Sulltan Mahmuti dhe hajdutët

SULLTAN MAHMUTI DHE HAJDUTËT

Një natë, ndërsa Sulltan Mahmuti po shëtiste i vetëm, vuri re një grup hajdutësh. Hajdutët, ngase nuk e njohën sulltanin e veshur tebdil, e pyetën se kush ishte dhe pse shëtiste vetëm në ato anë.

– Edhe unë jam një prej jush, – iu përgjigj sulltani.

– Unë them që secili prej nesh të tregojë marifetet e veta, – propozoi njëri nga radhët e hajdutëve. Ndërkohë që secili prej tyre kishte filluar tashmë të tregonte.

Njëri prej tyre, u hodh e tha:

– O ju që shisni dëngla me marifetet tuaja, pa më dëgjoni njëherë mua. Marifeti im qëndron pikërisht në veshët e mi. Unë e kuptoj menjëherë se ç’dëshiron të thotë një qen që leh.

Mirëpo të gjithë hajdutët zunë të qeshnin duke i thënë se marifeti i tij nuk vlente dy pare.

Ndërkohë, i dyti filloi të tregonte të tijin:

– Ndërsa marifeti im janë sytë. Nëse përballem me dikë në errësirën pus të natës, pa dyshim që e njoh atë gjatë ditës.

– Ndërsa unë kam krahun, – filloi të tregonte i treti. – Me forcën e krahut tim mund të hap gropa ku të më dojë qejfi, – tha ai me pamjen e një mburraveci.

Radha i kishte ngelur hajdutit të fundit.

– Ndërsa sekreti im fshihet pas “kthetrave” të mia. Me to mund ta hedh një lak deri në majën e një mali, – shprehu ai marifetin e tij.

Më në fund radha i erdhi sulltanit, që i kishte dëgjuar marifetet e të gjithë hajdutëve.

– Cili është marifeti yt? – e pyetën hajdutët

– Ju dëgjova me kureshtje. Sekreti im është mjekra ime. Të gjithë fajtorët vetëm prej saj shpëtojnë, – u përgjigj ai. Kjo ishte një përgjigje që ia shtoi akoma edhe më tepër kureshtjen hajdutëve. Nëse fajtorët i shpien tek xhelati, shpëtimi i tyre qëndron vetëm në një të luajtur të mjekrës sime. Mjafton që unë të luaj pak me të dhe xhelatët heqin dorë, duke mos i vrarë…

Hajdutët, me të dëgjuar fjalët e sulltan Mahmutit, të gjithë në një gojë iu drejtuan duke i thënë:

– Ti je prijësi ynë, se vetëm prej teje ne do të mund të shpëtojmë në ditë të vështira, – dhe të gjithë së bashku u nisën për rrugë.

Atëherë sulltani i zgjuar, i propozoi:

– Meqë më zgjodhët mua për prijës, atëherë unë them që të shkojmë e të vjedhim nga thesaret e mbretit.

Të gjithë së bashku u nisën në drejtim të pallatit mbretëror. Teksa po i afroheshin pallatit, ata dëgjuan disa të lehura qensh.

Hajduti që e kuptonte gjuhën e qenve, pasi e dëgjoi me kujdes qenin, u kthye nga miqtë e tij duke u thënë:

– Qeni bërtet duke thënë se mbreti ndodhet këtu mes nesh.

Ndërsa një tjetër hajdut, i cili po nuhaste dheun, tha:

– Kjo tokë është toka e një gruaje të vé.

Ndërsa pasi përparuan edhe ca, ai u hodh duke thënë se tani ndodheshin pikërisht në tokën ku gjendeshin thesaret e sulltanit.

Hajduti që ishte mjeshtër në hedhjen e lakut, hodhi një lak në bedenat e kështjellës dhe filloi të ngjitej sipër. Ndërsa hajduti që me grushtin e tij mund të hapte gropa kudo, hapi një vrimë të stërmadhe në murin e kështjellës, kështu që hajdutët mund të depërtonin lehtazi në oborrin e pallatit mbretëror. Ata i fshehën florinjtë, copat e mëndafshit me varakë argjendi dhe shumë sende të tjera me vlerë, që vodhën, në një vend që vetëm ata mund t’i gjenin sërish.

Mbreti i mençur, u fsheh me mjeshtëri duke i ruajtur në mendjen e tij emrat, vendqëndrimin dhe pamjet e tyre të secilit prej hajdutëve. U kthye fshehtazi në pallatin e tij, dhe në të gdhirë ia tregoi ato që kishte përjetuar gjatë natës njerëzve që mbante përreth. Ushtarët e mbretit me të marrë të dhënat e tyre, shkuan për t’i kapur. Më në fund, të gjithë hajdutët e zbuluar prej ushtrisë së sulltanit, gjendeshin tashmë të lidhur përpara tij.

Hajdutët duarlidhur, sakaq po dridheshin përpara mbretit hijerëndë. Por, me të dalë përballë mbretit, ç’të shihnin: a nuk ishte ky miku i tyre i natës, me të cilin tok ata kishin vjedhur nga thesaret e sulltanit?

Hajduti që e njihte menjëherë gjatë ditës dikë që rastiste në errësirën e natës, e njohu menjëherë.

– O sulltan i fshehur, tashmë erdhi koha që të tregohesh bujar dhe të na bësh një të mirë duke luajtur mjekrën tënde. Të lutemi, na shpëto nga kjo gjendje ku ndodhemi! – zunë t’i përgjëroheshin ata njëzëri.

Sulltani, pasi e kuptoi që hajdutët kishin marrë një mësim të mirë, e nuk do të guxonin ta përsërisnin më, i bëri shenjë me mjekër xhelatëve të tij që t’i linin të lirë.