
BABAI QË NUK ARRITI TA SHIHTE TË BIRIN
Abdulmutalibi ishte tepër i gëzuar që e kishte martuar djalin e tij Abdullahun. Edhe ai si çdo gjysh, nisi të imagjinonte se si kjo çerdhe e re do të jepte frutat e saj, të cilët do të ishin nipërit e tij. Mendonte se ndoshta Abdullahu do të kishte shumë fëmijë dhe ai do t’i donte shumë ata.
Pak ditë pas martesës, nuri që gjendej në fytyrën e Abdullahut kaloi në atë të Aminës. Domethënë, tashmë kjo nënë e nderuar ishte shtatzënë me Profetin tonë të Dashur. Tërë Universi po priste ardhjen në jetë të Krenarisë së Njerëzimit.
Abdullahu merrej me tregti që të mirëmbante familjen e tij. Katër muaj para se të lindte i biri, ai shkoi në anët e Sirisë për të bërë tregti. Kur po kthehej, u sëmur në Medinë, duke mos e vazhduar dot rrugën më tej. Prandaj, Abdullahun e lanë në Medinë pranë dajëve të tij.
Karvani kishte ardhur në Mekë, prandaj lajmi për gjendjen e Abdullahut mbërriti deri tek Abdulmutalibi. Ai dërgoi një nga djemtë e tjerë, Harithin, për ta marrë. Harithi do ta ndihmonte vëllanë e tij që të kthehej në Mekë. Doktorët më të mirë të Mekës dhe viseve përreth do të mundoheshin që ta shëronin. Por sa keq që lajmi që mbërriti prej andej ishte akoma më i hidhur se i pari. Profeti ynë e kishte humbur babanë e Tij ende pa ardhur në këtë botë. I ati i Profetit kishte ikur pa e parë dhe pa e mbajtur qoftë edhe një herë të vetme në prehër djalin e tij të shndritshëm, Krenarinë e Njerëzimit.
Ky lajm i keq nuk kishte mërzitur vetëm Abdulmutalibin dhe Aminën, por të gjithë Mekën. Sepse Abdullahu ishte djalë i drejtë, i dashur dhe i ndershëm. Nuk kishte njeri që nuk e donte. Mbi të gjitha, ai ishte ende shumë i ri në moshë. Por ç’t’i bësh që ajo që kishte ngjarë ishte veç paracaktimi i Allahut.
Lotët e Aminës së pikëlluar nuk pushuan për ditë me radhë. Rrinte pa ngrënë e pa pirë. Po shkrihej nga dita në ditë sikur të ishte një qiri. Lotët e saj do t’i pushonte veç Profeti ynë i Nderuar, Muhamedi Paqja qoftë mbi Të! duke ardhur në jetë vetëm dy muaj pas kësaj fatkeqësie.
Tre muaj para se të lindte, nëna jonë Amina, kishte parë një ëndërr. Ishte njëra nga ato netët, në të cilat ajo ishte shumë e mërzitur. Qetësimi më i mirë që kishte ishte fëmija që do të lindte. Dikush, që i doli në ëndërr, i tha, “O Amina! Ta dish se ti Amina je shtatzënë me njeriun më të mirë të të gjitha botëve. Kur ta lindësh, emrin vendosja Muhamed.”
Kategoria: Jeta e Profetit