Category: Zbavitje

Kazani lindi
Kazani lindi

Një ditë Nastradini kërkoi nga fqinji një kazan. Kur e mbaroi punën që kishte, brenda kazanit vendosi një tenxhere dhe ia ktheu përsëri komshiut. Komshiu pa tenxheren dhe pyeti:

– Po kjo çfarë është Nastradin?

– Ç’e pyet, – tha Nastradini, – kazani kishte qenë me barrë, pra kazani yt lindi.

Komshiut iu bë qejfi nga kjo situatë dhe e mori kazanin bashkë me tenxheren.

Pas ca ditësh Nastradini i kërkoi kazanin të njëjtit fqinj. Kaloi shumë kohë dhe Nastradini nuk ia ktheu komshiut kazanin. Më në fund, ky vendosi të shkonte në shtëpinë e Nastradinit dhe të kërkonte kazanin. Nastradini i mërzitur në fytyrë i tha:

– Ah, komshi, ah! Të rroni vetë se kazani …

– O Nastradin, çfarë po thua? A vdes kazani?

– O fqinji im i dashur! Ti besove se kazani lindi dhe tani nuk po beson se kazani vdiq?!

U fsheha nga turpi
U fsheha nga turpi

Në shtëpinë e Nastradinit kishte hyrë hajduti. Nastradini u fsheh menjëherë në dollap. Hajduti pa gjithandej nëpër shtëpi, por nuk gjeti asgjë që ia vlente për t’u vjedhur. Ndërkohë, me shpresën se mos gjente ndonjë gjë në dollap, e hapi dhe sheh se brenda ishte fshehur Nastradini:

– Po ti, ç’bën këtu?

Nastradini më një zë të lehtë dhe plot frikë i përgjigjet kokulur:

– E dija që nuk do të gjeje asgjë për të vjedhur dhe u fsheha nga turpi!

Po vrapoka nga shiu
Po vrapoka nga shiu

Një ditë, po binte një shi rrebesh dhe Nastradini po vështronte rrugën nga dritarja. Në atë çast syri i zuri njërin nga shokët që po vraponte për në shtëpi. Nastradini e hapi dritaren dhe i thirri:

– Turp të kesh, ore mik! A vrapon kështu një burrë me mend në kokë dhe i mençur si ti, përballë asaj që ka falur Zoti?!

I shkreti burrë i dha të drejtë në vetvete Nastradinit dhe filloi të ecte dalëngadalë, por u lag kokë e këmbë. Atëherë e kuptoi lojën që i bëri Nastradini. Pas shumë kohësh, një ditë me shi, pa Nastradinin që po vraponte për në shtëpi, dhe deshi të hakmerrej për lojën që i pati bërë dikur.

– Nastradin, Nastradin! Pse po ikën kështu nga ajo që ka falur Zoti? A nuk është turp për ty?!

Nastradini nuk e ndryshoi aspak vrullin dhe duke vrapuar i ktheu përgjigje:

– Jo, ore! Nuk po i largohem, përkundrazi, po vrapoj që të mos shkel atë që po na sjell Zoti.

Patkoi
Patkoi

Dikush që mendonte se patkoi u sjell fat njerëzve, e pyet Nastradinin:

– Nastradin, patkoi sjellka fat, si thua, mos vallë quhet mëkat po të varim një të tillë tek dera?

Nastradini e dinte mirë se gjëra të tilla ishin bestytni të rreme.

– Nëse sjell fat, vendose! – i tha. – Por për mendimin tim nuk është ashtu, sepse kuajt kanë katër patkonj dhe megjithatë nuk më duket se janë me fat, përkundrazi janë të panumërta goditjet që marrin me kamzhik, pesha që mbajnë dhe rruga ku ecin.