Kau, dashi dhe deveja

KAU, DASHI DHE DEVEJA

 Kau, dashi dhe deveja, teksa po ecnin në një shteg, gjetën një tufë me bar.

– Nëse do ta ndajmë, padyshim që asnjëri prej nesh nuk do të ngopet, prandaj më mirë le ta hajë të gjithin ai që është më i moshuari ndër ne, – u hodh dashi, i pari.

Kau dhe deveja, që e panë si të arsyeshëm gjykimin e dashit, filluan të bënin përllogaritjet për moshën e tyre. Ata vendosën që të gjithë të tregonin kohën e lindjes.

– Ta shohim, kush prej nesh është më i moshuari; me ta kuptuar, ai që nuk ka të drejtë, të heshtë! – vendosën ata, të tre në një mendje.

I pari e mori fjalën dashi:

– Periudha e kullotjes sime fillon që në kohën kur do të flijohej dashi në vend të profetit Ismail, andaj unë jam kafsha më e moshuar ndër të tre.

– Jo, jam unë më i vjetri. Unë isha njësh me çiftin e kaut dhe lopës që ngahu profeti Adem. Hë mo, nuk e mbani mend paraardhësin e të gjithë njerëzimit, profetin Adem, që mbolli fara në mbarë tokën. Pikërisht që me qetë e tij jam edhe unë, – tha kau, i cili ishte krekosur në kulm.

Deveja, me të dëgjuar ato që thanë kau me dashin, u zgjat drejt tufës së barit, dhe duke e ngritur në ajër, filloi ta hante pa i pyetur, as kaun, as dashin.

Ndërsa kau dhe dashi po e shihnin devenë të çmeritur, deveja u tha:

– Unë nuk kam përse t’ju tregoj për moshën time; sepse derisa kam një trup kaq të madh dhe një qafë kaq të gjatë, nuk është fare e nevojshme që të merrem me përllogaritje.

“Të gjithë e dinë që qielli është me qindra herë më i gjerë se kjo tokë e ngatërruar. Pa shihe me kujdes, sa larg që janë nga njëra-tjetra, gjerësia e qiellit dhe cepat e kësaj bote!”