Besimi në Allah

BESIMI NË ALLAH

Pemët çelin lule dhe japin fruta. Deti mban mbi të anijet, lopët prodhojnë qumështin, dielli ngroh tokën në të cilën jetojmë… Rreth nesh nuk ekziston asgjë e pavlefshme. Çdo krijesë që nga më e vogla e deri tek hëna apo dielli ka shumë detyra që i dimë dhe nuk i dimë. Ndërsa njeriu është qenia më e përkryer. Mendon, flet, prodhon, hidhërohet, gëzohet… Po pse vallë u krijua një krijesë kaq e përkryer si njeriu? Cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë e tij?

Krijuesi e di më mirë shkakun dhe qëllimin e krijimit të njeriut. Krijuesi është Zoti i Madhëruar, Allahu (xh.sh). Prandaj ne qëllimin e ardhjes sonë në tokë e mësojmë nga Kurani.

Në Kuranin Famëlartë Allahu thotë: “Xhindët dhe njerëzit i krijova vetëm të më njohin e të më adhurojnë” (Dharijat,  56)

Mirë, po si do ta njohim Atë? Si të marrim informacion dhe njohuri rreth Tij?

Allahu na ka dhënë mundësi njohjeje që vijnë nga rrugë të ndryshme. Këto janë Kurani, Profeti Muhamed (s.a.s) dhe gjithësia. Në Kuran Allahu (xh.sh) na jep njohuri rreth cilësive të Tij. P.sh., në suren Ihlas mësojmë se Ai është një, se nuk ka nevojë për askënd, se çdo gjë ia ka nevojën Atij dhe se asgjë nuk është e njëjtë me Të.

Të lexosh Kuran në këtë mënyrë për të njohur Allahun është një adhurim më vete. Edhe krenaria e gjithësisë, robi dhe i Dërguari i Allahut, Profeti ynë (s.a.s) na jep njohuri rreth Allahut me anë të fjalëve dhe sjelljeve të tij.

Një tjetër rrugë që na prezanton Krijuesin është edhe gjithësia. Gjithësia është porsi një libër që na tregon për Allahun. Të gjitha krijesat, të gjalla apo jo të gjalla, që jetojnë në qiell apo në tokë, janë aq të përsosura saqë na bën të mendojmë se Krijuesi është i patëmeta. Ky krijues është Allahu.

Këtu na vjen në mendje një pyetje: A mund të krijohen rastësisht gjithçka shohim? Sepse ne nuk mund ta shohim atë që i hap lulet, lind diellin dhe sjell shiun.