RROBAQEPËSI HILEQAR
Njëherë e një kohë na jetonte një rrobaqepës mashtrues dhe xhambaz që e quanin Djaliimushkërisë. Një burrë tejet i zgjuar, që besonte jashtëzakonisht shumë në vetvete, hyri në bast me miqtë e tij se nuk kishte asnjë mundësi që ky rrobaqepës të mund ta mashtronte. Ai u premtoi atyre se në rast se do ta humbte bastin e vendosur, do t’u dhuronte kalin më të fisëm që kishte, pa iu dridhur syri.
Burri, që edhe në ëndrra, nga mbrëmja në të gdhirë, shihte veç kapërthime me hajdutë nga më të ndryshmit, një ditë mori një top me stof nga më i miri, duke u drejtuar për nga banesa e rrobaqepësit. Rrobaqepësi, që në çastet e para e priti me lajka të shumta, të cilat e bënë burrin në fjalë të lidhej fort pas tij. Ai i kërkoi rrobaqepësit, që me këtë copë kaq të bukur, t’i qepte një pelerinë për luftë, e cila të ishte e ngushtë nga sipër dhe e gjerë nga poshtë.
Burri i tregonte pareshtur atij, me një këmbëngulje të vazhdueshme, se donte një pelerinë që “nga brezi e poshtë, të ishte e gjerë; ndërsa nga beli e sipër, të ishte e ngushtë”. Rrobaqepësi i mençur filloi sakaq të priste copën e mrekullueshme, njëkohësisht po i fliste klientit të tij për heronj, trima, zotërinj dhe mashtrues të shumë, të cilët ishin edhe personazhet kryesore nëpër këto tregime a anekdota, që ai po tregonte.
Burri i gjorë ishte i detyruar t’i dëgjonte të gjitha dërdëllitjet që dilnin prej gojës së këtij rrobaqepësi llafazan. Rrobaqepësi e fshihte poshtë tavolinës çdo copë të prerë të stofit, kur shihte që burri mbyllte sytë teksa qeshte. Muhabetet e bukura që tregonte ky rrobaqepës e bënë të mjerin burrë të harronte që në të vërtetë ky rrobaqepës ishte veç një mashtrues mjeshtër. Burri qeshi aq shumë prej një prej anekdotave që rrëfeu rrobaqepësi, sa ra përtokë duke u përpëlitur nga eglendisja. Rrobaqepësi, tashmë nuk mund të duronte dot pa i prerë edhe një tjetër pjesë nga stofi, duke e futur atë në gjoks me një fshehtësi të thekur.
Burri, pas çdo historie, i lutej rrobaqepësit që t’i tregonte edhe një tjetër. Ndërsa burri qeshte aq shumë sa herë pas here hynte në kriza qeshjesh të pakontrolluara. Rrobaqepësi mezi i priste këto raste për të kryer një tjetër klepsje, duke e futur me mjeshtëri në një nga vendet që i vinte më për mbarë. Mirëpo klienti i tij nuk dinte të ngopur. Rrobaqepësi tashmë ishte bindur që e kishte mashtruar më së lehti këtë njeri kaq naiv, aq shumë sa nga një anë filloi të ndjente një keqardhje për të. Burri i kërkoi t’i tregonte edhe një histori tjetër. Rrobaqepësi, që tanimë ishte ngopur, iu përgjigj:
– Mjaft, se po të tregova edhe një tjetër gazmore, mjerë ti! Do të të bëhet pelerina aq e hollë sa kam frikë se nuk do të të nxërë. Ç’ka këtu për të qeshur? Nuk është aspak e përshtatshme. Jam i sigurt se po ta dije të vërtetën siç është, në vend që të gajaseshe, do të qaje me lotë gjaku.
“Rrobaqepësi mashtrues ta pret copën e qepjes, pak e nga pak, me gërshërët e muajve; teksa ti veç kërkon shkakun pse ylli nuk të bëri të buzëqeshje, duke u ankuar vazhdimisht se ditët që kaluan ishin të këqija.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi