GOMARI DHE DHELPRA
Një ditë prej ditësh luani dhe elefanti, që jetonin bashkë në pyll, filluan një zënkë. Lufta vazhdoi për një kohë të gjatë derisa luani u plagos, mbi të gjitha i lodhur sa më s’ka. Luani i mjerë u shtri në shpellë, i mbytur në gjak dhe i uritur dhe pa asnjë rrugëzgjidhje filloi të priste se ç’do të ndodhte më tej.
Mosdalja e luanit për gjah i mërziti jashtëzakonisht shumë të gjitha kafshët që ushqeheshin me tepricat që ngeleshin prej ushqimeve të luanit. Këto kafshë, tashmë të uritura në kulm vendosën që ta vinin luanin në lëvizje. Luani e thirri menjëherë dhelprën duke i treguar se duhet të dilte për gjah që të gjente sakaq diçka për të ngrënë kafshët që ushqeheshin me tepricat që linte luani.
– Ik, gjej një gomar ose një lopë dhe bjere këtu duke e mashtruar. Kështu do të ha edhe unë, edhe ju nuk do të ngeleni më të uritura, – i tha ai dhelprës.
Me të marrë këtë këshillë, dhelpra iu fut punës që të gjente një kafshë të përshtatshme për të gënjyer. Me t’u futur në një pllajë të tharë nga bari, aty pa një gomar që ishte aq i dobët sa i numëroheshin kockat. Iu afrua duke e përshëndetur sikur të ishte një mikja e tij e vjetër.
– Çfarë je duke bërë në një pllajë kaq të thatë, pa fijen e barit? – iu drejtua ajo gomarit.
– Ndonjëherë e kam të vështirë, ndërsa në më të shumtën e rasteve gjej diç për të ngrënë dhe saora falënderoj menjëherë Zotin për mirësinë që më jep. Ka keq e më keq, – iu përgjigj gomari.
Dhelpra u mundua aq shumë që ta bindte gomarin që të niseshin, me qëllimin që më pas ta çonte në shpellë tek luani, por më kot. I tregonte gomarit se që të gjente një rast më mirë, që të gjente një pllajë më pjellore i duhej të përpiqej sa më shumë.
Sakaq, gomari i tregonte se ai ishte tejet i kënaqur me fatin e tij, si edhe se ishte mësuar tashmë me gjendjen që i kishte dhënë Zoti.
Këtë herë dhelpra filloi t’i fliste atij me një gjuhë të tepruar pa masë për bukuri përrallore arash të gjelbra:
– Ah, sa të lumtura janë kafshët që jetojnë atje… As deveja nuk dallohet nga gjelbërimi që sundon atje. Nëse do të vazhdosh edhe pak kohë të rrish në këtë palo vend, ta dish do të vdesësh nga uria së shpejti, – i tha dinakja derisa më në fund e bindi gomarin.
Sa keq, gomari u gënjye tashmë. Harroi i gjori ta pyeste, se derisa bëhej fjalë për bukuri të tilla si nëpër përralla me zana, pse vetë ajo ishte aq e pashëndetshme, mirëpo i kënaqur prej fjalëve të saj, ai kishte filluar tashmë ta ndiqte hap pas hapi.
Tërhiq e tërhiq pas vetes, dhelpra më në fund e pruri gomarin në luginën ku rrinte luani i uritur. Luani e pa që së largu gomarin që po vinte, nuk priti derisa ai të afrohej, por nga ambicia e tij e tepërt filloi të ulërinte me një zë shumë të frikshëm. Megjithëse në vetvete nuk kishte fuqi aq sa për të lëvizur prej vendit. Saora, gomari i trembur nga ulërima e luanit filloi të sprapsej i trembur në cak.
– Po mirë more luan, pse nuk prite edhe pak sa të të vinte gomari e pastaj të ulërije, – zuri të ankohej dhelpra.
– Për një çast m’u duk sikur isha plotësisht i fuqishëm. Zaten nuk kisha më durim prej asaj urie dhe pafuqie që më ka kapluar, – iu përgjigj ai.
E urdhëroi sërish dhelprën që të shkonte përsëri e ta mashtronte gomarin, duke e sjellë tek vendi ku ndodheshin. Dhelpra këtë herë i kërkoi të mos nxitohej. Ndoshta tani ai mund ta mashtronte më lehtë gomarin duke bërë kinse flinte. Andaj dhelpra iu afrua edhe njëherë gomarit të frikësuar me një buzëqeshje të shtirë.
– Duhet të ruhem nga një mike si ti. Ç’të bëra unë që më more e më prure në gojën e bishës, – u ankua menjëherë gomari.
– Ah more miku im, ajo që t’u duk ty nuk ishte as luan e as bishë. Ajo ishte thjesht një magji. Unë jam më e vogël dhe e pafuqishme se ty, e prapëseprapë nuk u tremba aspak. A mund të ekzistojë një pllajë e atillë pa pasur pak magji dhe pak sekret brenda saj? Është marrë një masë e tillë, ngase nuk duhet të vijnë lloj-lloj kafshësh për të kullotur, – vazhdoi dhelpra dinake nga dredhitë e saj.
– Hiqmu sysh! Mos të të shoh më! Edhe pak dhe desh më vrave, – ia ktheu gomari.
Mirëpo pas pak çastesh kundërshtimet dhe mbrojtjet e gomarit prej dhelprës morën fund. Uria dhe ambicia e gomarit e tërhoqën atë drejt “bukurive” që dhelpra nxirrte prej gojës së saj. Kësaj here gomari iu afrua shumë luanit. Ndërkohë luani ulëriu edhe njëherë dhe sakaq iu hodh gomarit të shkretë në fyt duke e bërë copë e çikë. Luani, pasi e mori veten prej urisë së deritanishme, u largua për të pirë ujë, duke e lënë tepricën e gjahut në vend. Dhelprës iu duk një rast që nuk duhej humbur, prandaj pa humbur kohë ia hëngri mëlçinë dhe zemrën gomarit të shtrirë përdhe. Mirëpo, luani me t’u kthyer në shpellë donte të hante zemrën dhe mëlçinë e gomarit, të cilën kërko e kërko nuk po e gjente dot.
– Ç’u bë mëlçia dhe zemra? – e pyeti ai dhelprën.
Dhelpra dinake iu përgjigj:
– Po të kishte zemër dhe mëlçi një kafshë që u tremb nga një zë i atillë duke u hedhur e frikësuar nga një lartësi e atillë, a gënjehej edhe njëherë për të ardhur këtu?
“Ambicia ia zbeh shikimin njeriut, e kthen në një budalla të gjorë, e saora në njeriun më fatkeq; ajo zë e ia bën të lehtë vdekjen vetëm budallenjve.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi