Guri i zi dhe guralecët

Ishte bërë drekë dhe koha ishte nxehur mirë. Gjithashtu frynte edhe erë. Ajo era e shkretëtirës që formon ato furtunat prej rëre që i keni dëgjuar. Disa herë ajo bëhet aq e fortë sa merr me vete edhe gurë. Ja, kështu, era kishte grumbulluar shumë guralecë nën trungun e një druri. Guralecët po ndjeheshin ngushtë. Guraleci si në blu u tha atyre që kishte ngjitur që po i ngjisheshin shumë:

“Si shumë u shtuam, o vëllezër, apo jo! Më duket se ju aty sapo erdhët!”, iu drejtua ai disa të tjerëve.

Guraleci në ngjyrë si në të verdhë, ia ktheu duke folur me kërcëllimë:

“Po, po, unë erdha pak më parë. Rroftë e qoftë era që më mori zvarrë nga maja e malit e më solli gjer këtu! Nga ju kemi ju?”

“Unë u shkëputa nga nëna ime, shkëmbi, në të hyrë të qytetit. Ka disa ditë që ndodhem këtu.”

Guraleci i verdhë tha duke i ndritur sytë:

“A e dini, kur ndodhesha në mal, gjithmonë lutesha.”

Guraleci si në blu e pyeti me kërshëri:

“Po pse luteshe?”

“Lutesha të zvogëlohesha edhe më e të bëhesha thërrime, të bëhesha tokë prodhimtare ku të mbinin bar e lule! Sa bukur do të ishte atëherë!”, tha me gjithë zemër guraleci si në të verdhë.

“Dashtë Zoti e t’u plotësoftë kjo dëshirë! Edhe unë dëshiroj të futem në një shtëpi që të bëhem pjesë e jetës së njerëzve!”, shtoi për vete çaklli si në blu.

Që të dy heshtën një copë herë. Heshtjen e prishi guraleci si në të verdhë që pyeti:

“Ç’kemi ndonjë gjë të re këtej?”

“As unë nuk e di saktë!”, tha guraleci si në blu. “Vetëm mund të të them se, që kur kam ardhur në qytet, dëgjoj njerëzit të bërtasin e të grinden me njëri-tjetrin. Duken shumë të zemëruar!”

“Pse, vallë?”, e pyeti guraleci si në të verdhë.

Në këtë mes, duke folur me një zë si bubullimë, trungu u tha guralecëve:

“O fëmijë! E dëgjova bisedën tuaj. Unë ndodhem këtu prej shumë kohësh. Po deshët, ju tregoj.

Guralecët u hodhën me qejf të madh:

“Po, po, duam! Pse janë të zemëruar kaq shumë njerëzit e këtij qyteti?”

Trungu nisi të tregojë:

“A e dini? Ky është qyteti i Mekës dhe këtu ndodhet Qabeja. Ajo është një faltore e shenjtë dhe shumë e çmuar. Por shirat që kanë rënë prej vitesh, rrebeshet, përmbytjet dhe zjarri që ra kohët e fundit, i dëmtuan shumë muret. Qabeja u bë si gërmadhë. Mekasit u shqetësuan shumë dhe vendosën ta meremetonin. Të gjitha fiset do të merrnin pjesë në ngritjen e pjesëve të rrëzuara dhe në meremetimin e pjesëve të dëmtuara. Pastaj të gjithë iu futën punës me dëshirë të madhe.

Guralecit si në blu s’iu durua:

“Ja sa mirë, e meremetokan së bashku! Ç’të keqe ka këtu?”

Trungu buzëqeshi:

“Ki durim, vogëlushi im! Gjer para ca ditësh çdo gjë shkonte mirë, gjersa erdhi puna që Guri i Zi të vihej në vendin e vet. Ja, atëherë nisi grindja.”

Guraleci si në të verdhë tha:

“Ëëëë…! Unë e kam dëgjuar edhe më parë këtë emër nga bisedat e shokëve! Guri i Zi qenka një gur i rënë nga qielli. I thokan meteor, por unë s’e di se ç’do të thotë kjo fjalë! E paska përdorur për herë të parë profeti Ibrahim në ndërtimin e Qabesë.”

Trungu vazhdoi:

“Prandaj mekasit s’po merreshin dot vesh mes tyre. Secili fis kërkonte ta vendoste vetë Gurin e Zi në mur. Këtë gjë ata e quanin një nder të madh.”

Guraleci si në blu u prek.

“Po tani, si do të bëhet? Na ruajttë Zoti, po sikur njerëzit të përfyten me njëri-tjetrin? Sa keq do të jetë!

Duke e hedhur shikimin përtej, trungu tha:

“O djema! Po shoh që njerëzit po mblidhen përsëri.”

Papritmas, aty pranë kaloi me nxitim një kalorës. Guralecët e vegjël bërtitën me të madhe:

“Bobo, ç’po ndodh kështu?”

Pa e mbaruar fjalën, veç kur e panë veten mu pranë grumbullit të njerëzve. Goditja e patkonjve të kalit i kishte hedhur gjer aty. Guraleci si në blu pa përreth dhe tha me gëzim:

“Sa mirë! Tani njerëzit mund t’i vëzhgojmë nga afër.”

Kurse guraleci si në të verdhë e paralajmëroi:

“Shshsht! Fol me zë më të ulët. Shih se si u grumbulluan njerëzit. Të dëgjojmë se ç’do të flasin.”

Guralecët heshtën dhe po dëgjonin me kërshëri të madhe njerëzit që nisën të grinden. Grindja e tyre sa vinte e bëhej më e ashpër.

“Gurin e Zi do ta vëmë ne në vend!”

“Jo, ne!”

“Vdesim dhe nuk heqim dorë!”

“As ne!”

Mu atë kohë, njëri prej pleqve, Ebu Umeje, tha:

“O kurejshë! Kam një propozim! Njeriun e parë që do të hyjë nga porta e faltores, ta bëjmë gjykatës. Ç’të thotë ai, të bëjmë!”

Të gjithë e pranuan këtë propozim me mend. Të gjithë të pranishmit, edhe guralecët, nisin të presin me kërshëri: vallë, kush do të hynte i pari?

Pa shkuar shumë, panë që larg se dikush po vinte. Ishte i riu Muhamed. që njihej si njeri i besueshëm. Për këtë, kishte kohë që populli i Mekës e kishte mbiquajtur “Emin”, i Besueshmi! Nuk kishte as dhe një njeri të vetëm që të mendonte ndryshe për të. Në atë kohë, ai ishte tridhjetë e pesë vjeç. Ende nuk ishte bërë profet.

“Emini, Emini po vjen!”, bërtitën me gëzim të gjithë.

Muhamedi hyri nga dera e faltores dhe u afrua te grumbulli i njerëzve. Ata i thanë me një zë:

“Të kemi zgjedhur gjykatës! Do të bëjmë si të thuash ti!”

Muhamedi buzëqeshi.

“Më sillni një mbulesë!”, u tha njerëzve.

Menjëherë ia sollën. Ai e mori mbulesën, e shtriu për tokë, pastaj e mori Gurin e Zi dhe e vendosi mu në mes të saj. Pastaj u drejtua nga njerëzit:

“Të dalë një njeri për çdo fis e ta zërë mbulesën nga një cep.”

Ashtu bënë. E bartën Gurin e Zi së bashku gjer te muri. Aty, Muhamedi e mori vetë Gurin e Zi dhe e vendosi në vendin e vet, në atë vend ku e pati vënë i pari, profeti Ibrahim.

Të gjithë mbetën të kënaqur!

Guraleci si në blu iu drejtua shokut:

“Ç’njeri i mirë Muhamedi! Kur të gjithë ishin gati të përfyteshin me njëri-tjetrin, e gjeti mënyrën për t’i pajtuar pa i bërë padrejtësi askujt. Njerëzit kanë shumë gjëra për të mësuar prej tij, apo jo?!”

Guraleci si në të verdhë i tha:

“Ke të drejtë! Edhe sikur të kenë mend sa ne, e kuptojnë se Muhamedi është një njeri i veçantë!”

Njerëzit iu vunë punës sërish. Meremetimi i Qabesë mbaroi brenda një kohe të shkurtër. Mënyra si e zgjidhi Muhamedi ngatërresën, pengoi luftën mes fiseve dhe gjakderdhjen!

 

Ç’kuptuat nga kjo ngjarje?

  1. Ç’dini mbi Gurin e Zi dhe veçoritë e tij?
  2. Pse lindi mosmarrëveshja mes mekasve?
  3. Si u zgjidh ajo?
  4. Ç’do të thotë “emin”?
  5. 5. Kërkoni të mësoni se ç’rëndësi i jep feja islame paqes!