PJESA E LUANIT
Një ditë prej ditësh, luani, ujku dhe dhelpra dolën në pyll për të gjuajtur. Këto kafshë, që ishin marrë vesh për të ndihmuar njëra-tjetrën gjatë gjahut, synonin të dilnin faqebardha prej kësaj gjuetie.
Megjithëse u vinte turp që të gjuanin bashkë, luani, ujku dhe dhelpra kishin rënë në një mendje për të gjuajtur së bashku dhe të pa ndarë. Luani, ujku dhe dhelpra kishin shëtitur çdo cep të pllajës dhe të pyllit, por kishin arritur të gjuanin vetëm një ka, një dhi të egër dhe një lepur të butë. Gjahun e zbritën poshtë në pyll.
Ujku dhe dhelpra po prisnin që mbreti i mbretërve, luani, të ndante me drejtësi gjahun që kishin arritur të kapnin gjatë asaj dite. Luani e kuptoi gjendjen e tyre dhe filloi të mendonte për lojën që do t’u luante.
Pas një çasti luani i drejtohet ujkut:
– O ujk, hajde e na i ndaj këto mishra.
– Imzot, demi i egër qoftë yti, sepse ai është i madh, ashtu si dhe ti je i madh. Je i shkathët dhe tërë gjallëri. Dhinë le ta marr unë, sepse është një gjah me madhësi mesatare. Ndërsa dhelpra le të marrë lepurin, – shprehu drejtësinë e tij ujku.
Me të mbaruar fjalët e derdhura prej gojës së ujkut, luani e bëri copë e çikë ujkun e paditur dhe të pasjellshëm.
Ndërkohë, iu kthye dhelprës:
– Pa na i ndaj këto ushqime!
Dhelpra u ul gjithë mirësjelljeje duke i kthyer përgjigje:
– Mirë o mbret i shtrenjtë, ky dem i egër le të jetë ushqimi yt i mëngjesit, dhia le të jetë vakti i drekës, ndërsa lepuri le të jetë darka juaj e lehtë.
– Sa drejtë që i ndave moj dhelpër! Pa më thuaj njëherë, ku e ke mësuar këtë lloj drejtësie ti? – e pyeti luani i habitur prej drejtësisë së dhelprës.
– Këtë drejtësi e mësova pak më parë, kur ti copëtove ujkun, o mbret i botës, – iu përgjigj dhelpra dinake.
Luani, me t’i dëgjuar këto fjalë, e pëlqeu shumë modestinë e dhelprës, andaj një pjesë të gjahut vendosi që t’ia dhuronte asaj.
“Njeri i mençur është ai që nxjerr mësime nga humbja e miqve të zemrës dhe nga fatkeqësitë e tjera të jetës.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi