
BESIMI NË PROFETËT
Profetët janë njerëz të zgjedhur nga Allahu. Janë ndërmjetës, të dërguar mes njerëzve dhe Allahut. Çfarë dëshiron nga ne Krijuesi i Lartësuar i cili na ka sjellë në këtë botë si mysafir për një kohë të caktuar? Ku do të shkojmë pasi të na mbarojë koha? Për të gjitha këto Allahu na ka dërguar mesazhe nëpërmjet profetëve.
Profetët janë njerëz fjalëdrejtë. Njohuritë, urdhrat e marra nga Allahu ua transmetojnë njerëzve në mënyrën më perfekte.
Nga ana individuale edhe ata janë njerëz si ne. Hanë, pinë, gëzohen, hidhërohen… Njëherazi ata janë krijuar me një natyrë të vyer dhe janë të pajisur me cilësi të rralla. Cilësitë kryesore të profetëve janë këto:
- Ismet (pafajësia): Allahu i ka mbrojtur ata nga çdo lloj mëkati, i vogël apo i madh qoftë. Nuk bëjnë mëkate, janë të pafajshëm.
- Emanet (besueshmëria): Ata janë njerëz të besueshëm dhe njihen si të tillë nga të gjithë.
- Sidk (drejtësia): Janë të drejtë, qëndrojnë aq larg nga gënjeshtra saqë nuk gënjejnë as për shaka. Madje edhe shakatë e tyre ishin për të dhënë mësim.
- Fetanet (zgjuarsia): Janë njerëz shumë të zgjuar dhe me botëkuptim të gjerë. Ata arrijnë në shkallën më të lartë të mençurisë dhe zgjuarsisë.
- Teblig (kumti): Shpalljen hyjnore të marrë nga Allahu ua transmetojnë njerëzve pa e ndryshuar.
Ata duhen të jenë të tillë sepse detyra që kanë kërkon të jenë njerëz jo të zakonshëm.
Islami është feja e fundit dhe e përkryera, ndërsa profeti Muhamed (a.s) është profeti i fundit. Ai ka bërë një jetë për t’u marrë shembull dhe e ka realizuar pa asnjë të metë detyrën e tij si i dërguar.
Ne si myslimanë e duam shumë profetin tonë. Përpiqemi të veprojmë si ai kur hamë, pimë, ulemi, ngrihemi, flasim. Sepse Ai na ka transmetuar një fe kaq të përsosur si Islami, na ka treguar rrugët e të mirës dhe të bukurës.
Nga ky aspekt, Profeti Muhamed (s.a.s) ka edhe pesë veçori të tjera të ndara nga profetët e tjerë:
- Nga ana e virtytit është më i lartësuari nga të gjithë profetët.
- Është dërguar për gjithë njerëzit dhe xhindët.
- Është profeti i fundit. Pas tij nuk do të ketë më të profetë.
- Është dërguar si mëshirë për botët.
- Feja që ka sjellë do të vazhdojë deri në ditën e kiametit.
PROFETËT E PËRMENDUR NË KURAN
Sipas një transmetimi thuhet se nga Ademi (a.s) e deri te Muhamedi (s.a.s) janë dërguar 124 mijë profetë, sipas një transmetimi tjetër 224 mijë profetë. Nga këto në Kuran përmenden vetëm 28 prej tyre. Profetët që përmenden në Kuran janë këta:
Adem – Idriz – Nuh – Hud – Salih – Ibrahim – Lut – Ismail – Is’hak – Jakub – Jusuf – Ejub – Shuajb – Musa – Harun – Davud – Sulejman – Junus – Iljas – Eljesa – Dhulkifl – Zekerija – Jahja – Isa – Uzejr – Lukman – Dhul Karnejn – Muhamed.
Zoti im, mëshira dhe paqja jote qofshin mbi profetin tonë Muhamedin dhe gjithë profetët e tjerë, të afërmit dhe shokët e tyre! Amin!
NJERIU QË BESON PROFETËT
Merr shembull nga ata në çdo hap të jetës.
Përpiqet të jetë i ndershëm dhe i drejtë duke pasqyruar drejtësinë dhe ndershmërinë e tyre.
Mëson sjelljet dhe veprimet e profetëve dhe përpiqet t’i praktikojë në jetën e tij.
Përpiqet të jetë i drejtë me të tjerët ashtu siç kanë qenë profetët.
Kategoria: Besimi