Dita që lindi Profeti Muhamed (14)

DITA QË LINDI PROFETI MUHAMED

Ndodhitë e mrekullishme që nisën të ndodhnin në kohën e lindjes së Profetit nuk ishin të kufizuara vetëm brenda shtëpisë. Edhe në qiell po ndodhnin gjëra të çuditshme. Në Mekë jetonte një dijetar që merrej me shkencën e yjeve. Natën që lindi Profeti, atij i kishte bërë përshtypje një yll i ri, të cilin nuk e kishte parë kurrë më parë. Në mëngjes ai filloi t’u zinte rrugën Kurejshëve duke i pyetur:

-“A ju ka lindur mbrëmë ndonjë djalë në lagjen tuaj?”

-“Nuk e dimë”, – i thoshin ata.

-“Atëherë shkoni menjëherë dhe pyesni”, – i porositi ai, – “sepse dje kam parë yllin e lindjes së Profetit të fundit të Njerëzimit. Në shpinë Ai ka një shenjë që i takon pikërisht profetit të fundit.”

Kurejshët pyetën gjithandej dhe u kthyen përsëri tek dijetari hebre duke i thënë:

-“Dje ka lindur djali i Abdullahut, madje e ka edhe shenjën që ju na treguat.”

Hebreu që nuk donte t’u besonte veshëve deshi të shkonte e ta shikonte këtë fëmijë me sytë e tij. U bë si i çmendur kur e pa edhe shenjën me sytë e tij. U largua prej andej me vrap dhe bërtiste:

-Kurejshëve do t’u vijë një shtet i atillë që zëri do t’i shkojë prej skajit të Lindjes deri në atë të Perëndimit. Profetësia iku prej hebrenjve. Iku.

Pas lindjes, lajmi i mirë iu dërgua edhe gjyshit të foshnjës. Abdulmutalibi, i cili gjendej nëpër Qabe në atë kohë, me të dëgjuar këtë sihariq, rendi menjëherë drejt shtëpisë. E mori fëmijën në krahë dhe zuri ta puthte me dashuri. E mori fëmijën me gjithë djep dhe shkoi me të në Qabe për të falenderuar Allahun. Kur u kthye, nëna jonë Amina i tregoi për ëndrrën në lidhje me vendosjen e emrit të fëmijës, ndaj dhe e quajti Muhamed fëmijën e saj.

Një tjetër ngjarje që ndodhi teksa po lindte Profeti ynë i Nderuar ishte edhe shkatërrimi i katërmbëdhjetë shtyllave të pallatit mbretëror të persëve. Kisra, mbreti i tyre, së bashku me popullin e tij, pritën agimin për të mësuar se çfarë kishte ngjarë gjatë asaj nate. Kur u zgjuan, panë se katërmbëdhjetë shtyllat e pallatit ishin rrëzuar. Kisra mendoi të thërriste tempullarët e tij që t’i shpjegonin se pse kishin ndodhur të gjitha këto. Sapo ishin mbledhur priftërinjtë, kur ia behu një lajmëtar. Ai kishte ardhur të lajmëronte se ishte shuar zjarri, të cilin e adhuronin persët dhe që kishte shekuj të tërë që nuk shuhej. Kisra, me sytë e zmadhuar prej çudisë, iu drejtua kryepriftit:

-Ç’do të thonë të gjitha këto?

Kryeprifti, i cili së afërmi kishte parë një ëndërr, ktheu këtë përgjigje:

-Kam përshtypjen se në vendet arabe do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme.

Pastaj, me të pyetur, ata gjetën një vend, ku mund t’i jepnin përgjigje gjithë këtyre gjërave që po ndodhnin. Ky ishte një magjistar sirian me emrin Satiha, i cili nuk kishte kocka dhe e kishte kokën shumë më sipër trupit të tij.

Përgjigja e tij ishte e qartë dhe e shkurtër:

-Do të nisë të zbresë kumtim prej qiellit me ardhjen e profetit të fundit, ndërsa Perandoria Perse, pas Perandorit të XIV, do të fshihet nga Historia.

Me të vërtetë, pas kësaj ndodhie kaluan plot gjashtëdhjetë e shtatë vjet. Për sa kohë që në krye të vendit ishte Kisra i katërmbëdhjetë, fjalët e Satihut dolën të vërteta dhe pa asnjë lloj mangësie.

Përveç këtyre, atë natë u thyen edhe shumë idhuj që gjendeshin në Qabe duke u rrëzuar vetvetiu. Saora, u panë gjithashtu që prej qiellit binin yje me tufa. Aq shumë, sa disa njerëz menduan se këto yje do t’u binin njerëzve mbi koka.