Thesari

THESARI

 Një njeri moskursimtar një ditë e bëri rrush e kumbulla edhe pjesën e fundit të pasurisë, duke mbetur pa një dyshkë në xhep. Ai trokiti në çdo portë për të kërkuar ndihmë, por më kot! Asnjëri nuk ishte i mendimit që ta ndihmonte. Një natë pa dikë në ëndërr.

Njeriu, me të cilin u takua në ëndërr, i tregoi atij vendin ku fshihej një thesar në Egjipt, duke e këshilluar që të nisej menjëherë. Me t’u zgjuar në mëngjes, u nis prej Bagdadit për të shkuar në Egjipt. Pas një farë rruge ai ngeli pa ushqim, kështu që vendosi të priste muzgun për të lypur diçka për të ngrënë.

Megjithëse u orvat deri në mesnatë për diçka për të ngrënë, askush nuk pranonte që ta ndihmonte. Ky burrë i gjorë, të cilin e zuri agimi tejet të uritur, i pashpresë vendosi të gjente të paktën një vend për t’u shtrirë. Mirëpo ç’të shihte, edhe në vendin ku vendosi të shtrihej përballë, i doli roja i natës.

Roja, duke menduar se ky nuk ishte veçse një hajdut, i dha një të rrahur për t’u mbajtur mend. Në trupin e tij u hapën shumë plagë, megjithatë ai nuk reshtte së kërkuari që të paktën roja ta linte njëherë të shpjegohej.

Roja i thoshte:

– Në rregull, pa më trego njëherë se cili je? Thuama shpejt. Çfarë kërkon këndej në këtë orë të natës. Tregomë pra!

Harxhimtari i betohej se po i thoshte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, duke ia theksuar se ishte një hallexhi që po udhëtonte nga Bagdadi në Egjipt.

Burri i gjorë i tregoi edhe ëndrrën që kishte parë, që të shpëtonte prej atij druri që po hante, mirëpo rojes akoma edhe më tepër i shtohej oreksi dhe dëshira për ta rrahur.

Në fund, nga sytë e harxhimtarit filluan të derdheshin lotë sikur të ishin jo sy por dy çezma të vogla. Roja kurrsesi nuk po arrinte dot t’i jepte kuptim këtij njeriu të çuditshëm.

Më në fund, i iku meraku që kishte në fillim për të zbuluar të vërtetën e këtij burri, prandaj iu drejtua duke i thënë:

– Ti dukesh që nuk je as njeri i keq, e aq më pak hajdut. Veç ta dish se je pak budalla! Kapesh pas një ëndrre idiote dhe nisesh për një rrugëtim kaq të gjatë. Sa e sa herë kam parë edhe unë në ëndërr sikur në Bagdad fshihet një thesar tejet madhështor…

Harxhimtari u habit së tepërmi nga fjalët e fundit të rojes.

– Megjithëse njeriu që shoh në ëndërr më thotë, “Shko në Bagdad, në shtëpinë e filanit është groposur një thesar fort i madh”, unë nuk do ta marr kurrë mundimin të bëj një rrugëtim aq të gjatë për një pallavër ëndrrash. Ndërsa ti, vetëm se pe njëherë një të tillë ëndërr, ke bërë një rrugë të stërgjatë deri këtu…

Habia sa vinte e shtohej. Shtohej sepse adresa e shtëpisë ku fshihej thesari ishte pikërisht shtëpia e tij. Kjo do të thoshte për të se edhe në shtëpinë e tij fshihej një thesar.

– Gjersa paskam një pasuri aq të madhe në shtëpinë time, më kot mora mundimin të bëja një udhëtim kaq të gjatë, – tha ai dhe u kthye për në Bagdad.

Me të mbërritur, filloi të mihte kopshtin e shtëpisë së tij. Aty gjeti një pasuri që nuk ia kishte marrë mendja ndonjëherë. Lumturinë që mendoi më kot se do ta gjente në vise të huaja, e gjeti mu nën këmbët e veta.

“Ka aq shumë njerëz të përgjumur, që vrapojnë pas pasurisë dhe famës. Mirëpo, shumë prej tyre fillojnë pak e nga pak t’i hapin gropën vetes, e sakaq gjithë pasuria e tyre i ngelet përsëri të gjallëve.”