Beduini dhe filozofi

Një beduin që jetonte në shkretëtirë, kishte ngarkuar dy thasë mbi devenë e tij, dhe ishte nisur për një rrugëtim të gjatë. Ai po vazhdonte rrugën e tij, duke u tundur ashtu i ulur në mes të dy thasëve të ngarkuar, kur përpara i doli një filozof.

Filozofi e mbajti beduinin me muhabet, duke e pyetur se me çfarë pune merrej dhe nga ishte.

  • Çfarë ke brenda në thasë? – e pyeti filozofi beduinin.
  • Në njërin ka grurë, ndërsa tjetri është i mbushur me rërë, nuk ka asgjë për të ngrënë, – ia ktheu beduini.
  • Po pse e ke ngarkuar devenë me gjithë këtë rërë, o mik? – pyeti filozofi duke qeshur tinëzisht.
  • E mbusha me rërë që të mos mbetej bosh njëra anë, përderisa anën tjetër të devesë e kisha ngarkuar me grurë.
  • Mund të ishe treguar pak më i mençur, dhe ta ndaje grurin në dysh, gjysmën në njërin thes, gjysmën në tjetrin, sakaq edhe devenë do ta ngarkoje më pak, edhe thasët do t’i ngarkoje me më pak peshë, – zuri të hargalisej filozofi.

Beduini, që nuk mendonte kurrgjë, u mahnit përpara mençurisë që karakterizonte filozofin, andaj filloi ta falenderonte atë përzemërsisht.

Mirëpo kishte diçka tjetër që e shqetësonte. Si ka mundësi që një njeri kaq i zgjuar, të udhëtonte zbathur dhe plotësisht i vetëm në këtë shkretëtirë të madhe dhe të paanë?

Beduinit, që i vinte keq për gjendjen e filozofit, vendosi ta merrte me vete mbi deve me qëllim që t’i bënte disa pyetje për të shuar kureshtjen që po e digjte përbrenda.

  • Po mirë, a nuk më flet pak për veten tënde more njeri i ditur? Pse gjendesh në një gjendje kaq të keqe, gjersa e njeh botën kaq mirë? Apo mos vallë je ndonjë mbret a vezir, dhe ke ndërruar veshjen për të mos u njohur? – pyeti tërë kureshtje beduini.
  • Mos më gjykoni duke më parë nga veshja. S’jam as mbret e as vezir. Jam një njeri i thjeshtë mes gjithë njerëzve, – ia ktheu filozofi.
  • A ke deve ose lopë?
  • Më mirë mos më pyet. Nuk kam as lopë, as deve.
  • Të paktën, a ke ndonjë dyqan? A ku ta di unë, ç’pasuri ke? – pyeste beduini pa reshtur.
  • Çfarë dyqani more mik? Ç’ne unë me dyqan, – iu përgjigj i habitur filozofi.
  • Atëherë më mirë të të pyes për paratë, sepse një njeri i ditur si ju duhet të dijë edhe çelësin sekret që e kthen bakrin në ar, – vazhdoi beduini.
  • Të betohem, që e gjithë pasuria që kam nuk më mjafton as për të ngrënë diçka në darkë. Ja, sillem kështu, vërdallë, pa kurrfarë prokopie; ku të më japin një kothere bukë, atje shkoj. Përveç vuajtjes që më shkakton imagjinata dhe dhimbja e kokës nuk fitoj asgjë tjetër prej kësaj dijeje që zotëroj, – ia ktheu filozofi i urtë.

Me të dëgjuar këto fjalë, beduini e përzuri filozofin. Ai e kishte kuptuar shumë mirë që dija e këtij të mjeri nuk i mjaftonte as për veten e vet. Në fund, përpara se filozofi të largohej, ai e këshilloi që këtej e tutje t’i vinte gishtin kokës dhe të fillonte nga puna për ta fituar vetë bukën e gojës.

“Mendim i vërtetë është ai që të çon drejt horizontesh të vërteta.”