Skllavi i mençur

SKLLAVI I MENÇUR

Njëherë e një kohë, një mbret kishte një skllav të mençur, po ç’të mençur se. Mbreti i jepte atij përveç dhuratave të shumta, edhe një rrogë të majme nga interesi i madh që ai i ndillte.

Të gjithë nëpunësit e mbretit e xhelozonin interesimin që mbreti tregonte për të, por mbi të gjitha ata xhelozonin rrogën tij, e cila ishte e barasvlershme me tridhjetë rroga normale nëpunësish.

Një ditë, punëtorët e mbretit vendosën të shkonin e të flisnin vetë me mbretin:

– Megjithëse mendja e këtij skllavi nuk është sa tridhjetë mendjet tona, si është e mundur që merr vlerën që duhet të merrnin tridhjetë mendje?

Mbreti u tha se këtë çështje do ta flisnin më vonë, e sakaq i kishte ftuar të tridhjetë burrat që kishin ardhur, që të tërë së bashku të dilnin për gjah. Teksa po gjuanin, që së largu vunë re një karvan që po u afrohej.

– Pa shko e pyeti njëherë se nga cili qytet po vijnë, – i dha urdhër njërit prej njerëzve të tij.

Burri shkoi të pyeste dhe u kthye me këtë përgjigje:

– Imzot, vijnë prej qytetit të Rejit.

– Po për ku po shkojnë? – e pyeti sërish mbreti njeriun e tij.

Mirëpo ky i fundit ngeli si i ngrirë, sepse nuk dinte t’i kthente asnjë përgjigje.

Mbreti dërgoi një tjetër nga shpura e tij.

– Ik e pyeti, për ku shkon ky karvan, – urdhëroi mbreti kësaj radhe.

Burri i grahu kalit dhe shkoi për të pyetur se për ku po shkonte ai karvan.

– Imzot, ata po shkojnë në Jemen, – u përgjigj njeriu i dytë.

– Po me çfarë ishin të ngarkuar? – pyeti mbreti sërish, me një pyetje që i habiti të gjithë të pranishmit.

Mbreti dërgoi një tjetër njeri që të pyeste se me çfarë ishin të ngarkuara kafshët e këtij karvani. I dërguari, pasi mësoi se me çfarë ishte i ngarkuar karvani, u kthye menjëherë për tek mbreti i tij, që t’i jepte informatat e sakta duke i thënë se përveç gjërave personale, përmbante një sasi të konsiderueshme thasësh të Rejit.

– Në ç’kohë qenë nisur prej Rejit? – pyeti mbreti, mirëpo askush nuk dinte asgjë.

Kështu, tridhjetë burra të ndryshëm u nisën për të mësuar gjëra të ndryshme që mbreti donte t’i dinte në lidhje me karvanin, por asnjëri nuk kishte arritur të sillte të gjithë informatat e nevojshme në një të shkuar.

Mbreti, këtë herë vendosi të provojë pikërisht njeriun që e paguante sa tridhjetë burra të tjerë. Ai shkoi menjëherë pranë karvanit për të mësuar ato çfarë mbreti i kishte kërkuar të dinte, e sakaq ishte kthyer me të gjithë informacionin e nevojshëm, madje deri në detajet më të imta.

– Shikoni, vetëm ky burrë mund të bëjë pa ndihmën e askujt atë që ju, tridhjetë burra, nuk arritët dot ta bëni. Atë që këta burra e mësuan duke shkuar e ardhur tridhjetë herë me radhë, ai ma pruri të gatshme vetëm me një të shkuar.

Të gjithë që e rrethonin, e përgëzuan mbretin për drejtësinë e tij të pashoqe, duke u bindur plotësisht se sjellja që ai ndiqte ndaj atij njeriu të mençur ishte me të vërtetë një lëvizje e zgjuar.

“Ajo çka njeriut i vjen prej vetë natyrës së tij, nëse një ditë, i ndodh diçka e keqe, dije se e ka ngase nuk ka punuar siç duhet, ashtu siç e mira i vjen vetëm prej punës së mirë.”