A do të flijohet Abdullahu? (5)

A DO TË FLIJOHET ABDULLAHU?

Kishin kaluar vite dhe uji i zemzemit nuk ishte pakësuar aspak. Të gjitha gjallesat mund të pinin ujë prej tij sa të ngopeshin. Ndërkohë, Abdulmutalibit deri më tani i kishin lindur nëntë djem. Djali i tetë, Abdullahu, ishte shumë ndryshe nga të tjerët. Edhe për nga morali ai qëndronte më lart se të tjerët. Nuri i midis dy vetullave kishte kaluar nga i ati tek ky djalë, i cili kishte një moral të lartë. Ky në të ardhmen do të bëhej babai i Profetit të Dy Botëve.

Vitet që kishin pasuar e kishin bërë Abdulmutalibin ta harronte fjalën që i pati dhënë Allahut të Madh. Një natë, teksa flinte, dëgjoi një zë:

-“Ther një kurban për Allahun!”

Ditën tjetër Abdulmutalibi theri një dash dhe mishin e tij ia shpërndau të skamurve. Mirëpo, natën tjetër ai dëgjoi të njëjtin zë që i thoshte:

-“Ther një kurban më të madh për Allahun!”

Ditën tjetër Abdulmutalibi flijoi një kà. Por ai e dëgjoi përsëri natën tjetër zërin që nuk e dinte se prej nga i vinte:

-“Ther një kurban më të madh për Allahun!”

Ditën që vijoi, Abdulmutalibi theri një deve dhe mishin e saj ia shpërndau të varfërve. Mirëpo e pati dëgjuar të njëjtin zë edhe atë natë:

-“Ther një kurban më të madh për Zotin tënd!”

Abdulmutalibi këtë herë e pyeti zërin:

-“Çfarë mund të ketë më të madhe?”

-“Kujto fjalën që i ke dhënë Allahut!”- iu përgjigj këtë herë zëri.

Abdulmutalibi u zgjua shumë i emocionuar në mëngjes. E çoi njëherë mendjen drejt të shkuarës. Kujtoi ditët kur kishte mihur për të gjetur pusin e zemzemit dhe shortin që pati hedhur me mekasit. I pati dhënë një fjalë Allahut duke iu betuar se nëse do t’i lindnin dhjetë djem, njërin prej tyre do ta flijonte për hir të Allahut. Ai e priti agimin pa vënë më gjumë në sy. I vështroi të gjithë fëmijët e tij me radhë. Secili prej tyre ishte një djalosh trim. Të gjithë ishin djem shumë të mirë. Sidomos Abdullahu! Ai ishte krejt ndryshe. Atë e donte më tepër se të tjerët.

Me të aguar ai deshi të përmbushte fjalën që i pati dhënë Allahut të madh. I mblodhi djemtë dhe u tregoi atyre fjalën që i kishte dhënë Allahut:

-Unë vite më parë, teksa gërmoja për pusin e zemzemit, pata jetuar një ndodhi të tillë. I dhashë fjalën Allahut, se nëse një ditë do të bëhesha babai i dhjetë djemve, njërin prej tyre do ta sakrifikoja për Të.

Ai i pyeti se çfarë mendonin mbi këtë çështje. Asnjëri prej djemve nuk e kundërshtoi të atin për t’u flijuar. Kështu që Abdulmutalibi i mori me vete të gjithë djemtë dhe u nis për në Qabe. Atje do të hidhnin short. Fëmijët i shkruan emrat e tyre, secili në një shigjetë të veçantë dhe ia dhanë të atit. Abdulmutalibi, pasi ia shpjegoi gjendjen shortarit që rrinte pranë Qabes, i kërkoi:

-Zgjidh njërën prej tyre, – i tha ai me zërin e tij të trashë.

Shortari zgjodhi njërën dhe filloi të rrokjezonte emrin:

-Ab-du-llah!

Kur dëgjoi këtë emër Abdulmutalibit i dogji në zemër. Shorti i kishte rënë djalit që ai donte më së shumti. Por edhe pse ishte djali që ai donte më tepër, ai i kishte bërë një premtim Allahut. Abdullahu do të flijohej. Ai filloi të bënte përgatitjet e nevojshme. Kur çdo gjë ishte gati, ata filluan të ecnin drejt vendit të flijimit.

Mirëpo ky lajm nuk u prit aspak mirë prej mekasve. Dajët e Abdullahut dhe prijësit e Mekës e kundërshtuan Abdulmutalibin:

-Ti duhet të heqësh menjëherë dorë nga kjo që po bën, sepse Abdullahu është një djalosh shumë i mirë. Për më tepër, ti je edhe një prej të mëdhenjve tanë. Nëse ti flijon djalin, atëherë edhe të tjerët do të fillojnë të sakrifikojnë bijtë e tyre. Gjithashtu i treguan se me këtë që po bënte ai do të ishte nismëtari i një tradite jo të mirë.

Jo, nuk mund të më dilni kundër. Ai u tha mekasve se i kishte premtuar Allahut dhe se për asgjë në botë ai nuk do të hante fjalën e dhënë.

Të pranishmit i kërkuan që më mirë të shkonin e ta flisnin këtë çështje me një specialist. Duhej gjendur medoemos një zgjidhje. Më në fund ata e kishin bindur Abdulmutalibin.

Ata shkuan tek një i ditur nga Bagdadi, që ai t’u gjente një rrugëzgjidhje. Në të vërtetë, as Abdulmutalibi nuk donte që ta sakrifikonte Abdullahun. I dituri, pasi e dëgjoi çështjen, iu drejtua Abdulmutalibit,

-Cila është dieta që ju paguani nëse në vendin tuaj vritet një person?

Abdulmutalibi iu përgjigj:

-Ne në këtë rast i japim familjes së të vrarit dhjetë deve, – tha ai.

-Atëherë ju duhet të hidhni një short mes djalit tuaj dhe dhjetë deveve. Nëse shorti i bie djalit, atëherë deveve shtojuni edhe dhjetë të tjera. Kur shorti t’i bjerë deveve, ahere flijoni devetë për të shpëtuar sakaq djalin tuaj.

Abdulmutalibi bashkë me ata që ndodheshin aty e falenderuan të diturin që u kishte dhënë me të vërtetë një gjykim të mirë dhe u larguan.

Pas këtij takimi ata shkuan njëherë në Mekë, e më pas në Qabe. Në njërën anë qëndronin dhjetë deve, ndërsa në anën tjetër qëndronte Abdullahu. Kishte shumë njerëz që rrinin të merakosur, që donin të shihnin se ç’do të ndodhte. Abdulmutalibi iu drejtua shortarit me zërin e tij të trashë:

-Fillo!

Shortari e tërhoqi shigjetën dhe filloi të rrokjezonte:

-Ab-du-llah!

Kështu që numri i deveve u ngrit në njëzet. Në njërën anë njëzet deve, ndërsa në anën tjetër qëndronte Abdullahu, babai i Profetit të Mëshirës.

Abdulmutalibi i kërkoi shortarit të hidhte shortin përsëri.

Ai e tërhoqi shigjetën dhe lexoi:

-Abdullah!

Këtë herë numri i deveve u rrit në tridhjetë. U hodh sërish shorti dhe rezultati ishte po i njëjtë:

-Abdullah!

Numri e deveve u bë dyzetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë, por shigjeta vazhdonte t’i binte veç Abdullahut. Abdulmutalibi dhe populli që ishte mbledhur aty qëndronin të habitur. Mos vallë Abdullahu nuk do të shpëtohej dot? Në një pritje tejet të thellë, numri i deveve u shtua edhe njëherë me dhjetë të tjera. Përfundimi ishte i njëjtë. Shpresat po shuheshin dhe numri i deveve ishte ngritur deri në njëqind. Gjithsej njëqind deve. Për shpëtimin e Abdullahut do të hidhej short ndaj njëqind deveve.

Abdulmutalibin dhe të gjithë ç’ndodheshin aty në ato çaste, pleq e të rinj, i përshkoi një lumturi e jashtëzakonshme kur dëgjuan sihariqin e shumëpritur. Në shortin e dhjetë, shigjeta i kishte qëlluar deveve. Teksa të gjithë po thoshin, “Më në fund Abdullahu shpëtoi.”, Abdulmutalibi i tha shortarit që ta hidhte edhe njëherë shortin.

Të gjithë mbetën të shtangur. Çfarë po mundohej të bënte ky prind, të cilit sapo i kishte shpëtuar i biri prej flijimit. Shorti u përsërit edhe një herë i përpirë prej shikimesh të emocionuara. Shorti i qëlloi sërish deveve. Abdulmutalibi edhe njëherë iu drejtua shortarit:

-Përsërite edhe njëherë shortin, – duke ia dhënë edhe njëherë shigjetat në dorë.

Kur, shorti i ra prapë deveve për herë të tretë, Abdulmutalibi iu drejtua të gjithëve duke u thënë:

-Në rregull, tani po. Tashmë Abdullahu shpëtoi me të vërtetë. Çojini këto deve që të flijohen dhe mishin shpërndajuani njerëzve që janë në nevojë.

Njerëzit që po e rrethonin gjyshin e Profetit e pyetën:

-O Abdulmutalib, pse e përsërite shortin, megjithëse ai i kishte rënë deveve.

-Shorti i ra Abdullahut pasi i kishte rënë deveve për dhjetë herë me radhë. E bëra që të bindesha më së miri, – tha ai.