
Feja islame kërkon nga burrat dhe femrat myslimane që kanë arritur moshën e pjekurisë zbatimin e disa urdhrave dhe shmangien nga gjërat e ndaluara. Këta urdhra dhe ndalesa ndryshe quhen “teklif”, ndërsa myslimani i cili i zbaton quhet “mukelef’.
Kur fillon obligimi?
Që një njeri të quhet i përgjegjshëm për zbatimin e obligimeve fetare duhet:
- të jetë i shëndoshë mendërisht
- të arrijë moshën e pjekurisë
Feja u drejtohet atyre njerëzve që përdorin mendjen dhe arsyen dhe me anë të vullnetit dhe zgjedhjeve të tyre i drejton ata drejt së mirës të dy botëve, duke premtuar lumturi të përjetshme për ato që i përgjigjen thirrjes së saj.
Prandaj kushti i parë i të obliguarit është të jetë i shëndoshë mendërisht. Një person i shëndoshë mendërisht është ai person i cili me anë të mendjes është i aftë të dallojë të mirën nga e keqja. Një kusht tjetër i të obliguarit është arritja e moshës së pjekurisë.
Ç’do të thotë mosha e pjekurisë?
Është mosha në të cilën njerëzit nuk quhen më fëmijë dhe fillojnë të përjetojnë zhvillimin e ndjenjave seksuale.
Kur fillon mosha e pjekurisë? Si mund ta dimë?
Sipas shumicës së dijetarëve myslimanë, mosha e pjekurisë tek vajzat është nga mosha 9-15 vjeç ndërsa tek djemtë 12-15 vjeç. Arritja e moshës së pjekurisë dallohet me ardhjen e menstruacioneve, periodave mujore tek vajzat, ndërsa tek djemtë me realizimin e orgazmës, ose ndryshe derdhjes. Ndonjëherë ndodh që një i ri të arrijë moshën e pjekurisë, por të mos shohë as menstruacione apo të ketë derdhje. Persona të tillë hyjnë në moshën e përgjegjësisë dhe obligimit. Edhe pse pavarësisht moshës nuk kanë patur zhvillimet e nevojshme, ata pranohen si të obliguar. Mosha e pjekurisë e përcaktuar për vajzat dhe për djemtë është 15 vjeç.
Me arritjen e moshës së pjekurisë nëse tek ai person nuk gjendet ndonjë provë që të tregojë zhvillimin e mangët mendor të tij, atëherë ai person konsiderohet i obliguar. Në termat fetare do të thotë të jetë ‘i shëndoshë mendërisht dhe i pjekur’. Me këtë nënkuptojmë fitimin e të gjitha të drejtave, të fjalës, të veprimit; do të thotë që ai person tashmë mund të mbajë përgjegjësi për obligimet dhe ndalesat.
Kategoria: Rreth islamit