
DYSHIMI I MËSUESIT
Një ditë prej ditësh, nxënësit e shkollës, të lodhur shumë prej mësuesve të tyre, ishin mërzitur së tepërmi edhe me vetë shkollën. Atyre as që u shkohej më atje. U mblodhën të gjithë disa herë për të bërë plane se si do të mund të largoheshin prej shkollës.
– Sikur të sëmurej për ca kohë ky mësuesi, e të shpëtonim, të paktën për ka kohë, nga kjo torturë. Të qëndronim paksa larg prej kësaj biruce të errët dhe të ngushtë, që të merr frymën, – mendonin ata.
Njëri prej tyre kishte një mendim të artë. Me të hyrë në mësuesi në klasë ai do të ngrihej në këmbë duke thënë: “Mësues, pse jeni zverdhur kështu? Çfarë ju ka gjetur. Kjo duhet të jetë sepse, ose jeni ftohur, ose ju ka rënë kolera”, fjalë këto që do t’i përsëritën me radhë, sipas planit, të tridhjetë nxënësit e klasës.
Kështu, mësuesi nuk do të duronte më tej, duke i shpërndarë të gjithë sakaq nëpër shtëpitë e tyre. Me këtë rast, ata që shpëtonin do të ishin nxënësit, pasi kishin ditë të tëra që nuk u rrihej më në shkollë…
Nxënësit iu betuan njëri-tjetrit që sekretin e përbashkët nuk do t’ia tregonin askujt në këmbim të asgjëje.
Në mëngjes, tek hyri mësuesi i orës së parë, njëri prej nxënësve u hodh përpjetë, duke thënë:
– Ç’keni kështu, zoti mësues? Qenkeni shumë i verdhë në fytyrë.
– Jo, asgjë. Nuk mendoj se jam sëmurë, pasi nuk kam kurrfarë dhimbjeje. Shko e ulu menjëherë në vendin tënd, e mos fol gjepura! – e paralajmëroi ai nxënësin e tij zevzek.
Megjithëse mësuesi u përpoq t’i bindte se nuk kishte asgjë, në brendësi të zemrës kishte filluar t’i lindte një dyshim sado i vockël. Saora, iu afrua një tjetër nxënësi, i cili i tha:
– Të shkuara, zoti mësues! Qenkeni zverdhur tmerrësisht shumë.
Pas tij erdhën edhe shumë të tjerë që ta ngushëllonin për sëmundjen që e kishte kapur. Dyshimet përbrenda tij shtoheshin nga dita në ditë, saqë arriti një pikë që ai po mendonte me të vërtetë se mund të ishte i sëmurë. Madje kishte filluar të ndiente dyshim edhe për dashurinë e gruas së tij, pasi ajo nuk ia dallonte sëmundjen, mbi të gjitha e niste në punë ashtu të sëmurë.
Mësuesi, i cili filloi ta ndiente me të vërtetë veten të topitur dhe të sëmurë, ashtu çalë-çalë filloi të ecte në drejtim të shtëpisë. Nxënësit po e ndiqnin të tërë nga pas.
Kur mbërriti në shtëpi, përpara i doli gruaja, e cila e pyeti:
– Çfarë ka ndodhur? Pse erdhe kaq herët sot? Mos të ka ndodhur ndonjë gjë e keqe?
I gjori burrë, ashtu, i bindur se ishte me të vërtetë i sëmurë tashmë, ia ktheu:
– Mos ke humbur gjë shikimin ti? Nuk më shikon se në ç’gjendje jam? A nuk e sheh se ç’ngjyrë më ka marrë fytyra? Edhe të tjerët po tregohen më të kujdesshëm ndaj meje, ndërsa ti as që vë re asgjë.
– Ti nuk ke kurrfarë sëmundjeje. Mjaft vazhdove të thuash veç gjepura, – iu gjegj e shoqja, e cila nuk po e bindte dot të ndërronte mendje prej kësaj marrëzie.
Burri i mjeruar vazhdonte të dridhej dhe me mendimin e fiksuar se ishte zverdhur krejt në fytyrë, ra në shtrat duke dhënë kujën.
Nxënësit i rrinin tek koka, duke vendosur që do të rrinin aty për t’i kryer mësimet. Nxënësi i mençur që kishte dhënë këtë zgjidhje të zgjuar, këtë herë i paralajmëroi nxënësit që të tregoheshin të qetë.
– Zhurma jonë do ta lodhë së tepërmi mësuesin tonë të dashur, prandaj unë them që më mirë të largohemi, – bërtiti ai. Edhe mësuesit i pëlqeu shumë mendimi i këtij djali, prandaj i kërkoi nxënësve që të largoheshin për në shtëpitë e tyre.
Nxënësit u kthyen, të gjithë, shend e verë për në shtëpitë e tyre. Gjatë rrugës ata organizonin lojëra për të gëzuar mbi zgjidhjen që i kishin gjetur problemit të shkollës. Mirëpo, ata nuk ia arritën dot që t’i bindnin prindërit e tyre, se mësuesi i tyre ishte sëmurë. Nënat dhe baballarët, të merakosur mos fëmijët e tyre i kishin gënjyer, vendosën që ditën tjetër, herët në mëngjes, të shkonin për t’i bërë një vizitë mësuesit. Ata e gjetën mësuesin ende duke u dridhur nga vuajtjet që i shkaktonte “sëmundja” që e kishte kapluar…
“Nëse njeriu fiksohet tërë pasion pas diçkaje, nuk ka më mundësi të mendojë për tjetër gjë.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi