Një tufë kafshësh gjahu teksa kullosnin në një pllajë të bukur ruheshin tërë frikë prej ardhjes së luanit. Sepse luani, shumë shpesh, vinte në këtë pllajë dhe thurte kurthe dhe në çdo herë zinte njërën prej këtyre kafshëve. Aq shumë ishin mërzitur këto kafshë, sa bari i ishte kthyer në helm. Një ditë të bukur, këto kafshë vendosën që të dilnin vetë përpara luanit e t’i kërkonin që ai të mos i prekte, ndërsa ato do t’i çonin vetë ç’të donte ai për të ngrënë. Mirëpo luani me përvojë, ngase e dinte që kafshët mund t’i thurnin një kurth, nuk e pranoi kërkesën e tyre. Ai u tha se “parapëlqente që ushqimet t’i arrinte duke u përpjekur vetë.”
Kafshët i ishin betuar dhe i kishin dhënë fjalën e tyre, derisa më në fund kishin arritur ta bindnin luanin. Sipas marrëveshjes që kishin bërë çdo ditë, pa kurrfarë mundimi, do t’ia çonin vetë luanit pjesën e tij. Kështu që për kafshën që do t’i shpinin kishin vendosur hedhjen e shortit. Një ditë shorti i bie lepurit dhe vendosën që t’ia çonin luanit. Lepuri që e dëgjoi këtë vendim, filloi të bërtiste tërë kundërshtim:
– Kjo vuajtje duhet të përfundojnë një ditë!
Kafshët e gjahut e thirrën lepurin dhe e paralajmëruan:
– Ne deri tani i qëndruam besnikë besës së dhënë duke sakrifikuar edhe vetët tona, andaj mos u mundo të na nxjerrësh namin e keq, po nisu menjëherë se do të na mërzitet luani.
Lepuri i kishte thënë se do të prisnin për pak pasi ai kishte një plan që do t’i shpëtonte të gjithë. Megjithëse këmbëngulën së tepërmi, ata nuk nxorën dot asgjë prej gojës së lepurit. Lepuri, pasi u vonua pak, u nis për të shkuar te vendi ku ndodhej luani. Luani kishte filluar të gërryente tokën me putrat e tij të forta ngaqë preja e tij kishte filluar të vonohej. Sapo filloi të mendonte që marrëveshja e bërë me kafshët e tjera kishte qenë një gabim, pa lepurin të afrohej drejt tij me hapa të ngadaltë. Luani, i nxehur së tepërmi prej hapave të ngadaltë të lepurit, iu drejtua atij duke i thënë:
– Çfarë të duket vetja ty more lepurush, kur e di shumë mirë që unë, edhe elefantët i bëj copë-copë?
Lepuri iu përgjërua që ta ndjente duke i treguar një e nga një të gjitha arsyet përse ishte vonuar.
– Lëre mos e pyesni, imzot! U nisa që në agim për të ardhur te ju. Kisha marrë me vete edhe një lepur tjetër, për të dalë sa më denjësisht përpara jush. Mirëpo, gjatë rrugës na doli një tjetër luan dhe na sulmoi. Iu luta dhe iu përgjërova; mos na bëj keq, se ne jemi robër të mbretit të mbretërve. Ndërsa ai na i ktheu: “Kush na qenka ai? E dini që ju copëtoj edhe ju edhe atë?” “Të paktën”, i thashë, “të shkoj e t’i dal edhe një herë mbretit tim, e t’i tregoj për ju.” Ai më tha se më lejonte vetëm nëse ia lija shokun tim peng. Sa keq që asnjëra prej qarjeve të mua nuk ia vlejti. Ma mori shokun duke më lënë vetëm. Shoku im ishte shumë i bukur, madje ishte dy herë më i shëndoshë se mua, – i tha lepuri.
- Nëse po më thua të vërtetën atëherë ec përpara e ma trego ku është ky luan, të shkojmë e t’i japim dënimin që meriton. Por, nëse më gënjen, ta dish se do të të dënoj, – ia ktheu luani.
Lepuri po e printe luanin drejt kurthit që i kishte thurur. Saora, mbërritën përpara një pusi të thellë.
- Ja, këtu brenda janë të dy, – tha lepuri duke treguar brendinë e pusit.
Luani filloi të afrohej, mirëpo, sakaq vuri re që lepuri u tërhoq pas.
- Pa dilmë njëherë përpara, pse u tërhoqe mbrapsht? – tha luani i zgjuar.
- Nuk e shihni se si po dridhem nga frika. S’po më mbajnë më as duart as këmbët. Gati sa nuk po më pushon zemra.
Luani i kërkoi atij që të kontrollonte mirë në pus, nëse ishin apo jo aty luani dhe lepuri tjetër për të cilët i kishte folur.
- Vetëm po më mbajte ti mund të shoh, përndryshe kam frikë se rrëzohem, – tha lepuri me zërin e tij të hollë dhe të dridhur.
Luani e mori lepurin në krahë dhe u përkul drejt grykës së pusit që të mund të shihte më mirë. Aty pa një luan dhe një lepur bukurosh. Me ta parë armikun e tij brenda në pus, e lëshoi lepurin që mbante në krah dhe u hodh brenda. Lepuri që ia arriti të shpëtonte më në fund prej luanit, u nis menjëherë i hareshëm që t’ia jepte sihariqin gjithë miqve të tij. Të gjitha kafshët, të gëzuara pa masë, e përgëzuan dhe falenderuan lepurin për ndihmesën e madhe që i kishte dhënë duke u shpëtuar jetën prej luanit të frikshëm.
“Ta dish, se të luftosh me luanin, i cili është ai që i pret gjërat si me thikë, është e lehtë; mirëpo hero i vërtetë është veç ai që arrin të mundë më parë vetveten.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi