Namazi i Xhumasë

NAMAZI I XHUMASË

Përveç pesë kohëve namaz të detyruara, çdo mysliman mashkull është i obliguar të falë edhe namazin e xhumasë.

Namazi i xhumasë falet ditën e premte në kohën e namazit të drekës dhe me xhemat. Ka dhjetë rekate, katër rekate sunet, dy rekate farz dhe katër rekat sunet të fundit.

Mënyra e faljes së xhumasë:

Katër rekatet e parë sunet të xhumasë:

Bëhet nijeti për faljen e namazit të xhumasë dhe falet njëlloj si suneti i parë i namazit të drekës.

Dy rekatet farz të xhumasë:

Para se të falen dy rekatet farz të namazit të xhumasë duhet të dëgjohet hutbeja. Pasi thërret ikameti, bëhet nijeti për faljen e farzit të xhumasë dhe lidhemi pas imamit. Pasi imami thërret tekbirin edhe xhemati e përsërit dhe lexon në heshtje vetëm Subhaneken. Nuk lexohet asgjë tjetër. Edhe në rekatin e dytë nuk lexohet asgjë. Biem në ruku, sexhde dhe ulemi në uljen e fundit për të lexuar duatë. Japim selam bashkë me imamin. Kështu përfundon falja e farzit të xhumasë.

Katër rekatet e fundit sunet të xhumasë:

Edhe këta falen njëlloj si suneti i parë i drekës.