Këshilla e zogut

KËSHILLA E ZOGUT

Një ditë prej ditësh, një gjuetar thuri një çark për të zënë zogj.

Një harabel, që u gënjye prej çarkut të ngrehur, ra pré e tij. Mirëpo, teksa burri u afrua për të parë harabelin që kishte zënë, ky i fundit iu drejtua me këto fjalë:

– More njeri kaq i madh, që nuk je ngopur asnjëherë duke flijuar desh, dema dhe deve, mendon se do të ngopesh tani me trupin tim të vockël? Lëshomë, dhe unë do të jap tri këshilla tepër të vyera, kështu do ta shohësh në jam i mençur apo budalla.

Gjuetari e pranoi kërkesën e zogut, mirëpo zogu kishte një kusht. Ai i tha, se këshillën e parë do t’ia jepte mbi dorën e tij, të dytën duke qëndruar mbi çati dhe të tretën duke qëndruar në njërën prej degëve të pemës aty pranë. Zogu i tha gjithashtu, se nëse i dëgjonte me vëmendje këshillat, ai do të bëhej një njeri fatlum.

Sakaq, gjuetari me zogun në dorë, po priste këshillën e parë prej sqepit të vogël të zogut.

– Mos beso kurrë në fjalën e askujt që të tregon diçka të pamundur, – ishte këshilla e parë që doli nga sqepi i zogut.

Gjuetari e lëshoi saora zogun që të dëgjonte këshillën e tij të dytë. Zogu fluturoi menjëherë, duke u zënë vend në njërën prej degëve të pemës më të afërt.

– Mos vuaj për të shkuarën, sepse ajo që ikën nuk vjen më, andaj asnjëherë mos të të marrë malli për gjëra të së shkuarës, – këshilloi harabeli së dyti.

Gjuetari mezi po priste të dëgjonte edhe këshillën e tretë. Zogu u vendos në degën e pemës dhe filloi të thoshte këshillën e tretë:

– Brenda meje gjendej një xhevahir i pashoq tejet i madh. Ai thesar mund t’ju lumturonte menjëherë si ty, ashtu edhe familjen tënde.

Gjuetari filloi të ulërinte prej pendesës që e kishte lëshuar zogun e thesartë.

– A nuk të këshillova të mos mërzitesh për të shkuarën? – filloi të bërtiste zogu i urtë.

Gjuetari sërish vazhdonte të mërzitej përse e kishte lëshuar këtë zog. Prandaj zogu, pa humbur kohë, i kujtoi atij këshillën e parë:

– Ta pata thënë, mos beso në gjëra të pamundura. Si ka mundësi të gjendet një xhevahir i madh brenda një trupi kaq të vogël të një zogu të mjerë, si imi?

Tashmë gjahtari u kthjellua dhe gjithë merak e pyeti se cila ishte këshilla e tretë.

– Po tani, i kuptove më së miri dy këshillat e para dhe tani po merakosesh për të tretën? T’i japësh një këshillë një të padituri është njëlloj sikur të hedhësh farë në një tokë djerrë. Nuk ka arnë që qëndron mbi grisjen që shkakton padija dhe injoranca, andaj të të jap këshilla më tej, është e kotë, – ia ktheu zogu, duke u zhdukur pa lënë as gjurmën më të vogël.

“I takon mendjes që të përthithë, të kuptojë të mësojë dhe mbajë mend; mendja është ajo që i bën ato kaq të rëndësishme.”