Vendndodhja e thesarit

VENDNDODHJA E THESARIT

 Një njeri tejet i varfër, humbi gjithçka duke mbetur trokë. Ky njeri, që përpëlitej prej vuajtjeve, vazhdimisht i lutej Zotit:

– O Mbret i mbretërve, O Ti që ruan si ujqit, ashtu edhe zogjtë! Ti je Ai që na ke krijuar. Gjithashtu, Ti je Ai që na krijoi, andaj vetëm Ti mund të kujdesesh për ushqimin tim…

Ky burrë vazhdoi të lutej për vite me radhë. Më në fund, një natë, teksa flinte, pa një ëndërr një burrë që e këshilloi:

– Ushqimin fillo ta kërkosh në letrat që njerëzit mundohen të bëjnë kaligrafi. Në mes të letrave të fqinjit tënd fshihet harta e një thesari. Kujdes, atë letër nuk duhet ta lexojë askush tjetër përveç teje, dhe menjëherë, me ta gjetur fillo nga puna për ta zbuluar. Asnjëherë mos i humb shpresat!

Burri i gjorë, me t’u zgjuar në mëngjes, nga hareja që e kishte kapluar, ia mbajti me një frymë për tek shtëpia e komshiut të tij. I varfëri burrë, filloi të kontrollonte mes letrave të hedhura përtokë, dhe me të gjetur njërën syresh që ngjante me atë që kishte parë në ëndërr një natë më parë, e futi menjëherë në xhep.

Letra që gjeti, ngjante me të vërtetë me një hartë thesari.

Ta dish se në të dalë të qytetit gjendet një thesar. Është një ndërtesë, porta e të cilit gjendet karshi kullotës, ndërsa në pjesën e pasme të saj shtrihet qyteti. Është një ndërtesë që shërben si varr i një martiri. Kur të shkosh atje, ktheji kurrizin, në atë mënyrë që ti të jesh i drejtuar nga kibla. Mandej, ngri harkun dhe godit me shigjeta, dhe sakaq fillo të mihësh vendin ku do të bjerë shigjeta. Pikërisht aty është groposur edhe thesari.

Burri e gjeti vendin për të cilin bëhej fjalë në hartë. E ngrehu harkun dhe bëri një të goditur të fuqishme. Mandej, pa humbur kohë, filloi të mihte vendin ku ra shigjeta. Mih e mih, derisa më në fund e kuptoi se e lanë fuqitë, e nuk mund të vazhdonte më tej. U thye dhe lopata, mirëpo nga thesari nuk kishte kurrfarë shenjëze. E pa që me shumë mundësi aty nuk mund të kishte thesar të fshehur dhe filloi të hapte rreth-e-qark vendit. Ndërkohë që e gjithë gjindja e fshatit filloi të kundronte e habitur.

Lajmi se një burrë kishte gjetur një hartë thesari shkoi deri tek mbreti. Por i shkreti burrë, mirë thesar që nuk gjeti, por tani kishte edhe frikën se mbreti mund të nevrikosej ndaj tij, prandaj më mirë, vendosi të shkonte vetë tek mbreti e t’ia tregonte hartën që kishte në duar.

Burri i tregoi sovranit se megjithëse kishte hapur një sipërfaqe të stërmadhe toke, por prapëseprapë nuk kishte rastisur asgjëkundi në thesarin e pretenduar.

Mbreti, pasi i dëgjoi të gjitha nga goja e kërkuesit të thesarit, u dha urdhër njerëzve të tij që të fillonin gërmimin nga fillimi, aty në vendin ku kishte rënë shigjeta e dalë prej harkut të këtij njeriu të varfër.

U hodhën me qindra shigjeta, dhe u hapën po aq gropa, mirëpo sa keq që në asnjërën prej tyre nuk u pa ndonjë shenjë prej thesarit të kërkuar.

Mbreti, pasi i kishte kthyer të gjitha, me shkretëtira e me kullota, hoqi dorë prej kësaj aventure, dhe në nerva e sipër ia hodhi hartën në fytyrë atij që e futi në këtë qorrsokak.

– Kjo copë letër është për ata njerëz që nuk kanë me se të merren, sepse një punë e tillë nuk i përket kurrë atyre që e kanë një punë për të realizuar, – i tha mbreti burrit të mjerë.

Mirëpo ky i fundit dridhej prej merakut të madh që e kishte qerthulluar. Më në fund, ngriti duart duke filluar që t’i lutej përsëri Zotit. Derisa, më në fund, dëgjoi një zë t’i vinte prej qiellit.

Zëri thoshte:

– Vendos një shigjetë në hark dhe godite. Pastaj fillo të gërmosh në vendin e rënies së saj.

Burri bëri pikërisht ashtu siç e këshilloi zëri i panjohur. Mirëpo shigjeta ra pikërisht në këmbët e tij. Kësaj here, burri që nuk kishte lënë vend pa mihur, zuri të gërmonte nën këmbët e tij.

Pasi gërmoi një sasi të caktuar toke, më në fund, ç’të shihte, në fund ndodhej thesari i shumëpritur. Sa e habitshme, burri thesarin që nuk e kishte gjetur gjithandej, e gjeti pikërisht nën këmbët e veta.

“E vërteta është, për njeriun, më afër se damari i tij i qafës, ndërsa ti mundohesh t’ i hedhësh sa më larg të jetë e mundur mendimet e tua që i ngjajnë shigjetave.”