Marrja e abdesit
LARJA E DUARVE
Duart lahen deri në kyçe. Veçanërisht lahen mirë pjesët mes gishtërinjve dhe tregohet kujdes të mos mbesë asnjë pjesë e palagur.
LARJA E GOJËS
Me dorën e djathtë fusim ujin në gojë. Çdo herë e nxjerrim ujin pasi e shpërlajmë mirë gojën.
LARJA E HUNDËS
Me dorën e djathtë marrim ujin, e tërheqim pak me hundë. Me dorën e majtë pastrojmë hundën nga sekrecionet nëse ka.
LARJA E FYTYRËS
Bashkojmë shuplakat e duarve, i mbushim me ujë dhe lajmë fytyrën tri herë. Fytyra lahet prej ku dalin flokët e deri nën mjekër dhe prej veshit në vesh.
LARJA E DUARVE DERI NË BËRRYLA
Lajmë tri herë dorën e djathtë e pastaj të majtën deri në bërryla.
FËRKIMI (MES’HI) I KOKËS
Më dorë të lagur fërkojmë ¼ e kokës.
FËRKIMI I VESHËVE
Me duart të lagëta prekim veshët, gishtin e vogël e vëmë në vesh, gishtin e madh pas veshit dhe me tre gishtat e tjerë fërkojmë qafën.
FËRKIMI I QAFËS
Fërkimi i qafës siç e thamë bëhet me tre gishtërinjtë e tjerë nga ana e jashtme e tyre.
LARJA E KËMBËVE
Në fillim lajmë këmbën e djathtë me ndihmën e dorës së majtë deri në kyçe. Pastaj të majtën. Duhet të tregohet kujdes në larjen e pjesës mes gishtërinjve.
ABDESI
Feja Islame e vlerëson shumë pastërtinë. Të jesh i pastër para se të kryesh adhurimet është një nga kushtet fillestare. Kur flasim për faljen e namazit, duhet të dimë që çdo mysliman duhet të ketë fillimisht abdes para se at kryejë atë. Mënyrën e marrjes së abdesit e dimë nga praktika e Profetit tonë (s.a.s).
Para se të marrim abdes mund të kemi nevoja personale. Në lidhje me këtë çështje do analizojmë dy terma: “istinxha” dhe “istibra”.
Istinxha: Është pastrimi i organit nga i cili kemi kryer nevojat tona personale.
Istibra: Meshkujt duhet të jenë të kujdesshëm përsa i përket mosmbledhjes së urinës në organin e riprodhimit pas urinimit. Mënyra më e mirë për ta realizuar këtë është të kolliturit ose të ecurit pak.
Duhet të plotësojmë disa kushte që abdesi të na pranohet. Këta kushte quhen farzet e abdesit.
Farzet e abdesit
- Larja e fytyrës një herë
- Larja e duarve deri në bërryla një herë
- Bërja mes’h e ¼ të kokës (fërkimi me dorë të lagët) një herë
- Larja e këmbëve një herë
Këto kushte janë të domosdoshme për pranimin e abdesit. Por nëse marrim abdes duke praktikuar vetëm këto kushte, ky abdes nuk është i njëjtë me abdesin që ka marrë Profeti (a.s). Nëse praktikojmë dhe sunetet e abdesit, atëherë mund ta plotësojmë atë ashtu si vetë Profeti (a.s).
Sunetet e abdesit
- Shqiptimi i Eudhu bismil’lahit para se të marrim abdes
- Bërja e nijetit
- Përdorimi i misvakut ose pastrimi i dhëmbëve me furçë
- Shpëlarja e gojës dhe e hundës nga tri herë
- Larja e çdo pjese nga tri herë
- Vazhdimi i abdesit pa u ndërprerë
- Të merret abdes sipas radhës së caktuar
- Fërkimi i veshëve dhe qafës
- Fërkimi i tërë kokës
- Kur lajmë këmbët të fillojmë nga gishtërinjtë
Gjërat që e prishin abdesin
Abdesi prishet në rast se:
- Kryejmë ndonjë nevojë.
- Na rrjedh gjak, qelb ose limfë nga trupi.
- Vjellim me gojë plot.
- Na bie të fikët.
- Flemë.
- Dehemi.
- Qeshim me zë në namaz aq sa ta dëgjojnë të tjerët pranë nesh.
- Nga goja del gjak sa të ndryshojë edhe ngjyra e pështymës.
Gjërat që nuk e prishin abdesin
Abdesi nuk prishet në rastet e mëposhtme:
- Nëse nga dhëmbët na rrjedh pak gjak sa të mos ndryshojë ngjyrën e pështymës.
- Nëse qajmë.
- Nëse na del pak gjak nga trupi por që nuk rrjedh.
- Nëse presim flokët apo thonjtë.
- Nëse buzëqeshim në namaz.
Kategoria: Abdesi