Deveja dhe miu

DEVEJA DHE MIU

Një miush i vockël kishte marrë frerët e një deveje dhe po ecte ngadalë-ngadalë dhe i krekosur. Teksa deveja po vazhdonte rrugën e saj, e qetë, siç e kanë zakon devetë, miu mburrej herë pas here, duke ia përsëritur vetes këto fjalë:

– Paskam qenë me të vërtetë një hero!

Deveja që e kuptoi qëndrimin e tij, vendosi t’i jepte një mësim të mirë këtij miushi mistrec.

Pas pak, përpara u kishte dalë një lumë aq i gjerë sa as një elefant nuk mund ta kalonte dot. Miu ngeli i shtangur përpara këtij lumi të stërgjerë.

Sakaq deveja zuri të tallej me miun:

– Pse u ndale o mi, që më ke bërë shoqëri si në shkretëtirë, dhe në mal? Pse rri ashtu i habitur. Çaje këtë lumë mespërmes dhe vazhdo udhërrëfimin që nise. Mos e lër rrugën në mes. Pse hesht?

– Ky lumë është shumë i gjerë dhe jashtëzakonisht shumë i thellë. Kam frikë se mos mbytem o bashkudhëtarja ime, – ia ktheu miu.

– Prit, pa ta shohim sa i thellë është, – dhe sakaq futi njërën prej këmbëve të saj duke u kthyer nga miu, – Ah more mi qorr, uji deri në lartësinë e gjurit ardhka, ti pse e humbe plotësisht?

– O deve, ajo çka juve ju duket si milingonë, neve na duket sikur të ishte dragua. Gjunjtë ndryshojnë nga njëri te tjetri. Me të vërtetë që uji ty të vinte deri në kupën e gjurit, por ai ujë për mua është aq i thellë sa më mbulon të tërin, dhe mbytem.

– Atëherë mos u trego më asnjëherë i paturp duke u munduar të dukesh më i madh sesa je!… Mundohu të konkurosh vetëm me minjtë e tjerë si ty. Mos u lodh kot të barabisësh madhësinë me devetë, – e paralajmëroi deveja, me synimin që t’i jepte një mësim të mirë të fundit këtij miu.

Miu, që po i vinte turp prej gjendjes në të cilën ndodhej, u pendua dhe më së fundi iu drejtua devesë me këto fjalë:

– Për hir të Zotit, të përgjërohem, merrmë dhe mua matanë këtij lumi vrasës, se mund të mbytem.

– Eja, hip mbi shpinën time, ulu aty në një prej gungave të mia, e të të kaloj përtej. Vetëm unë mund ta kaloj këtë ujë. Sa e sa prej jush kam kaluar matanë deri më tani, – ia ktheu deveja, së cilës iu dhimbs miu, duke e marrë mbi kurrizin e saj për ta kaluar përtej lumit.

“Meqë nuk qenke mbret, atëherë bëhu rob!… Meqë as kapiten nuk qenke, më mirë mos u mundo të drejtosh anije.”