Në një luginë në afërsi të Mekës, pemët ishin mbledhur dhe po bisedonin.
Duke i lëvizur gjethet për t’u freskuar, një fidan u foli pemëve:
“Sot dita qenka shumë e nxehtë”
Druri i hurmës mu aty afër i tha:
“Po, kështu! Po ç’farë ka këtu për t’u ankuar?”
“Ç’do të thuash me këtë?”, iu përgjigj po me pyetje fidani.
“Pa mendo, kur koha bëhet e nxehtë, nga liqenet dhe detet avullon më shumë ujë dhe Zoti ynë i sjell retë e shiut mbi ne e nga to zbrazet ai shiu aq i dëshiruar. Ne pimë e kënaqemi, por edhe bëjmë një banjë të mirë e pastrohemi!”
Duke i tundur kokrrat e bëra të frutit të tij, druri i misvakut, degët e holla të të cilit njerëzit i shtypnin e i bënin si furçë për të pastruar dhëmbët, tha:
“Hurma foli drejt. Ne vetë nuk mund të shkojmë as në breg të lumenjve, as në breg të liqeneve! Mendoni sikur ne të mund të lëviznim sa andej-këtej! Sa do të frikësoheshin njerëzit!”
Të gjithë qeshën nga këto fjalë!
Druri i misvakut vazhdoi:
“Zoti është shumë i mëshirshëm. I vjen keq për ne dhe na e sjell ujin mu në gojë!”
“Lëre këtë, por kujto që neve na ka dhënë rrënjë më shumë se pemëve që jetojnë në vende me klimë të butë e të lagësht! Prandaj ne mund ta gjejmë ujin edhe në vende që duken krejt të thata ose në thellësi më të mëdha!”, tha hurma.
Fidani buzëqeshte me kënaqësi.
“Edhe unë dua të rritem si ju e të jap fruta. Njerëzit do të hanë e do të kënaqen. Kjo më pëlqen shumë! Njerëzit i dua shumë!”, tha ai.
Druri i hurmës buzëqeshi hidhur:
“Kur isha sa ti, isha shumë i padjallëzuar, mendoja se të gjithë njerëzit janë të mirë, pra dhe doja t’u jepja që të gjithëve për të ngrënë. Por këta idhujtarët e Mekës më kanë dëshpëruar shumë. Nuk dua të hanë nga frutat e mi!”
“Pse, ç’kanë bërë ata?”, pyeti fidani me kureshtje.
“Ti je ende i vogël, s’e di. Ne kemi vite që jemi këtu. Ç’gjëra që ndodhën në Mekë! Para se të mërgonin në Medine, myslimanët jetonin këtu, në Mekë. Aty i kishin tokat, shtëpitë. Idhujtarët u bënë shumë të liga myslimanëve që të hiqnin dorë nga besimi dhe feja e tyre. Më në fund, Profeti Muhamed dhe myslimanët u detyruan të largohen nga vendi. Ata lanë gjithçka që kishin dhe mërguan. Ata ishin gati të bënin çdo lloj vetëmohimi për ta jetuar lirisht besimin dhe fenë e tyre.
Fidani e pyeti:
“Kur ndodhi hixhreti?”
Druri i hurmës bëri një llogari me degët siç bëjmë ne me gishta. Duke menduar se atë kohë ndodheshin në vitin 630, u përgjigj:
“Para tetë vjetësh. Me ç’kam dëgjuar nga udhëtarët që pushojnë nën degët e mia, myslimanët në Medine shtohen dhe forcohen çdo ditë e më shumë. Ata u dëshpërokan shumë që në Qabe paska ende idhuj. Ata dashkan ta shpëtojnë sa më shpejt Qabenë nga kjo gjendje.”
Fidani i hapi gjethet:
“Po pse myslimanët nuk veprojnë menjëherë?”
“Edhe unë ka kohë që jam kureshtar për këtë”, tha druri i misvakut duke i lëkundur degët. “Por kam marrë vesh se mes tyre paska një marrëveshje që i thokan “Marrëveshja e Hudejbijes”. Sipas saj, mes myslimanëve dhe idhujtarëve nuk do të ketë luftë për dhjetë vjet! Ju e dini se me këdo që të kenë të bëjnë, myslimanët e mbajnë fjalën!”
Mes pemëve u bë një qetësi e shkurtër. Ndërkaq, nga larg erdhi fluturim një zog. I lodhur e i këputur, ai u ul mbi një degë të drurit të hurmës.
Drurët dhe pemët mësonin shumë gjëra nga zogjtë e nga shpendët.
“Shumë i lodhur e i uritur dukesh o vëlla zog”, i foli hurma duke ia tundur para syve një degë. “Të qoftë për mbarë, prej nga po vjen?”
Ndërsa hante hurmën, zogu iu përgjigj:
“Nga Medina po vij. Kam një lajm të rëndësishëm për ju.”
Pemët u bënë kureshtare. Ç’mund të ishte ky lajm i rëndësishëm?
Pasi mori pak frymë, u vu të tregonte me emocion:
“Idhujtarët e prishën marrëveshjen. Ata sulmuan një fis mysliman.”
“Ou? A është e vërtetë kjo?”
“Po myslimanët, ç’bëjnë tani?”
“Ushtria islame me Profetin në krye, u mblodh. Plot dhjetë mijë vetë! Janë nisur dhe së shpejti do të arrijnë këtu. Vijnë për ta çliruar Mekën!”
Nga gëzimi i madh, pemët nisën të bërtasin:
“Urra! Rroftë ushtria islame! Profeti Muhamed po vjen këtu!”
Nuk kaloi shumë kohë dhe, në mbrëmje, ushtria islame nisi të vinte në luginën ku ndodheshin pemët që po bisedonin.
Gëzimi i pemëve kishte arritur kulmin. Sapo e panë Profetin Muhamed nga larg, nisën të bërtasin duke i përplasur degët me njëra-tjetrën:
“Ja, ja! Po vjen i Dërguari i Allahut!”
Ushtria islame qëndroi në luginë. Me urdhrin e Profetit, çdo ushtar ndezi një zjarr. Pas pak, e gjithë lugina ishte bërë ditë nga flaka e dhjetë mijë zjarreve!
Pema e hurmës tha:
“Pa shihni! Frika në sytë e idhujtarëve mekas dallohet prej këtu! E kanë kuptuar se Meka është rrethuar!”
Druri i misvakut tha me kënaqësi:
“Pa shihni se ç’bën Allahu? Idhujtarët që gjer disa vite më parë s’lanë të këqija e mundime pa bërë mbi myslimanët, tani i ka zënë frika!”
Në atë mes, disa nga shokët e Profetit kishin ardhur pranë drurit të misvakut. Druri i misvakut i uli degët drejt tyre. Të gjitha pemët ishin gati t’i jepnin të gjitha frutat për myslimanët. Profeti u tha shokëve:
“Merrni e hani nga frutat e pjekur të nxirë të misvakut!”
Shokët i thanë me kureshtje:
“O i Dërguari i Allahut, vetëm barinjtë i njohin frutat e pjekura të kësaj peme. A edhe ti ke ruajtur dhentë?”
“Çdo profet ka qenë bari. Edhe unë në Mekë kam ruajtur dhentë e Ebu Talibit!”, tha Profeti. Kur kish qenë i vogël, ai kishte ndihmuar të ungjin duke ia kullotur bagëtinë.
Pemët ishin shumë të lumtura që patën si miq ushtarët e ushtrisë islame. Kur erdhi koha, ushtria islame u nis drejt Mekës.
Kur ushtria islame po hynte në Mekë, pema e hurmës tha:
“Pa shihni! Profeti po hyn në Mekë i thjeshtë, me kokën përkulur! Ai e falenderon Allahun që e bëri t’i shihte ato ditë. Ai u thoshte shokëve: ‘Po s’iu doli kundër kush, me asnjë njeri nuk do të ndesheni!’”
“Edhe unë po e shoh”, tha druri i misvakut. “Megjithëse në qytet hyri një ushtri aq e madhe, kudo ka qetësi dhe siguri të madhe. Profeti po shkon drejt Qabesë. Shihni tani se si të gjithë me një gojë po thonë tekbir: ‘Allahu ekber, Allahu ekber!’”
Fidani që ende e kishte shtatin të shkurtër, nuk mund t’i shihte ata, por i ndiqte ngjarjet me emocion duke i dëgjuar nga shokët e duke i pyetur vazhdimisht:
“Po tani, ç’po bëhet tani?”
Pema e hurmës tregonte:
“Profeti Muhamed po bën Qabenë tavaf. Tani po fal dy rekate namaz. Ai po jep urdhër të pastrohet Qabeja prej idhujve. Shihni, shihni, cilin idhull të bëjë me shenjë me shkopin që ka në dorë, ai idhull rrëzohet përdhe e bëhet copë-copë.”
Druri i misvakut tha:
“A po e dëgjoni, tani po këndohet ezani. Bilali ka hipur mbi Qabe dhe po këndon ezan. Sa bukur që i vjen zëri!”
Të gjitha pemët u vunë ta dëgjojnë në heshtje dhe mahnitje ezanin.
Kur ezani përfundoi, pema e hurmës tha:
“Unë e njoh Bilalin! Ai ka qenë poshtëruar nga njerëzit sepse është zezak dhe, pasi u bë mysliman, vuajti shumë tortura. Më shumë për të gëzohem që Islami i quan të gjithë njerëzit të barabartë!”
Druri i misvakut rrinte i menduar.
“A e dini, shokë, se për çfarë jam kureshtar? Si do të sillet Profeti Muhamed me idhujtarët që u kanë bërë aq të këqija myslimanëve? Myslimanët që janë sot shumë të fortë, mund t’u bëjnë atyre ç’të duan! Të shohim ç’do të ndodhë!”
“Dëgjoni! I Dërguari i Allahut po u flet njerëzve.”
“Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Vetëm Ai është! Ai e solli në vend premtimin, e ndihmoi robin e vet dhe i shkatërroi armiqtë e bashkuar kundër tij!
O njerëz!
Më i nderuari mes jush para Allahut është ai që e ka më shumë frikë Atë!
O kurejshë! Ç’mendoni tani se kam për të bërë për ju?”
Idhujtarët kurejshë thanë njëzëri:
“Mendojmë se do të na bësh vetëm të mira e dobi!”
Emocioni kishte arritur kulmin. Si do të sillej, vallë, profeti i Allahut ndaj idhujtarëve që kishin bërë aq të këqija? Më në fund, Profeti e tregoi vendimin e vet:
“Allahu ju faltë! Ai është më mëshiruesi i mëshiruesve! Jeni të lirë! Shkoni!”
Pemët kishin mbajtur frymën. Për herë të parë ato shihnin një mirësi të tillë! Sytë u ishin mbushur me lot!
Pema e hurmës tha duke iu dridhur zëri:
“Shihni, o vëllezër e motra! Ai është me të vërtetë profeti i mëshirës. Më i dhembshuri i njerëzve, më i mëshirshmi i njerëzve!”
Druri i misvakut tha:
“Siç duket, për këtë gjë e do Allahu Profetin Muhamed më shumë se njerëzit e tjerë!”
Fidani i pyeti të mëdhenjtë me gëzim:
“Edhe ne, sa më shumë të përpiqemi t’i ngjajmë Profetit e të bëjmë siç na thotë ai, aq më shumë na do Allahu, apo jo?”
“Sigurisht, fidan! Allahu urdhëron në Kuran: ‘Bëj lehtësi, fal dhe këshillo për të mirë!’ Edhe ne të gjithë kështu duhet të sillemi e veprojmë, sepse Profeti Muhamed është mësuesi ynë!”
A e kuptuat ngjarjen?
- A bëjnë të gjitha pemët fruta? Pemët që s’bëjnë fruta ose, siç i quajmë, drurët jofrutorë, a s’vlejnë për gjë?
- Jepni shembuj të mëshirës së Allahut për krijesat e Tij.
- Ç’lajme u sjellin zogjtë pemëve?
- Si e kishte ndihmuar Profeti në vegjëli familjen? Po ju, a e ndihmoni familjen tuaj?
- Si hyn Profeti në qytetin e Mekës? Ndërkaq, idhujtarët në ç’gjendje ndodhen?
- Ç’bën Profeti pasi hyn në Mekë?
- Si është kënduar ezani për herë të parë?
- Mësojeni përmendësh ezanin dhe kuptimin e tij shqip.
- Si sillet Profeti me idhujtarët pas çlirimit të Mekës?
- Diskutoni mbi rëndësinë e faljes në islam.
- Pse i thuhet Profetit tonë, “Profeti i mëshirës”
Kategoria: Tregime të zgjedhura