Cilat janë detyrat fetare të një të obliguari?
Myslimani i cili arrin moshën e pjekurisë ngarkohet me kryerjen e disa detyrave të cilat në librat e fikhut dhe ilmihale njihen si “detyrat e të obliguarit“.
Këto detyra ndahen në tetë pjesë: farz, vaxhib, sunet, mustehab, mubah, mekruh, mufsid dhe haram.
- Farz: janë vendime të cilat mbështeten në argumente të prera dhe ndahen në dy pjesë:
a) Farz ajn: Janë veprat të cilat duhet t’i kryejë çdo mysliman i obliguar. Si p.sh., namazi dhe agjërimi.
b) Farz kifaje: Janë detyrime të cilat nëse zbatohen nga një grup myslimanësh, bie përgjegjësia nga myslimanët e tjerë. Si p.sh., namazi i xhenazes dhe marrja e selamit. Nëse asnjë nga myslimanët nuk e zbaton një detyrim të tillë, atëherë të gjithë janë përgjegjës për këtë. - Vaxhib: Janë vendime të cilat mbështeten në argumente jo të prera. Si p.sh., namazi i vitrit dhe i bajramit.
- Sunet: janë fjalët, veprat dhe çdo gjë të cilën e ka miratuar vetë Profeti. Suneti ndahet në dy pjesë:
a) Sunet mueked: Janë vepra të cilat Profeti i ka kryer vazhdimisht dhe nuk i ka lënë asnjëherë. Si p.sh., sunetet e namazeve të sabahut, të drekës dhe akshamit. Edhe ezani, ikameti, falja me xhemat, të njohura ndryshe si shenja të Islamit janë sunet mueked (sunet i fortë). Ndryshe quhen edhe suneti Huda.
b) Sunet gajri mueked: Janë vepra të cilat Profeti ndonjëherë i ka bërë e ndonjëherë i ka lënë. Si p.sh., sunetet e namazit të ikindisë dhe të jacisë. Edhe veprimet ditore si ngrënia pirja, veshja, ulja, ngritja e të tjera të cilat njihen si rregulla të mirësjelljes hyjnë në grupin e sunetit gajri muekked. Këta ndryshe quhen dhe suneti zevaid. - Mustehab: janë veprat të pëlqyeshme të cilat janë kryer ndonjëherë nga Profeti. Si p.sh., të japësh sadaka (lëmoshë) dhe të mbash agjërim nafile.
- Mubah: janë vepra nga të cilat përfiton sevape nëse i kryen, por nuk bën mëkat nëse nuk i kryen. Si p.sh të ulesh, të hash, të pish.
- Mekruh: janë vepra të papëlqyeshme të cilat ulin sevapin e veprës së kryer. Si p.sh., të shohësh përreth gjatë faljes së namazit. Mekruhu ndahet në dy pjesë:
a) Mekruh tahrimen: quhen vepra të cilat janë më afër haramit. Si p.sh., harxhimi i tepërt i ujit gjatë marrjes së abdesit. Myslimani përfiton sevape nëse e lë mekruhun tahrimen. Nëse vazhdon ta kryejë, ekziston mundësia e dënimit në ahiret.
b) Mekruh Tenzihen: Është mekruhu më afër hallallit. Si p.sh., pastrimi i hundës me dorën e djathtë. Një veprim i tillë nuk dënohet, por fitohen sevape me braktisjen e tij. Lejimi i mekruheve edhe megjithëse është gabim, nuk e nxjerr njeriun nga feja. - Mufsid: janë ato vepra të cilat prishin aktet fetare Si p.sh., dalja e gjakut nga trupi kur je me abdes, qeshja në namaz dhe ngrënia kur je agjërueshëm.
- Haram: janë vepra të cilat janë të ndaluara me argumente të prera. Si p.sh., të pish pije alkoolike, t’i kundërvihesh prindërve.
Kategoria:Rreth islamit
Feja islame kërkon nga burrat dhe femrat myslimane që kanë arritur moshën e pjekurisë zbatimin e disa urdhrave dhe shmangien nga gjërat e ndaluara. Këta urdhra dhe ndalesa ndryshe quhen “teklif”, ndërsa myslimani i cili i zbaton quhet “mukelef’.
Kur fillon obligimi?
Që një njeri të quhet i përgjegjshëm për zbatimin e obligimeve fetare duhet:
- të jetë i shëndoshë mendërisht
- të arrijë moshën e pjekurisë
Feja u drejtohet atyre njerëzve që përdorin mendjen dhe arsyen dhe me anë të vullnetit dhe zgjedhjeve të tyre i drejton ata drejt së mirës të dy botëve, duke premtuar lumturi të përjetshme për ato që i përgjigjen thirrjes së saj.
Prandaj kushti i parë i të obliguarit është të jetë i shëndoshë mendërisht. Një person i shëndoshë mendërisht është ai person i cili me anë të mendjes është i aftë të dallojë të mirën nga e keqja. Një kusht tjetër i të obliguarit është arritja e moshës së pjekurisë.
Ç’do të thotë mosha e pjekurisë?
Është mosha në të cilën njerëzit nuk quhen më fëmijë dhe fillojnë të përjetojnë zhvillimin e ndjenjave seksuale.
Kur fillon mosha e pjekurisë? Si mund ta dimë?
Sipas shumicës së dijetarëve myslimanë, mosha e pjekurisë tek vajzat është nga mosha 9-15 vjeç ndërsa tek djemtë 12-15 vjeç. Arritja e moshës së pjekurisë dallohet me ardhjen e menstruacioneve, periodave mujore tek vajzat, ndërsa tek djemtë me realizimin e orgazmës, ose ndryshe derdhjes. Ndonjëherë ndodh që një i ri të arrijë moshën e pjekurisë, por të mos shohë as menstruacione apo të ketë derdhje. Persona të tillë hyjnë në moshën e përgjegjësisë dhe obligimit. Edhe pse pavarësisht moshës nuk kanë patur zhvillimet e nevojshme, ata pranohen si të obliguar. Mosha e pjekurisë e përcaktuar për vajzat dhe për djemtë është 15 vjeç.
Me arritjen e moshës së pjekurisë nëse tek ai person nuk gjendet ndonjë provë që të tregojë zhvillimin e mangët mendor të tij, atëherë ai person konsiderohet i obliguar. Në termat fetare do të thotë të jetë ‘i shëndoshë mendërisht dhe i pjekur’. Me këtë nënkuptojmë fitimin e të gjitha të drejtave, të fjalës, të veprimit; do të thotë që ai person tashmë mund të mbajë përgjegjësi për obligimet dhe ndalesat.
Kategoria:Rreth islamit