Gomari i shitësit të ujit

GOMARI I SHITËSIT TË UJIT

 Një shitës uji i vjetër në moshë kishte një gomar që ishte shumë i ngathët dhe i pafuqishëm. I varfëri burrë, dilte përditë për të shitur ujë derë më derë, e veç në saje të kësaj pune arrinte të nxirrte mbijetesën për familjen e tij. Prandaj ai nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të blerë kashtë për gomarin e tij. Gomarit kishte filluar t’i hapeshin plagë në kurriz nga pesha e rëndë që mbartte përditë. Mirë ferra, që nuk gjente dot, por as ndonjë fije bari a kashte nuk gjente dot ky gomar, që për shumicën e kohës rrinte i uritur. Kur e pa ai që kujdesej për ahuret e sulltanit, ndjeu një keqardhje të thellë për këtë gomar.

– Pse e ke sjellë në këtë gjendje këtë kafshë të gjorë, more i uruar? – e pyeti burri, i nxehur prej keqardhjes që i shkaktonte gjendja e mjerueshme e kafshës së gjorë.

– Ah imzot, unë as barkun tim nuk arrij ta ngop dot asnjëherë, si do të mund të ngop gomarin? – i ktheu plaku.

– Ma jep mua këtë gomar, të rrijë disa ditë në ahuret e sulltanit, të ngopet mirë e mirë, të rifitojë fuqinë e humbur, e pastaj vjen dhe e merr përsëri, – ia ktheu kontrolluesi i stallave në sarajet e mbretit.

Burri ia dha gomarin, të cilin përkujdesësi e shpuri në stallat e mbretit. I mjeri gomar i shihte i habitur kuajt e bukur arabë që gjendeshin në atë stallë aq të bollshme. Gomari, që pa gjithë këta kuaj që jetonin mes një shumëllojshmëri të tillë ushqimesh, filloi edhe vetë të ndjente keqardhje për vetveten.

– O Zot! Pse nuk m’i jep edhe mua këto mirësi që u ke dhënë këtyre kuajve? Jam në një gjendje që nuk po i duroj dot më dhimbjet e plagëve që më janë hapur mbi shpinë. Jam i uritur dhe tejet i rraskapitur, ndërsa shih se në ç’shumësi mirësish dhe begatie jetojnë këta…

Mirëpo, teksa gomari sillte ndërmend gjykime të ndryshme mbi gjendjen e tij të mjerueshme, përjashta ia dhanë britmat, “Filloi lufta!”. Kuajve arabë iu vendosën mamuzet dhe samarët, sakaq u përgatitën për të shkuar në luftë. Në kohën që gomari vërdallisej në stallë, krejtësisht i vetëm, kuajt ishin bërë pjesë e një lufte fort të ashpër.

Kuajt, që hëpërhë ishin shenja kryesore e shtizave dhe shigjetave të armikut, u kthyen në stallë të plagosur e të gjakosur thuajse në gjithë trupat e tyre. Nuk kishin fuqi as për të qëndruar në këmbë. Megjithëse ia nxorën prej trupit të gjitha shtizat dhe shigjetat, ata ishin me të vërtetë për të ardhur keq. Ata nuk shikoheshin prej plagëve të rënda.

Me të parë këtë gjendje të tyre, gomari nuk duroi dot pa thënë:

– O Zot, jam i kënaqur nga gjendja ime si i uritur dhe i varfër, mjafton që të mos më bësh pjesë të kësaj detyre kaq të vështirë duke mos më bërë mua që të vuaj prej dhimbjeve që të shkakton lufta. Nuk i dua as ato bukuri, e as gjithë këtë ushqim të bollshëm, ashtu siç nuk dua të plagosem nga aq shumë shtiza dhe shigjeta, – tha ai sakaq dhe e falënderoi Zotin për gjendjen në të cilën ndodhej.

“Njeriu që zë e bezdiset prej mirësive të botës, më shumë prej plagëve të shëmtuara që mbart në brendinë e tij, nuk duhet kurrsesi të bjerë pre e dëshirave të dobëta.”