Vapa e mesditës po ndihej gjithnjë e më shumë. Lëvizjet ishin pakësuar. Të tërhequr nëpër fole ose në vende të freskëta, kafshët po e kalonin vapën duke dremitur. Kudo sundonte heshtja.
Edhe Elefanti i Madh ishte shtrirë nën një pemë të gjerë. Ai po pushonte duke pritur të kalonte vapa. Herë pas here mblidhte rërë me feçkë dhe ia lëshonte kurrizit. Kështu ai bënte banjo rëre dhe pastronte kurrizin nga insektet.
Pasi mbaroi banjon, Elefanti i Madh hodhi një vështrim me bisht të syrit përreth: drurë të mëdhenj, shkurre, pemë të reja dhe plot gjelbërim. Pak më parë Elefanti i Madh kish ngrënë me qindra kilogram bimë dhe ishte ngopur mirë, por ç’e do se kishte kohë pa pirë ujë dhe tani e kish marrë etja.
Përreth s’dukej as lumë e as ndonjë pellg uji. Elefanti ngriti feçkën lart dhe nuhati ajrin. Feçka e tij e fuqishme me të cilën mund të shkulte nga vendi drurë të mëdhenj, ishte po aq e ndjeshme sa të nuhaste kundërmimin e ujit që shumë larg përtej.
“Hëmmm…”, foli Elefanti me feçkën. “Pas kësaj kodre vjen kundërmim uji!”
Duhej të shkonte atje. Sapo do të ngrihej në këmbë, u dëgjua një zë i hollë që vinte nga lart pemës nën të cilën kishte ndenjur shtrirë gjer tani:
“Ej, xhaxha elefant, a po më dëgjon pak?”
Elefanti plak e ktheu kokën rëndë-rëndë sa andej-këtej, por s’pa gjë. Kush po i bënte zë, vallë?
“Këtu, këtu jam!”
Elefanti plak e hodhi vështrimin lart. Mbi degën mu mbi kokë po rrinte një ketër i vogël. Dukej shumë i këndshëm me atë bishtin ngjyrë kafe të madh sa ç’ishte vetë dhe me sytë që i shkëlqenin. Ndërsa brente arrën që e mbante me njërën dorë, buzëqeshte ëmbëlsisht.
“A ti je, more vogëlush, që më fole mua? Ç’do?”
“Xhaxhi elefant”, i foli tani më me përkëdheli ketri elefantit plak, “të pashë se si i more erë ajrit pak më parë. Më ka thënë mami se ju, elefantët, mund ta ndjeni ujin nga një largësi e madhe.”
“Posi! Jo vetëm kaq! Me këta veshë të mëdhenj, ne mund ta dëgjojmë edhe shushurimën e ujit!”
“Oh, sa mirë!”
“Po, po! Kjo aftësi ka një vlerë shumë të madhe për ne. Po të mos na e kishte falur Zoti këtë të mirë, mund të them se do ta kishim të pamundur të jetonim. Po të mos e ndjenim nga shumë larg se ku ka ujë, për ne do të ishte shumë e vështirë të vraponim me gjithë këtë trup të madh që kemi me orë ose ditë të tëra në kërkim të ujit! Zoti është me të vërtetë shumë i mëshirshëm!”
Me sytë që tani po i shkëlqenin edhe më shumë, ketri i tha elefantit:
“Zoti i do shumë ata që ndihmojnë të tjerët, sidomos atyre që janë më të pfuqishëm, apo jo!”
“Posi, ashtu është, ketrush!”
I përkëdhelur, ketri u hodh:
“E, pra, xhaxho, merrmë edhe mua te burimi i ujit që edhe ty Zoti të të dojë më shumë! Oh, sa më ka marrë etja!”
Elefanti plak qeshi me gjithë zemër! E qeshura e tij e fuqishme buçiste nga feçka e gjatë që ai e përdorte si bri. “Qenka ketër i zgjuar, mistreci!” – mendoi elefanti plak.
“Eja, hipmë mbi kurriz!”, i thirri ketrit.
“Pse të të mundoj?”, i tha ketri. “Po vij më këmbë!”
“Jo, more, ç’mundim thua!”, ia ktheu elefanti. “Ti je aq i vogël, aq i vogël, sa një thua! Pa le që më bën edhe shoqëri!”
Ketri i vogël u hodh me shkathtësi nga dega drejt e mbi kurrizin e elefantit.
“Faleminderit, xhaxho!”
“S’ka gjë, vogëlush!”, ia ktheu elefanti.
Dhe u vunë në udhë që të dy drejt vendit ku kishte ujë. Kishin gjithë atë rrugë përpara. Do t’u duhej t’i ngjiteshin asaj maje e të zbrisnin në anën tjetër!
Ketri i vogël i foli elefantit plak me zërin e tij të hollë prej ketri:
“Po deshe, prezantohemi! Mua më thërrasin Ketrush. Po ty si të quajnë?”
“Elefanti Plak.”
“Ooo”, e zgjati zërin me habi Ketrushi duke i hapur edhe sytë sikur të donte të sigurohej se elefanti mbi kurrizin e të cilit po udhëtonte, ishte ai për të cilin kishte dëgjuar aq gjëra të çuditshme. “Ti je ai elefanti i famshëm?”
Elefanti Plak qeshi.
“Po!”, tha. “Edhe ti paske dëgjuar për mua!”
Ketrushi ishte prekur. Zemra e vockël i rrihte fort nga gëzimi dhe krenaria për mikun e madh.
“E kush nuk të njeh ty, o Elefanti Plak! Historia jote kalon gojë më gojë te kafshët. Sa do të desha ta dëgjoj tani nga goja jote!”
Duke u çapitur rëndë-rëndë e duke i lëvizur veshët e mëdhenj si freskore, Elefanti Plak i tha Ketrushit:
“Posi! Edhe rrugën e kemi të gjatë!”
Pasi mori frymë thellë, Elefanti Plak nisi të tregonte:
“Shumë vite më parë unë merrja pjesë në ushtrinë e Negusit, sundimtarit të Etiopisë. Tani jam plakur, por atëherë isha elefanti më i madh e më i fuqishëm në botë!
Mua më përdornin në luftë. Ja, si tanket e sotëm! Një ditë prej ditësh, më përgatitën sërish për luftë, por jo me ushtrinë tonë. Unë do prija në ushtrinë e Ebrehesë.”
“Kush ishte ky Ebreheja?”, pyeti Ketrushi.
“Guvernatori i Jemenit!”
“Ç’njeri ishte ai?”
“I keq, shumë i keq!”, foli me përbuzje për të Elefanti Plak. “Siç pata dëgjuar, nuk e duronte dot që njerëzit shkonin turma-turma në Qabe për pelegrinazh. Për ta penguar këtë, ai kishte ndërtuar një tempull të madh, të bukur e të stolisur me ar e argjend. Por ja që njerëzit s’donin të shkonin te tempulli i tij! Kurse numri i vizitorëve të Qabesë shtohej çdo ditë e më shumë! Kur arabët e kishin marrë vesh qëllimin e Ebrehesë, ishin zemëruar shumë. Njëri prej tyre kishte shkuar një natë dhe e kishte dëmtuar tempullin. Ebreheja ishte egërsuar. Ai ishte betuar:
“Arabët ma bënë këtë se nuk e dua faltoren e tyre! Po edhe unë s’do të rri. Gur mbi gur s’kam për të lënë në Qabe!”
“O Zot, ç’njeri i keq që paska qenë!”, tha me hidhërim Ketrushi.
“Në atë kohë, prijësi i fisit Kurejsh të Mekës ishte Abdulmutalibi.”
“Ashtu? Gjyshi i Profetit Muhamed?”, pyeti i habitur Ketrushi.
“Ai vetë! Muhamedi nuk kishte lindur ende. Kur i ishin afruar Mekës, Ebreheja i kishte çuar fjalë me përfaqësuesin e vet Abdulmutalibit se kishte ardhur për ta shembur Qabenë.”
“Po Abdulmutalibi ç’i kishte thënë?”
“I kishte thënë se faltorja e Qabesë ishte shtëpia e Allahut, siç e quanin të gjithë, dhe se Ai do ta mbronte. Pastaj Abdulmutalibi i kishte kërkuar përfaqësuesit të Ebrehesë t’ia kthente dyqind devetë që ia kishin rrëmbyer ushtarët e tij disa ditë më parë kur po kullosnin në fushë.
Ebrehenë e kishin çuditur shumë fjalët e Abdulmutalibit që, në vend që të shqetësohej për Qabenë që do të shembej, e t’i dilte për zot si prijës i fisit që ishte, shqetësohej për devetë! Abdulmutalibi kishte thënë atëherë ato fjalë që do të mbeteshin në histori:
“Unë jam i zoti i deveve, kurse i zoti dhe mbrojtësi i Qabesë është Allahu. Ai ka për ta mbrojtur Qabenë!”
Ebreheja e rreshtoi ushtrinë për të hyrë në qytet.”
“Po populli, ç’bëri?”, ia ndërpreu Ketrushi fjalën Elefantit Plak.
“Populli u largua nga qyteti për në kodrat përreth dhe vende të tjera të sigurta. Qyteti i Mekës u zbraz krejt.”
“Po ti, ç’bëre, o Elefanti Plak?”
“Unë ndodhesha, si gjithmonë, në krye të ushtrisë. Kur ushtria do të nisej, më erdhi pranë udhërrëfyesi, Nufejli, dhe më pëshpëriti në vesh:
“Ulu e mos lëviz vendit në daç të kthehesh që këtej shëndoshë e mirë! Këtu është qyteti që Allahu e ka quajtur të shenjtë!”
Unë e kuptova menjëherë se si qëndronte puna. Mua donin të më përdornin për qëllime të mbrapshta! Dhe u ula menjëherë për tokë.”
“Mirë, po ushtarët, a s’u përpoqën të të ngrinin në këmbë?”
“Sa shumë u munduan, thuaj, Ketrush! Ushtria kishte edhe elefantë të tjerë, por unë duhej të prija. Ata s’mund të bënin asnjë hap pa mua! Por pa dobi! Kur më kthenin nga Qabeja, s’lëvizja nga vendi, kurse, kur më kthenin në drejtim të kundërt, ngrihesha menjëherë për të ikur! Ata s’po kuptonin asgjë. S’kishte ndodhur kurrë më parë kështu me mua!”
Ketrushi kishte çapëlyer sytë e dëgjonte me kureshtje të madhe.
“Mu në mes të këtyre përpjekjeve, ndodhi më e madhja.”
“Ç’ndodhi?”, s’iu durua Ketrushit.
“Për një çast, qiellin e mbushën shpendë të egër që u thonë “Ebabil”. Secila kishte nga një gur në sqep e në të dy këmbët. Shpendët zbrisnin poshtë me shpejtësi e i lëshonin gurët mbi ushtarët e Ebrehesë. Ushtari që e qëllonte guri, rrëzohej i vdekur në vend!”
“Po Ebreheja?”
“Edhe atë e goditi një gur dhe vdiq!”
“Po ti, si shpëtove?”
“Ç’të të them? Mbi mua s’u lëshua asnjë shpend, s’ra asnjë gur. Dhe ja tek më ke gjallë këtu, para sysh!”
“Po pastaj?”
“Pasi u larguan shpendët, ia nisi një shi me rrebesh. Rrëketë e ujit i morën me vete kufomat e i lëshuan në det. Vendi u pastrua si më parë. A e di, o Ketrush, se për këtë ngjarje bëhet fjalë edhe në Kuran? E kam dëgjuar me veshët e mi! Ja, se si përshkruhej ajo ngjarje e mahnitshme.
Zoti i drejtohej Profetit Muhamed:”
“A nuk e ke parë s se ç’bëri Zoti yt me pronarët e elefantëve! A s’bëri që të dështojnë planet e tyre? Lëshoi mbi ta zogj tufa-tufa që i qëllonin me gurë prej argjile të pjekur. Dhe e bëri ushtrinë e tyre si një arë të lashtash të shkelur e të copëtuar!”
Ketrushi që e kishte ndjekur rrëfimin e Elefantit Plak pa e lënë t’i shpëtonte asnjë hollësi, e kishte kuptuar se Allahu i ndëshkonte të këqijtë, ndërsa të mirët i mbronte!
“Të faleminderit shumë, Elefanti Plak”, i tha ai elefantit. “Kurrë s’kam për ta harruar këtë ndodhi!”
Ndërkaq ata kishin arritur te uji. Atje pinë gjersa u ngopën dhe e falënderuan Allahun, që u falte shumë të mira e i mbronte!
Tanimë Elefanti Plak dhe Ketrushi ishin bërë miq të ngushtë!
Ç’kuptuat nga kjo ndodhi?
- Si e gjente Elefanti i Madh se ku kishte ujë?
- A ia ka dhënë Zoti çdo gjallese gjërat për të cilat ka nevojë?
- Përse e ndihmon Elefanti i Madh Ketrushin?
- Ç’dini mbi Qabenë?
- Kush është Ebreheja?
- Pse e ndëshkoi Allahu Ebrehenë?
- Si shpëtoi Elefanti i Madh nga gurët e shpendëve të egër Ebabil?
- Ç’bënë Ketrushi dhe Elefanti i Madh pasi pinë ujë?
- Po ju, a e falënderoni Allahun, Zotin tuaj, për të mirat që ju ka dhënë?
Kategoria: Tregime të zgjedhura