Namazi i Bajramit

NAMAZI I BAJRAMIT

Namazi i Bajramit falet dy herë në vit, në Bajramin e Ramazanit dhe atë të Kurbanit. Falja e namazit të Bajramit është vaxhib. Falet ditën e parë të Bajramit, në një afat të caktuar pas lindjes së diellit.

Namazi i Bajramit falet kështu:

Bëhet nijeti për të falur namazin e Bajramit, lidhemi pas imamit dhe fillojmë namazin duke thënë “Allahu Ekber”. Lexojmë Subhaneken në heshtje. Imami merr tekbir duke ngritur duart tek veshët.

Edhe xhemati merr tekbir pas imamit dhe pastaj i lëshon duart poshtë. Herën e dytë marrim përsëri tekbir dhe i lëshojmë duart. Përsëri marrim tekbir për herë të tretë dhe pas tij i lidhim duart. Imami lexon Fatihanë dhe një sure. Biem në ruku dhe sexhde dhe pastaj ngrihemi në rekatin e dytë.

Në rekatin e dytë imami lexon Fatihanë dhe një sure. Pas leximit të tyre përsëri ashtu siç bëmë në rekatin e parë, marrim tre tekbire. Në tekbirin e katërt biem në ruku, pastaj në sexhde. Ulemi në uljen e fundit dhe japim selam.

Pas faljes së namazit të Bajramit dëgjojmë hutben.

Tekbiret e teshrikut

Gjatë Kurban Bajramit këndojmë tekbire pas çdo namazi farz duke filluar pas faljes së namazit të sabahut ditën e parë të Bajramit deri pas faljes së namazit të ikindisë në ditën e katërt. Këto quhen tekbire teshrikë dhe janë vaxhib.

Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il’lallahu uallahu ekber, Allahu ekber ue lil’lahil hamd