Kali me mangësi

KALI ME MANGËSI

Një i pasur kishte një kalë të fisëm shumë të bukur. Aq i bukur, sa as në mes të kuajve të mbretit nuk mund të gjeje një kalë që ta konkuronte për hijeshi. Një ditë prej ditësh, ky njeri i kamur u nis për të marrë pjesë në një ceremoni që organizonte mbreti. Mirëpo, aty ishte e pamundur që sytë e mbretit të mos mahniteshin pas bukurisë së atij kali të sojshëm.

Silueta e kalit, ngjyra e tij, e mahnitën mbretin, duke mos i lënë asnjë zgjidhje tjetër veçse të organizonte njerëzit e tij që të pyesnin çdo gjë në lidhje me atë kafshë. Me të dëgjuar se kali i përkiste një zotërie, ai dha urdhër që t’ia binin menjëherë atë kalë.

Ushtarët shkuan menjëherë në shtëpinë e zotërisë dhe ia morën kalin, të cilin ia shpunë menjëherë mbretit. Zotëria u pikëllua aq shumë ngase i morën kalin, sa nga dita në ditë po fironte prej zemërimit që e kishte pushtuar. Ai shkoi menjëherë të qante hall me vezirin e mbretit, duke i kërkuar që ta ndihmonte për t’i kthyer kalin që ai e donte aq shumë. Ai i tha vezirit se më mirë t’i kishin marrë krejt pasurinë sesa atë kalë. Ishte i gatshëm të jepte çdo gjë që kishte vetëm t’i kthehej kali i tij i dashur.

Veziri ishte mjeshtër në bindjen e mbretit. Pa humbur kohë i dha fjalën zotërisë se do ta bindte sulltanin, dhe me një frymë rendi për tek mbreti. Mbretin e gjeti duke kundruar i apasionuar bukuritë e këtij kali me bukuri të magjishme.

Mbreti me të parë vezirin që po i afrohej, iu drejtua dhe i tha:

– Shikoje pak këtë kalë race sa i bukur që është! Sikur të ketë ardhur prej parajse, dhe jo sikur të jetë një kafshë si gjithë të tjerat, – duke e zbukuruar gjuhën e tij për t’iu përshtatur bukurive të kafshës.

Veziri e kuptoi këtë sjellje të mbretit, prandaj, për t’i dhënë një ngjyrë tjetër rrethanës, i tha:

– Lartmadhëria juaj, që jeni mbret i mbretërve për ne, dëshira e madhe, që të buron prej zemrës, po mundohet të ta bëjë dreqin të bukur.  Po ta shihni me kujdes, e kuptoni që kali është me të vërtetë tërheqës, por sikur koka nuk i përshtatet me trupin, apo jo? Ky kalë më ngjan sikur nuk e ka kokën të natyrshme. Ngjan tamam sikur të ishte një kokë kau, – vazhdoi veziri, ndërsa mbreti ishte zhytur në mendime.

Mbreti, pasi dëgjoi këtë vërejtje të vezirit, filloi ta shihte kalin me një kujdes më të veçantë. Me të vërtetë, që edhe për mbretin, kali kishte një mangësi të atillë. Mbreti, që deri në atë çast nuk kishte parë asnjë dobësi tek ky kal, tani urdhëroi që kali t’i kthehej menjëherë të zotit.

“O njeri i drejtë, bota u prish! U kthye në një arrë të kalbur. Prandaj në vend që të guxosh ta provosh, më mirë përpiqu t’i qëndrosh sa më larg.”