frikë Atë!
O kurejshë! Ç’mendoni tani se kam për të bërë për ju?”
Idhujtarët kurejshë thanë njëzëri:
“Mendojmë se do të na bësh vetëm të mira e dobi!”
Emocioni kishte arritur kulmin. Si do të sillej, vallë, profeti i Allahut ndaj idhujtarëve që kishin bërë aq të këqija? Më në fund, Profeti e tregoi vendimin e vet:
“Allahu ju faltë! Ai është më mëshiruesi i mëshiruesve! Jeni të lirë! Shkoni!”
Pemët kishin mbajtur frymën. Për herë të parë ato shihnin një mirësi të tillë! Sytë u ishin mbushur me lot!
Pema e hurmës tha duke iu dridhur zëri:
“Shihni, o vëllezër e motra! Ai është me të vërtetë profeti i mëshirës. Më i dhembshuri i njerëzve, më i mëshirshmi i njerëzve!”
Druri i misvakut tha:
“Siç duket, për këtë gjë e do Allahu Profetin Muhamed më shumë se njerëzit e tjerë!”
Fidani i pyeti të mëdhenjtë me gëzim:
“Edhe ne, sa më shumë të përpiqemi t’i ngjajmë Profetit e të bëjmë siç na thotë ai, aq më shumë na do Allahu, apo jo?”
“Sigurisht, fidan! Allahu urdhëron në Kuran: ‘Bëj lehtësi, fal dhe këshillo për të mirë!’ Edhe ne të gjithë kështu duhet të sillemi e veprojmë, sepse Profeti Muhamed është mësuesi ynë!”
A e kuptuat ngjarjen?
- A bëjnë të gjitha pemët fruta? Pemët që s’bëjnë fruta ose, siç i quajmë, drurët jofrutorë, a s’vlejnë për gjë?
- Jepni shembuj të mëshirës së Allahut për krijesat e Tij.
- Ç’lajme u sjellin zogjtë pemëve?
- Si e kishte ndihmuar Profeti në vegjëli familjen? Po ju, a e ndihmoni familjen tuaj?
- Si hyn Profeti në qytetin e Mekës? Ndërkaq, idhujtarët në ç’gjendje ndodhen?
- Ç’bën Profeti pasi hyn në Mekë?
- Si është kënduar ezani për herë të parë?
- Mësojeni përmendësh ezanin dhe kuptimin e tij shqip.
- Si sillet Profeti me idhujtarët pas çlirimit të Mekës?
- Diskutoni mbi rëndësinë e faljes në islam.
- Pse i thuhet Profetit tonë, “Profeti i mëshirës”
Kategoria:Tregime të zgjedhura
Ishte bërë drekë dhe koha ishte nxehur mirë. Gjithashtu frynte edhe erë. Ajo era e shkretëtirës që formon ato furtunat prej rëre që i keni dëgjuar. Disa herë ajo bëhet aq e fortë sa merr me vete edhe gurë. Ja, kështu, era kishte grumbulluar shumë guralecë nën trungun e një druri. Guralecët po ndjeheshin ngushtë. Guraleci si në blu u tha atyre që kishte ngjitur që po i ngjisheshin shumë:
“Si shumë u shtuam, o vëllezër, apo jo! Më duket se ju aty sapo erdhët!”, iu drejtua ai disa të tjerëve.
Guraleci në ngjyrë si në të verdhë, ia ktheu duke folur me kërcëllimë:
“Po, po, unë erdha pak më parë. Rroftë e qoftë era që më mori zvarrë nga maja e malit e më solli gjer këtu! Nga ju kemi ju?”
“Unë u shkëputa nga nëna ime, shkëmbi, në të hyrë të qytetit. Ka disa ditë që ndodhem këtu.”
Guraleci i verdhë tha duke i ndritur sytë:
“A e dini, kur ndodhesha në mal, gjithmonë lutesha.”
Guraleci si në blu e pyeti me kërshëri:
“Po pse luteshe?”
“Lutesha të zvogëlohesha edhe më e të bëhesha thërrime, të bëhesha tokë prodhimtare ku të mbinin bar e lule! Sa bukur do të ishte atëherë!”, tha me gjithë zemër guraleci si në të verdhë.
“Dashtë Zoti e t’u plotësoftë kjo dëshirë! Edhe unë dëshiroj të futem në një shtëpi që të bëhem pjesë e jetës së njerëzve!”, shtoi për vete çaklli si në blu.
Që të dy heshtën një copë herë. Heshtjen e prishi guraleci si në të verdhë që pyeti:
“Ç’kemi ndonjë gjë të re këtej?”
“As unë nuk e di saktë!”, tha guraleci si në blu. “Vetëm mund të të them se, që kur kam ardhur në qytet, dëgjoj njerëzit të bërtasin e të grinden me njëri-tjetrin. Duken shumë të zemëruar!”
“Pse, vallë?”, e pyeti guraleci si në të verdhë.
Në këtë mes, duke folur me një zë si bubullimë, trungu u tha guralecëve:
“O fëmijë! E dëgjova bisedën tuaj. Unë ndodhem këtu prej shumë kohësh. Po deshët, ju tregoj.
Guralecët u hodhën me qejf të madh:
“Po, po, duam! Pse janë të zemëruar kaq shumë njerëzit e këtij qyteti?”
Trungu nisi të tregojë:
“A e dini? Ky është qyteti i Mekës dhe këtu ndodhet Qabeja. Ajo është një faltore e shenjtë dhe shumë e çmuar. Por shirat që kanë rënë prej vitesh, rrebeshet, përmbytjet dhe zjarri që ra kohët e fundit, i dëmtuan shumë muret. Qabeja u bë si gërmadhë. Mekasit u shqetësuan shumë dhe vendosën ta meremetonin. Të gjitha fiset do të merrnin pjesë në ngritjen e pjesëve të rrëzuara dhe në meremetimin e pjesëve të dëmtuara. Pastaj të gjithë iu futën punës me dëshirë të madhe.
Guralecit si në blu s’iu durua:
“Ja sa mirë, e meremetokan së bashku! Ç’të keqe ka këtu?”
Trungu buzëqeshi:
“Ki durim, vogëlushi im! Gjer para ca ditësh çdo gjë shkonte mirë, gjersa erdhi puna që Guri i Zi të vihej në vendin e vet. Ja, atëherë nisi grindja.”
Guraleci si në të verdhë tha:
“Ëëëë…! Unë e kam dëgjuar edhe më parë këtë emër nga bisedat e shokëve! Guri i Zi qenka një gur i rënë nga qielli. I thokan meteor, por unë s’e di se ç’do të thotë kjo fjalë! E paska përdorur për herë të parë profeti Ibrahim në ndërtimin e Qabesë.”
Trungu vazhdoi:
“Prandaj mekasit s’po merreshin dot vesh mes tyre. Secili fis kërkonte ta vendoste vetë Gurin e Zi në mur. Këtë gjë ata e quanin një nder të madh.”
Guraleci si në blu u prek.
“Po tani, si do të bëhet? Na ruajttë Zoti, po sikur njerëzit të përfyten me njëri-tjetrin? Sa keq do të jetë!
Duke e hedhur shikimin përtej, trungu tha:
“O djema! Po shoh që njerëzit po mblidhen përsëri.”
Papritmas, aty pranë kaloi me nxitim një kalorës. Guralecët e vegjël bërtitën me të madhe:
“Bobo, ç’po ndodh kështu?”
Pa e mbaruar fjalën, veç kur e panë veten mu pranë grumbullit të njerëzve. Goditja e patkonjve të kalit i kishte hedhur gjer aty. Guraleci si në blu pa përreth dhe tha me gëzim:
“Sa mirë! Tani njerëzit mund t’i vëzhgojmë nga afër.”
Kurse guraleci si në të verdhë e paralajmëroi:
“Shshsht! Fol me zë më të ulët. Shih se si u grumbulluan njerëzit. Të dëgjojmë se ç’do të flasin.”
Guralecët heshtën dhe po dëgjonin me kërshëri të madhe njerëzit që nisën të grinden. Grindja e tyre sa vinte e bëhej më e ashpër.
“Gurin e Zi do ta vëmë ne në vend!”
“Jo, ne!”
“Vdesim dhe nuk heqim dorë!”
“As ne!”
Mu atë kohë, njëri prej pleqve, Ebu Umeje, tha:
“O kurejshë! Kam një propozim! Njeriun e parë që do të hyjë nga porta e faltores, ta bëjmë gjykatës. Ç’të thotë ai, të bëjmë!”
Të gjithë e pranuan këtë propozim me mend. Të gjithë të pranishmit, edhe guralecët, nisin të presin me kërshëri: vallë, kush do të hynte i pari?
Pa shkuar shumë, panë që larg se dikush po vinte. Ishte i riu Muhamed. që njihej si njeri i besueshëm. Për këtë, kishte kohë që populli i Mekës e kishte mbiquajtur “Emin”, i Besueshmi! Nuk kishte as dhe një njeri të vetëm që të mendonte ndryshe për të. Në atë kohë, ai ishte tridhjetë e pesë vjeç. Ende nuk ishte bërë profet.
“Emini, Emini po vjen!”, bërtitën me gëzim të gjithë.
Muhamedi hyri nga dera e faltores dhe u afrua te grumbulli i njerëzve. Ata i thanë me një zë:
“Të kemi zgjedhur gjykatës! Do të bëjmë si të thuash ti!”
Muhamedi buzëqeshi.
“Më sillni një mbulesë!”, u tha njerëzve.
Menjëherë ia sollën. Ai e mori mbulesën, e shtriu për tokë, pastaj e mori Gurin e Zi dhe e vendosi mu në mes të saj. Pastaj u drejtua nga njerëzit:
“Të dalë një njeri për çdo fis e ta zërë mbulesën nga një cep.”
Ashtu bënë. E bartën Gurin e Zi së bashku gjer te muri. Aty, Muhamedi e mori vetë Gurin e Zi dhe e vendosi në vendin e vet, në atë vend ku e pati vënë i pari, profeti Ibrahim.
Të gjithë mbetën të kënaqur!
Guraleci si në blu iu drejtua shokut:
“Ç’njeri i mirë Muhamedi! Kur të gjithë ishin gati të përfyteshin me njëri-tjetrin, e gjeti mënyrën për t’i pajtuar pa i bërë padrejtësi askujt. Njerëzit kanë shumë gjëra për të mësuar prej tij, apo jo?!”
Guraleci si në të verdhë i tha:
“Ke të drejtë! Edhe sikur të kenë mend sa ne, e kuptojnë se Muhamedi është një njeri i veçantë!”
Njerëzit iu vunë punës sërish. Meremetimi i Qabesë mbaroi brenda një kohe të shkurtër. Mënyra si e zgjidhi Muhamedi ngatërresën, pengoi luftën mes fiseve dhe gjakderdhjen!
Ç’kuptuat nga kjo ngjarje?
- Ç’dini mbi Gurin e Zi dhe veçoritë e tij?
- Pse lindi mosmarrëveshja mes mekasve?
- Si u zgjidh ajo?
- Ç’do të thotë “emin”?
- 5. Kërkoni të mësoni se ç’rëndësi i jep feja islame paqes!
Kategoria:Tregime të zgjedhura
Vapa e mesditës po ndihej gjithnjë e më shumë. Lëvizjet ishin pakësuar. Të tërhequr nëpër fole ose në vende të freskëta, kafshët po e kalonin vapën duke dremitur. Kudo sundonte heshtja.
Edhe Elefanti i Madh ishte shtrirë nën një pemë të gjerë. Ai po pushonte duke pritur të kalonte vapa. Herë pas here mblidhte rërë me feçkë dhe ia lëshonte kurrizit. Kështu ai bënte banjo rëre dhe pastronte kurrizin nga insektet.
Pasi mbaroi banjon, Elefanti i Madh hodhi një vështrim me bisht të syrit përreth: drurë të mëdhenj, shkurre, pemë të reja dhe plot gjelbërim. Pak më parë Elefanti i Madh kish ngrënë me qindra kilogram bimë dhe ishte ngopur mirë, por ç’e do se kishte kohë pa pirë ujë dhe tani e kish marrë etja.
Përreth s’dukej as lumë e as ndonjë pellg uji. Elefanti ngriti feçkën lart dhe nuhati ajrin. Feçka e tij e fuqishme me të cilën mund të shkulte nga vendi drurë të mëdhenj, ishte po aq e ndjeshme sa të nuhaste kundërmimin e ujit që shumë larg përtej.
“Hëmmm…”, foli Elefanti me feçkën. “Pas kësaj kodre vjen kundërmim uji!”
Duhej të shkonte atje. Sapo do të ngrihej në këmbë, u dëgjua një zë i hollë që vinte nga lart pemës nën të cilën kishte ndenjur shtrirë gjer tani:
“Ej, xhaxha elefant, a po më dëgjon pak?”
Elefanti plak e ktheu kokën rëndë-rëndë sa andej-këtej, por s’pa gjë. Kush po i bënte zë, vallë?
“Këtu, këtu jam!”
Elefanti plak e hodhi vështrimin lart. Mbi degën mu mbi kokë po rrinte një ketër i vogël. Dukej shumë i këndshëm me atë bishtin ngjyrë kafe të madh sa ç’ishte vetë dhe me sytë që i shkëlqenin. Ndërsa brente arrën që e mbante me njërën dorë, buzëqeshte ëmbëlsisht.
“A ti je, more vogëlush, që më fole mua? Ç’do?”
“Xhaxhi elefant”, i foli tani më me përkëdheli ketri elefantit plak, “të pashë se si i more erë ajrit pak më parë. Më ka thënë mami se ju, elefantët, mund ta ndjeni ujin nga një largësi e madhe.”
“Posi! Jo vetëm kaq! Me këta veshë të mëdhenj, ne mund ta dëgjojmë edhe shushurimën e ujit!”
“Oh, sa mirë!”
“Po, po! Kjo aftësi ka një vlerë shumë të madhe për ne. Po të mos na e kishte falur Zoti këtë të mirë, mund të them se do ta kishim të pamundur të jetonim. Po të mos e ndjenim nga shumë larg se ku ka ujë, për ne do të ishte shumë e vështirë të vraponim me gjithë këtë trup të madh që kemi me orë ose ditë të tëra në kërkim të ujit! Zoti është me të vërtetë shumë i mëshirshëm!”
Me sytë që tani po i shkëlqenin edhe më shumë, ketri i tha elefantit:
“Zoti i do shumë ata që ndihmojnë të tjerët, sidomos atyre që janë më të pfuqishëm, apo jo!”
“Posi, ashtu është, ketrush!”
I përkëdhelur, ketri u hodh:
“E, pra, xhaxho, merrmë edhe mua te burimi i ujit që edhe ty Zoti të të dojë më shumë! Oh, sa më ka marrë etja!”
Elefanti plak qeshi me gjithë zemër! E qeshura e tij e fuqishme buçiste nga feçka e gjatë që ai e përdorte si bri. “Qenka ketër i zgjuar, mistreci!” – mendoi elefanti plak.
“Eja, hipmë mbi kurriz!”, i thirri ketrit.
“Pse të të mundoj?”, i tha ketri. “Po vij më këmbë!”
“Jo, more, ç’mundim thua!”, ia ktheu elefanti. “Ti je aq i vogël, aq i vogël, sa një thua! Pa le që më bën edhe shoqëri!”
Ketri i vogël u hodh me shkathtësi nga dega drejt e mbi kurrizin e elefantit.
“Faleminderit, xhaxho!”
“S’ka gjë, vogëlush!”, ia ktheu elefanti.
Dhe u vunë në udhë që të dy drejt vendit ku kishte ujë. Kishin gjithë atë rrugë përpara. Do t’u duhej t’i ngjiteshin asaj maje e të zbrisnin në anën tjetër!
Ketri i vogël i foli elefantit plak me zërin e tij të hollë prej ketri:
“Po deshe, prezantohemi! Mua më thërrasin Ketrush. Po ty si të quajnë?”
“Elefanti Plak.”
“Ooo”, e zgjati zërin me habi Ketrushi duke i hapur edhe sytë sikur të donte të sigurohej se elefanti mbi kurrizin e të cilit po udhëtonte, ishte ai për të cilin kishte dëgjuar aq gjëra të çuditshme. “Ti je ai elefanti i famshëm?”
Elefanti Plak qeshi.
“Po!”, tha. “Edhe ti paske dëgjuar për mua!”
Ketrushi ishte prekur. Zemra e vockël i rrihte fort nga gëzimi dhe krenaria për mikun e madh.
“E kush nuk të njeh ty, o Elefanti Plak! Historia jote kalon gojë më gojë te kafshët. Sa do të desha ta dëgjoj tani nga goja jote!”
Duke u çapitur rëndë-rëndë e duke i lëvizur veshët e mëdhenj si freskore, Elefanti Plak i tha Ketrushit:
“Posi! Edhe rrugën e kemi të gjatë!”
Pasi mori frymë thellë, Elefanti Plak nisi të tregonte:
“Shumë vite më parë unë merrja pjesë në ushtrinë e Negusit, sundimtarit të Etiopisë. Tani jam plakur, por atëherë isha elefanti më i madh e më i fuqishëm në botë!
Mua më përdornin në luftë. Ja, si tanket e sotëm! Një ditë prej ditësh, më përgatitën sërish për luftë, por jo me ushtrinë tonë. Unë do prija në ushtrinë e Ebrehesë.”
“Kush ishte ky Ebreheja?”, pyeti Ketrushi.
“Guvernatori i Jemenit!”
“Ç’njeri ishte ai?”
“I keq, shumë i keq!”, foli me përbuzje për të Elefanti Plak. “Siç pata dëgjuar, nuk e duronte dot që njerëzit shkonin turma-turma në Qabe për pelegrinazh. Për ta penguar këtë, ai kishte ndërtuar një tempull të madh, të bukur e të stolisur me ar e argjend. Por ja që njerëzit s’donin të shkonin te tempulli i tij! Kurse numri i vizitorëve të Qabesë shtohej çdo ditë e më shumë! Kur arabët e kishin marrë vesh qëllimin e Ebrehesë, ishin zemëruar shumë. Njëri prej tyre kishte shkuar një natë dhe e kishte dëmtuar tempullin. Ebreheja ishte egërsuar. Ai ishte betuar:
“Arabët ma bënë këtë se nuk e dua faltoren e tyre! Po edhe unë s’do të rri. Gur mbi gur s’kam për të lënë në Qabe!”
“O Zot, ç’njeri i keq që paska qenë!”, tha me hidhërim Ketrushi.
“Në atë kohë, prijësi i fisit Kurejsh të Mekës ishte Abdulmutalibi.”
“Ashtu? Gjyshi i Profetit Muhamed?”, pyeti i habitur Ketrushi.
“Ai vetë! Muhamedi nuk kishte lindur ende. Kur i ishin afruar Mekës, Ebreheja i kishte çuar fjalë me përfaqësuesin e vet Abdulmutalibit se kishte ardhur për ta shembur Qabenë.”
“Po Abdulmutalibi ç’i kishte thënë?”
“I kishte thënë se faltorja e Qabesë ishte shtëpia e Allahut, siç e quanin të gjithë, dhe se Ai do ta mbronte. Pastaj Abdulmutalibi i kishte kërkuar përfaqësuesit të Ebrehesë t’ia kthente dyqind devetë që ia kishin rrëmbyer ushtarët e tij disa ditë më parë kur po kullosnin në fushë.
Ebrehenë e kishin çuditur shumë fjalët e Abdulmutalibit që, në vend që të shqetësohej për Qabenë që do të shembej, e t’i dilte për zot si prijës i fisit që ishte, shqetësohej për devetë! Abdulmutalibi kishte thënë atëherë ato fjalë që do të mbeteshin në histori:
“Unë jam i zoti i deveve, kurse i zoti dhe mbrojtësi i Qabesë është Allahu. Ai ka për ta mbrojtur Qabenë!”
Ebreheja e rreshtoi ushtrinë për të hyrë në qytet.”
“Po populli, ç’bëri?”, ia ndërpreu Ketrushi fjalën Elefantit Plak.
“Populli u largua nga qyteti për në kodrat përreth dhe vende të tjera të sigurta. Qyteti i Mekës u zbraz krejt.”
“Po ti, ç’bëre, o Elefanti Plak?”
“Unë ndodhesha, si gjithmonë, në krye të ushtrisë. Kur ushtria do të nisej, më erdhi pranë udhërrëfyesi, Nufejli, dhe më pëshpëriti në vesh:
“Ulu e mos lëviz vendit në daç të kthehesh që këtej shëndoshë e mirë! Këtu është qyteti që Allahu e ka quajtur të shenjtë!”
Unë e kuptova menjëherë se si qëndronte puna. Mua donin të më përdornin për qëllime të mbrapshta! Dhe u ula menjëherë për tokë.”
“Mirë, po ushtarët, a s’u përpoqën të të ngrinin në këmbë?”
“Sa shumë u munduan, thuaj, Ketrush! Ushtria kishte edhe elefantë të tjerë, por unë duhej të prija. Ata s’mund të bënin asnjë hap pa mua! Por pa dobi! Kur më kthenin nga Qabeja, s’lëvizja nga vendi, kurse, kur më kthenin në drejtim të kundërt, ngrihesha menjëherë për të ikur! Ata s’po kuptonin asgjë. S’kishte ndodhur kurrë më parë kështu me mua!”
Ketrushi kishte çapëlyer sytë e dëgjonte me kureshtje të madhe.
“Mu në mes të këtyre përpjekjeve, ndodhi më e madhja.”
“Ç’ndodhi?”, s’iu durua Ketrushit.
“Për një çast, qiellin e mbushën shpendë të egër që u thonë “Ebabil”. Secila kishte nga një gur në sqep e në të dy këmbët. Shpendët zbrisnin poshtë me shpejtësi e i lëshonin gurët mbi ushtarët e Ebrehesë. Ushtari që e qëllonte guri, rrëzohej i vdekur në vend!”
“Po Ebreheja?”
“Edhe atë e goditi një gur dhe vdiq!”
“Po ti, si shpëtove?”
“Ç’të të them? Mbi mua s’u lëshua asnjë shpend, s’ra asnjë gur. Dhe ja tek më ke gjallë këtu, para sysh!”
“Po pastaj?”
“Pasi u larguan shpendët, ia nisi një shi me rrebesh. Rrëketë e ujit i morën me vete kufomat e i lëshuan në det. Vendi u pastrua si më parë. A e di, o Ketrush, se për këtë ngjarje bëhet fjalë edhe në Kuran? E kam dëgjuar me veshët e mi! Ja, se si përshkruhej ajo ngjarje e mahnitshme.
Zoti i drejtohej Profetit Muhamed:”
“A nuk e ke parë s se ç’bëri Zoti yt me pronarët e elefantëve! A s’bëri që të dështojnë planet e tyre? Lëshoi mbi ta zogj tufa-tufa që i qëllonin me gurë prej argjile të pjekur. Dhe e bëri ushtrinë e tyre si një arë të lashtash të shkelur e të copëtuar!”
Ketrushi që e kishte ndjekur rrëfimin e Elefantit Plak pa e lënë t’i shpëtonte asnjë hollësi, e kishte kuptuar se Allahu i ndëshkonte të këqijtë, ndërsa të mirët i mbronte!
“Të faleminderit shumë, Elefanti Plak”, i tha ai elefantit. “Kurrë s’kam për ta harruar këtë ndodhi!”
Ndërkaq ata kishin arritur te uji. Atje pinë gjersa u ngopën dhe e falënderuan Allahun, që u falte shumë të mira e i mbronte!
Tanimë Elefanti Plak dhe Ketrushi ishin bërë miq të ngushtë!
Ç’kuptuat nga kjo ndodhi?
- Si e gjente Elefanti i Madh se ku kishte ujë?
- A ia ka dhënë Zoti çdo gjallese gjërat për të cilat ka nevojë?
- Përse e ndihmon Elefanti i Madh Ketrushin?
- Ç’dini mbi Qabenë?
- Kush është Ebreheja?
- Pse e ndëshkoi Allahu Ebrehenë?
- Si shpëtoi Elefanti i Madh nga gurët e shpendëve të egër Ebabil?
- Ç’bënë Ketrushi dhe Elefanti i Madh pasi pinë ujë?
- Po ju, a e falënderoni Allahun, Zotin tuaj, për të mirat që ju ka dhënë?
Kategoria:Tregime të zgjedhura