MILINGONAT E MENÇURA
Milingonat ishin mbledhur në një shesh të hapur e po bisedonin. Me to ish bashkuar edhe një milingonë e kuqe e ardhur nga vendbanime të largëta.
Me një zë të prerë e të lodhur, milingona e kuqe tha:
“Unë sapo erdha sot në Mekë në torbën e një udhëtari. Gjatë rrugës dëgjova prej tij se paska dalë një njeri që thoka se qenka profeti i një feje të re. Më duket se fenë e re e quakan “Islam”.”
Duke e tundur pelerinën prej pushi që e mbronte nga dielli i shkretëtirës, milingona e kadifenjtë tha:
“Drejt e ke dëgjuar! Ne milingonat, i marrim vesh të gjitha ngaqë mund të hyjmë e dalim kudo!”
“Ç’njeri është ai?”, pyeti milingona e kuqe.
Milingona e kadifenjtë iu përgjigj me një pamje serioze:
“I drejtë, i ndershëm, i besueshëm, i dhimbsur, ndihmëtar, shkurt, njeriu më i sjellshëm ndër banorët e këtushëm. Atë e thërresin “Emin”, “i Besueshmi”!”
“Mirë, po ç’gjëra na urdhëron feja e tij?”
Fjalën e mori milingona e zezë:
“T’i besojmë Allahut, të mos njohim zot tjetër veç Tij dhe të pranojmë se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Na urdhëron të mos vjedhim, të mos gënjejmë, të mos përgojojmë të tjerët, të mos pimë pije alkoolike, të mos luajmë bixhoz.”
“Ç’gjëra të mira!”, tha milingona e kuqe! “Siç duket, të gjithë njerëzit po hyjnë në Islam!”
Milingona me flatra, duke i hapur flatrat, u hodh e tha:
“Armiqtë përpiqen ta pengojnë përhapjen e Islamit. Tre vjet më parë, Profeti Muhamed filloi t’i ftojë njerëzit për në Islam. Por këtë punë e ka bërë gjer tani fshehtas për t’u ruajtur prej armiqve. Të parët që e pranuan Islamin, ishin Hatixheja, Ebu Bekri, Bilali, Osmani e, pas tyre, edhe shumë të tjerë!”
Duke i hapur sytë fort, milingona e zezë tha:
“Por ju s’e dini, moj motra, që unë kam parë se si u bë mysliman Aliu, fëmija i parë!”
“Të lutem, na trego!”, iu lutën shoqet.
“Një ditë po sillesha andej-këtej për të gjetur ushqim dhe hyra në shtëpinë e Profetit Muhamed. Aliu, që ndodhej aty, ishte një fëmijë në të dhjetat. Muhamedi dhe e shoqja, Hatixheja, po falnin namaz. Kur mbaruan, Aliu i pyeti: “Ç’është kjo që po bëni?” I dërguari i Allahut, Muhamedi, i tha: “O Ali, kjo është feja e pëlqyer dhe e zgjedhur nga Allahu! Unë po të ftoj t’i besosh të vetmit Zot, Allahut, dhe po të them të mos u falesh më idhujve që s’u sjellin as dobi e as dëm njerëzve!” Aliu i tha se donte ta bisedonte këtë propozim me të atin, Ebu Talibin.”
“Po ç’i tha Muhamedi atij?”, pyeti me kërshëri milingona e kuqe.
“O Ali! Po të duash, bëj siç të thashë, por, po të mos duash, mbaji fshehur këto që pe e dëgjove këtu, mos askujt i trego!”, e mbaroi rrëfimin milingona e zezë.
Aliu e kaloi atë natë duke menduar. Edhe unë aty prita gjer të nesërmen në mëngjes. Ç’është e drejta, prisja se ç’përgjigje do të jepte ai. Kur u bë mëngjes, Aliu erdhi te shtëpia e Profetit Muhamed dhe tha:
“Allahu nuk e pyeti Ebu Talibin kur më krijoi mua, po unë, pse duhet ta pyes kur dua t’i falem Allahut?”
Kështu Aliu u bë mysliman! Fëmija i parë mysliman!
Milingona e kuqe tha duke i rrahur duart:
“Ç’përgjigje e bukur! Po pas atyre tre vjetëve të ftesës së fshehtë, ç’ndodhi?”
Duke e tundur kokën e vet të madhe, milingona kokëmadhe tha:
“Pastaj, me urdhër të Allahut, filloi periudha e ftesës së hapur. Në fillim, Profeti Muhamed ftoi në Islam të afërmit e tij. Atë ditë unë ndodhesha për vizitë te shtëpia e tij. Ai i kishte mbledhur të gjithë të afërmit. Pasi mbaruan së ngrëni, unë dhe milingonat e tjera iu përveshëm mbledhjes së thërrimeve. Atëherë Profeti Muhamed u ngrit në këmbë dhe foli:
“Vëllezër dhe kushërinj! Unë po ju ftoj t’i besoni Allahut, veç të cilit nuk ka zot tjetër! Kurse unë jam i dërguari i Tij te njerëzit për t’u mësuar fenë e zgjedhur prej Tij!”
“Po të ftuarit, ç’thanë?”
“Xhaxhai i tij, Ebu Talibi, u gëzua dhe i tha se do ta ndihmonte. Edhe të tjerët u bashkuan me të. Vetëm i ungji Ebu Leheb i doli kundër!”
Milingona me flatra rrudhi fytyrën:
“E njoh Ebu Lehebin! Unë jetoj para shtëpisë së tij. Para ca ditësh pashë se si hidhte ndyrësira para portës së shtëpisë së Muhamedit, që e ka edhe komshi. Kurse e shoqja mblidhte ferra e shkurre dhe i shtronte në rrugën nga kalonte Muhamedi. Që të dy janë njerëz shumë të këqij!”
Milingona e kadifenjtë hyri në mes duke tundur pelerinën me push:
“Foleja ime ndodhet në kodrën Safa. Pasi i ftoi të afërmit, Profeti Muhamed e mblodhi në këtë kodër fisin Kurejsh për t’u folur edhe atyre haptas. Atë ditë Ebu Lehebi i foli Muhamedit me fjalë të rënda dhe e qëlloi me gur. Pastaj, siç kam dëgjuar nga myslimanët, zbriti surja “Tebbet” ku tregohej se Ebu Lehebin bashkë me të shoqen i priste një fund shumë i keq.”
Milingona e kuqe i tha:
“Pra, ti paske qenë në kodrën Safa atë ditë! Po ç’u tha Muhamedi njerëzve të fisit Kurejsh?”
Milingona e kadifenjtë tregoi:
“Profeti Muhamed u foli kështu atyre: “O Kurejshë! Po qe se ju them se pas këtij mali ose në atë luginë ndodhet një ushtri armike që do t’ju sulmojë sonte apo nesër në mëngjes, a do të më besoni?” Ata iu përgjigjën të gjithë me një gojë: “Po, do të të besojmë!” Sepse ata kurrë s’e kishin dëgjuar Muhamedin të gënjente apo të mos e mbante fjalën, prandaj edhe e thërrisnin Emin. Ai ishte njeriu më i drejtë mes tyre! “Atëherë, po ju them se unë jam ngarkuar t’ju lajmëroj se mbi ju do të bjerë një ndëshkim i rëndë!”, u tha Profeti Muhamed. “Allahu i Lartë më urdhëroi: “Frikësoji njerëzit e tu të afërt me ndëshkimin e jetës tjetër!” Dhe vazhdoi: “Unë po ju ftoj të besoni se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se unë jam robi dhe i Dërguari i Tij tek ju dhe tek të gjithë njerëzit. Po qe se pranoni, mund t’ju them se do të shkoni në xhenet, në parajsë!” Të gjithë e dëgjuan me vëmendje dhe, pastaj, u larguan që aty.”
Milingona e kuqe dëgjonte me kureshtje të madhe. Në mendje i kishte ardhur një pyetje:
“Ç’bëjnë tani idhujtarët?”
“Tani ata po i mundojnë shumë Muhamedin dhe besimtarët. Por mundimet dhe torturat e tyre nuk e largojnë dot të Dërguarin e Allahut nga rruga. Ai nuk heq dorë nga detyra e tij për t’u folur njerëzve për Islamin, për besimin e drejtë në një Zot të vetëm. As myslimanët nuk heqin dorë nga besimi; përkundrazi, numri i tyre shtohet nga dita në ditë! Prandaj edhe shqetësimi dhe të ligësia e idhujtarëve shtohen gjithnjë e më shumë!
Duke bërë shenjë me antenat, milingona kokëmadhe pyeti:
“Pa shihni! A s’janë ata parësia e idhujtarëve? Janë mbledhur dhe po drejtohen për te shtëpia e Ebu Talibit!”
Milingona e zezë propozoi:
“Ejani të shkojmë dhe ne! Të shohim ç’do të thonë!”
Milingonat u nisën për te shtëpia e Ebu Talibit dhe hynë brenda nga një e çarë nën portë. Pastaj u rreshtuan përgjatë murit të dhomës ku u mblodhën njerëzit. Ebu Talibin e kishin mu përballë. Pas pak, brenda hynë idhujtarët. Milingonat i kthyen antenat që të dëgjonin sa më mirë! Kjo ishte e dyta herë që idhujtarët vinin në shtëpinë e Ebu Talibit.
“O Ebu Talib”, iu drejtua njëri prej tyre, “ti je njëri prej të parëve dhe më pleqve tanë! T’u drejtuam një herë ty që ta bëje tët nip të hiqte dorë nga gjërat që bën dhe fjalët që thotë. Por ti nuk bëre siç të kërkuam. Të betohemi se këtej e tutje nuk do të durojmë dot më që ai të na i fyejë etërit dhe gjyshërit, t’i quajë ata të pamend e t’i shajë zotat tanë! Tani, ose do t’ia mbyllësh gojën atij, ose ne do të luftojmë kundër jush gjersa njëra palë të shfaroset!”
Dhe u larguan.
Ebu Talibi ishte xhaxhai i Profetit. Ai e pati mbrojtur qysh kur ishte i vogël.
Milingona kokëmadhe u pëshpëriti shoqeve:
“Me sa e njoh unë, Ebu Talibi nuk dëshiron të veçohet nga fisi, por edhe të nipin nuk mund ta lërë të vetëm, pa mbrojtje! Të shohim se ç’do të bëjë!”
Ebu Talibi i çoi fjalë Muhamedit. Milingonat nuk lëvizën nga vendi.
Dhe ja, ku hyri brenda një burrë me fytyrën si drita. Ishte Profeti, Muhamedi! E mahnitur nga pamja e tij, milingona e kuqe tha me mallëngjim:
“Ç’fytyrë të bukur e tërë dritë që paska! Ja, pra, ky qenka Muhamedi! Kurrë gjer tani s’kam parë një njeri të tillë!
Ebu Talibi nisi t’i flasë të nipit me një zë lutës:
“O biri i tim vëllai! Paria e fisit erdhën te unë e më thanë për fjalët e tua. Të lutem, mos merr përsipër një barrë që s’mund ta mbajmë as unë, as ti! Mos u thuaj më njerëzve fjalë që s’u pëlqejnë!”
Përfaqësuesi dhe i Dërguari i Zotit ia ktheu i vendosur, me fjalë të prera:
“Ta dish mirë, o xhaxha, se edhe sikur të m’i vënë Diellin mbi dorën e djathtë dhe Hënën, mbi të majtën, unë nuk heq dorë nga ky besim dhe nga përhapja e tij! Ose Allahu do t’i japë fitoren fesë së Tij, ose unë do të jap jetën për të!”
Të gjitha milingonat ngrinë para një përgjigjeje të tillë! Sytë u ishin përlotur.
Edhe Ebu Talibi dukej i tronditur. Vendosmëria e të nipit e kishte prekur thellë! Ebu Talibi iu hodh në qafë dhe i tha:
“O im nip! Vazhdo siç e ke nisur! Unë do të të mbroj gjer në fund!”
Milingonat i kishte prekur thellë kjo skenë. Pasi dolën nga shtëpia e Ebu Talibit dhe u mblodhën sërish në shesh, milingona e zezë, duke iu drejtuar milingonës së kuqe, tha:
“Shih, moj motër! Robi më i dashur i Zotit, Muhamedi, i cili u bën thirrje njerëzve të mendojnë dhe veprojnë drejt, si rrjedhojë, të shpëtojnë nga ndëshkimi i jetës tjetër, jeton mes nesh. Ne e duam shumë atë, mirëpo ende shumë vetë sillen si armiq ndaj tij. Sa keq!”
Me zërin që i dridhej nga ngashërimi, milingona e kuqe tha:
“Edhe unë do të rri këtu! Nuk dua të ndahem prej tij sa të jem gjallë!”
A e kuptuat tregimin?
- Ç’tregon milingona e zezë mbi fenë islame?
- Diskutoni me një më të rritur mbi fjalët e Aliut kur vendosi të bëhej mysliman.
- Kush ka qenë Ebu Lehebi? Ç’veprime të këqija bënte ai?
- Ç’vështirësi përballonin myslimanët për besimin e tyre?
- Dihet se feja Islame e ndalon gënjeshtrën. Pse gënjeshtra është e keqe dhe pse të gënjesh është veprim i keq? A ju vjen mirë juve po t’ju gënjejnë? Pse?
- Ç’përgjigje i jep Profeti Muhamedi xhaxhait të tij, Ebu Talib?
- Pse e duam shumë Profetin tonë?
Kategoria: Tregime të zgjedhura