Category: Jeta e Profetit

A do të flijohet Abdullahu? (5)
A do të flijohet Abdullahu? (5)

A DO TË FLIJOHET ABDULLAHU?

Kishin kaluar vite dhe uji i zemzemit nuk ishte pakësuar aspak. Të gjitha gjallesat mund të pinin ujë prej tij sa të ngopeshin. Ndërkohë, Abdulmutalibit deri më tani i kishin lindur nëntë djem. Djali i tetë, Abdullahu, ishte shumë ndryshe nga të tjerët. Edhe për nga morali ai qëndronte më lart se të tjerët. Nuri i midis dy vetullave kishte kaluar nga i ati tek ky djalë, i cili kishte një moral të lartë. Ky në të ardhmen do të bëhej babai i Profetit të Dy Botëve.

Vitet që kishin pasuar e kishin bërë Abdulmutalibin ta harronte fjalën që i pati dhënë Allahut të Madh. Një natë, teksa flinte, dëgjoi një zë:

-“Ther një kurban për Allahun!”

Ditën tjetër Abdulmutalibi theri një dash dhe mishin e tij ia shpërndau të skamurve. Mirëpo, natën tjetër ai dëgjoi të njëjtin zë që i thoshte:

-“Ther një kurban më të madh për Allahun!”

Ditën tjetër Abdulmutalibi flijoi një kà. Por ai e dëgjoi përsëri natën tjetër zërin që nuk e dinte se prej nga i vinte:

-“Ther një kurban më të madh për Allahun!”

Ditën që vijoi, Abdulmutalibi theri një deve dhe mishin e saj ia shpërndau të varfërve. Mirëpo e pati dëgjuar të njëjtin zë edhe atë natë:

-“Ther një kurban më të madh për Zotin tënd!”

Abdulmutalibi këtë herë e pyeti zërin:

-“Çfarë mund të ketë më të madhe?”

-“Kujto fjalën që i ke dhënë Allahut!”- iu përgjigj këtë herë zëri.

Abdulmutalibi u zgjua shumë i emocionuar në mëngjes. E çoi njëherë mendjen drejt të shkuarës. Kujtoi ditët kur kishte mihur për të gjetur pusin e zemzemit dhe shortin që pati hedhur me mekasit. I pati dhënë një fjalë Allahut duke iu betuar se nëse do t’i lindnin dhjetë djem, njërin prej tyre do ta flijonte për hir të Allahut. Ai e priti agimin pa vënë më gjumë në sy. I vështroi të gjithë fëmijët e tij me radhë. Secili prej tyre ishte një djalosh trim. Të gjithë ishin djem shumë të mirë. Sidomos Abdullahu! Ai ishte krejt ndryshe. Atë e donte më tepër se të tjerët.

Me të aguar ai deshi të përmbushte fjalën që i pati dhënë Allahut të madh. I mblodhi djemtë dhe u tregoi atyre fjalën që i kishte dhënë Allahut:

-Unë vite më parë, teksa gërmoja për pusin e zemzemit, pata jetuar një ndodhi të tillë. I dhashë fjalën Allahut, se nëse një ditë do të bëhesha babai i dhjetë djemve, njërin prej tyre do ta sakrifikoja për Të.

Ai i pyeti se çfarë mendonin mbi këtë çështje. Asnjëri prej djemve nuk e kundërshtoi të atin për t’u flijuar. Kështu që Abdulmutalibi i mori me vete të gjithë djemtë dhe u nis për në Qabe. Atje do të hidhnin short. Fëmijët i shkruan emrat e tyre, secili në një shigjetë të veçantë dhe ia dhanë të atit. Abdulmutalibi, pasi ia shpjegoi gjendjen shortarit që rrinte pranë Qabes, i kërkoi:

-Zgjidh njërën prej tyre, – i tha ai me zërin e tij të trashë.

Shortari zgjodhi njërën dhe filloi të rrokjezonte emrin:

-Ab-du-llah!

Kur dëgjoi këtë emër Abdulmutalibit i dogji në zemër. Shorti i kishte rënë djalit që ai donte më së shumti. Por edhe pse ishte djali që ai donte më tepër, ai i kishte bërë një premtim Allahut. Abdullahu do të flijohej. Ai filloi të bënte përgatitjet e nevojshme. Kur çdo gjë ishte gati, ata filluan të ecnin drejt vendit të flijimit.

Mirëpo ky lajm nuk u prit aspak mirë prej mekasve. Dajët e Abdullahut dhe prijësit e Mekës e kundërshtuan Abdulmutalibin:

-Ti duhet të heqësh menjëherë dorë nga kjo që po bën, sepse Abdullahu është një djalosh shumë i mirë. Për më tepër, ti je edhe një prej të mëdhenjve tanë. Nëse ti flijon djalin, atëherë edhe të tjerët do të fillojnë të sakrifikojnë bijtë e tyre. Gjithashtu i treguan se me këtë që po bënte ai do të ishte nismëtari i një tradite jo të mirë.

Jo, nuk mund të më dilni kundër. Ai u tha mekasve se i kishte premtuar Allahut dhe se për asgjë në botë ai nuk do të hante fjalën e dhënë.

Të pranishmit i kërkuan që më mirë të shkonin e ta flisnin këtë çështje me një specialist. Duhej gjendur medoemos një zgjidhje. Më në fund ata e kishin bindur Abdulmutalibin.

Ata shkuan tek një i ditur nga Bagdadi, që ai t’u gjente një rrugëzgjidhje. Në të vërtetë, as Abdulmutalibi nuk donte që ta sakrifikonte Abdullahun. I dituri, pasi e dëgjoi çështjen, iu drejtua Abdulmutalibit,

-Cila është dieta që ju paguani nëse në vendin tuaj vritet një person?

Abdulmutalibi iu përgjigj:

-Ne në këtë rast i japim familjes së të vrarit dhjetë deve, – tha ai.

-Atëherë ju duhet të hidhni një short mes djalit tuaj dhe dhjetë deveve. Nëse shorti i bie djalit, atëherë deveve shtojuni edhe dhjetë të tjera. Kur shorti t’i bjerë deveve, ahere flijoni devetë për të shpëtuar sakaq djalin tuaj.

Abdulmutalibi bashkë me ata që ndodheshin aty e falenderuan të diturin që u kishte dhënë me të vërtetë një gjykim të mirë dhe u larguan.

Pas këtij takimi ata shkuan njëherë në Mekë, e më pas në Qabe. Në njërën anë qëndronin dhjetë deve, ndërsa në anën tjetër qëndronte Abdullahu. Kishte shumë njerëz që rrinin të merakosur, që donin të shihnin se ç’do të ndodhte. Abdulmutalibi iu drejtua shortarit me zërin e tij të trashë:

-Fillo!

Shortari e tërhoqi shigjetën dhe filloi të rrokjezonte:

-Ab-du-llah!

Kështu që numri i deveve u ngrit në njëzet. Në njërën anë njëzet deve, ndërsa në anën tjetër qëndronte Abdullahu, babai i Profetit të Mëshirës.

Abdulmutalibi i kërkoi shortarit të hidhte shortin përsëri.

Ai e tërhoqi shigjetën dhe lexoi:

-Abdullah!

Këtë herë numri i deveve u rrit në tridhjetë. U hodh sërish shorti dhe rezultati ishte po i njëjtë:

-Abdullah!

Numri e deveve u bë dyzetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë, por shigjeta vazhdonte t’i binte veç Abdullahut. Abdulmutalibi dhe populli që ishte mbledhur aty qëndronin të habitur. Mos vallë Abdullahu nuk do të shpëtohej dot? Në një pritje tejet të thellë, numri i deveve u shtua edhe njëherë me dhjetë të tjera. Përfundimi ishte i njëjtë. Shpresat po shuheshin dhe numri i deveve ishte ngritur deri në njëqind. Gjithsej njëqind deve. Për shpëtimin e Abdullahut do të hidhej short ndaj njëqind deveve.

Abdulmutalibin dhe të gjithë ç’ndodheshin aty në ato çaste, pleq e të rinj, i përshkoi një lumturi e jashtëzakonshme kur dëgjuan sihariqin e shumëpritur. Në shortin e dhjetë, shigjeta i kishte qëlluar deveve. Teksa të gjithë po thoshin, “Më në fund Abdullahu shpëtoi.”, Abdulmutalibi i tha shortarit që ta hidhte edhe njëherë shortin.

Të gjithë mbetën të shtangur. Çfarë po mundohej të bënte ky prind, të cilit sapo i kishte shpëtuar i biri prej flijimit. Shorti u përsërit edhe një herë i përpirë prej shikimesh të emocionuara. Shorti i qëlloi sërish deveve. Abdulmutalibi edhe njëherë iu drejtua shortarit:

-Përsërite edhe njëherë shortin, – duke ia dhënë edhe njëherë shigjetat në dorë.

Kur, shorti i ra prapë deveve për herë të tretë, Abdulmutalibi iu drejtua të gjithëve duke u thënë:

-Në rregull, tani po. Tashmë Abdullahu shpëtoi me të vërtetë. Çojini këto deve që të flijohen dhe mishin shpërndajuani njerëzve që janë në nevojë.

Njerëzit që po e rrethonin gjyshin e Profetit e pyetën:

-O Abdulmutalib, pse e përsërite shortin, megjithëse ai i kishte rënë deveve.

-Shorti i ra Abdullahut pasi i kishte rënë deveve për dhjetë herë me radhë. E bëra që të bindesha më së miri, – tha ai.

Gjendet burimi i Zemzemit (4)
Gjendet burimi i Zemzemit (4)

GJENDET BURIMI I ZEMZEMIT

Nuri që i takonte Profetit tonë të Dashur ndriçonte në ballin e Abdulmutalibit. Edhe ai për hir të kësaj lartësie kishte arritur të ishte prijësi i Hashimive. Në saje të ëndrrave që kishte parë përgjatë tri netëve, ai gjeti pusin e zemzemit. Prijësit e Mekës, në atë kohë, donin që të ishin bashkëpunëtorë në gjetjen e këtij uji të bekuar. Abdulmutalibi nuk pranonte. Aty u zbuluan shumë thesare teksa gërmohej për gjetjen e ujit, prandaj mekasit kërkuan përsëri që të ishin ortakë në thesaret e gjetura, mirëpo gjyshi i Profetit tonë të Dashur nuk e pranoi as këtë herë kërkesën e tyre. Atëherë mekasit iu drejtuan Abdulmutalibit, i cili kishte vetëm një djalë:

  • Ti e sheh se përveç djalit tënd, nuk ke askënd tjetër këtu me vete. Atëherë pse del kundër nesh? Betohemi në Zot, se po të duam, edhe mund të të rrahim.
  • Ju po silleni kështu me mua ngase unë nuk kam shumë fëmijë. Po më turpëroni ngase nuk kam shumë fëmijë. Ja, ku po ju betohem, se nëse Allahu i Madh më jep dhjetë djem në të ardhmen, njërin prej tyre do ta flijoj për Allahun, – tha ai.

Pastaj Abdulmutalibiu u ofroi mekasve një sugjerim që do ta zgjidhte situatën pa kurrfarë zënke:

  • Le ta ndajmë në dysh thesarin që kemi zbuluar.

– Ta zëmë se e ndamë. E pastaj? Ç’do të ndodhë? – pyetën mekasit.

  • Gjysmën e thesarit le ta hedhim në short midis nesh dhe Qabes. Nëse fitojmë ne, atëherë ju do të hidhni short edhe një herë short me mua. Secili duhet të kënaqet me atë që do t’i bjerë për pjesë, – ia ktheu Abdulmutalibi.

– Betohemi në Zot se ti dhe një gjykim të drejtë. Eja të ikim e ta hedhim menjëherë shortin me Qaben, – thanë ata.

Më pas ata hodhën short në mes tyre me prijësit e Mekës. Sipas përfundimit, gjysmën e thesareve e mori Abdulmutalibi, ndërsa pjesa tjetër i takoi Qabes. Mekasit nuk morën asgjë prej shortit të hedhur. Madje ata përfunduan duke u zënë me njëri-tjetrin për shkak të pafatësisë së tyre. Këto ndodhi, veç të tjerash, e rritën akoma edhe më shumë reputacionin që gëzonte Abdulmutalibi.

Shtëpia e parë për Allahun (3)
Shtëpia e parë për Allahun (3)

SHTËPIA E PARË PËR ALLAHUN

Një ditë, Allahu i kërkoi Profetit Adem që të ndërtonte një ndërtesë. Profeti Adem e zbatoi menjëherë urdhrin e dhënë. Kështu u ndërtua edhe ndërtesa e parë që është Qabeja.

Kjo ndërtesë që u ngrit në emër të Allahut, ishte jo vetëm shumë e fortë, por edhe jashtëzakonisht shumë e bukur. Allahu e urdhëroi Profetin Ibrahim që ta riparonte Qaben. Prandaj Profeti Ibrahim, bashkë me djalin e tij, Profetin Ismail, e riparuan atë dhe në fund iu lutën Allahut:

– “O Zot! Dërgo prej fisit tonë një profet të atillë për besimtarët, që t’i lexojë atyre ajetet e tua. T’u mësojë atyre Librin. T’i pastrojë ata prej mëkateve!”

Allahu ynë i Madh, pas Profetit Ibrahim nderoi edhe djalin e tij Ismail duke e bërë profet dhe duke ia shtuar atyre fëmijët dhe nipërit. Ky fis u shpërnda nëpër gjithë Arabinë. Njëri prej sojeve të tyre u nderua më tepër se të tjerët. Prej tyre, Kurejshët që jetonin në Mekë, e prej këtyre të fundit, krahu i Hashimive qëndronte më lart se të tjerët. I pari i Hashimive ishte Hashimi, gjyshi i madh i Profetit tonë të Dashur. Ai mbartte një nur në ballin e tij. Ky nur për herë të parë ishte parë në ballin e Profetit Adem. Ky ishte një shkëlqim midis dy vetullave të tij. Ky nur që i takonte Profetit tonë, ishte krijuar shumë kohë më parë se të krijohej vetë Profeti Adem. Më pas, nëpërmjet njerëzve më të ndershëm pati ardhur deri tek gjyshi i Profetit tonë të dashur. Ky shkëlqim kaloi prej Hashimit tek i biri i tij, Abdulmutalibi. Tashmë çdo gjë, njerëzit, toka, qielli, frymorë e jofrymorë, po prisnin me padurim ardhjen e Tij. I gjithë universi po priste përmbushjen e sihariqit për ardhjen e Profetit të fundit.

Drita Mahnitëse (1)
Drita Mahnitëse (1)

Njeriu i parë që krijoi Allahu i Madh në tokë ishte Ademi. Profeti Adem, sapo erdhi në jetë, ngriti kokën dhe pa një dritë shkëlqyese që e mahniti krejtësisht. Ky në fakt ishte një shkëlqim. Ky shkëlqim vinte prej një emir që qëndronte i shkruar në qiell. Profeti Adem, që po e vështronte i mahnitur dritën që kishte përpara syve, e pyeti Allahun:

– “O Zot! Çfarë është ky shkëlqim, ç’është shkruar aty?”

Allahu iu përgjigj:

-Ky është shkëlqimi i një profeti që do të vijë prej gjakut tënd. Emir i tij në qiej është Ahmed, ndërsa në tokë Muhamed. Nëse nuk do të ishte ai, Unë nuk do të të krijoja ty.

   Profeti Adem ishte njeriu i parë në tokë, njëkohësisht edhe babai i të gjithëve që erdhën më pas. Allahu i Madh i krijoi babait tonë një bashkëshorte Havanë, dhe iu drejtua me këto fjalë:

-“Hani, pini dhe shëtisni sit ë dëshironi në Xhenetin tim, por mos prekni me dorë këtë frut sepse është i ndaluar për ju.”

   Një ditë, Havaja e nderuar e harroi që nuk duhet të hante prej frutit të ndaluar dhe i ofroi edhe Profetit Adem që të hante prej këtij fruit. Ndërkohë që edhe Profteti Adem e harroi se nuk duhet të hante prej frutit të ndaluar. Ata hëngrën të dy prej frutit të ndaluar sepse harruan, prandaj Allahu i largoi prej Xhenetit në tokë që të shlyejnë gabimin që ata kishin bërë.

Mirëpo, Ai I vendosi ata në vende të ndryshme të botës.

Fillon jeta në tokë (2)
Fillon jeta në tokë (2)

Profeti Adem dhe Havaja e nderuar e kërkuan njeri-tjetrin në tokë për vite me radhë. Njëkohesisht, ata vazhdimisht kërkonin falje prej Allahut. Madje Profeti Adem ishte aq shumë i penduar, sa për shume vite me radhë, prej turpit nuk e ngrinte dot as kokën qe të shihte drejt qiellit. Pas shume vitesh, Profetit Adem i terhoqi përsëri vëmendjen emri Muhamed (Paqja qofte mbi Të), që qëndronte përkrah emrit të Allahut. Iu kujtua se e kishte parë edhe një herë më parë të njëjtin emër, të shkruar mbi portën e Xhenetit, në krah të emrit të Allahut. Domethën, Ai njeri duhet të kishte një vlerë shumë të madhe për Allahun. Ndaj, Profeti Adem filloi t’i lutej Allahut duke përfshire emrin e Tij brenda lutjes: – O Allahu im i Madh! Na fal neve, mua dhe Havanë, për hir të robit tënd aq të dashur, që ia ke shkruar emrin pranë emrit Tënd, – iu pergjerua ai Allahut, duke i kërkuar që t’ia falte mëkatet.

Zoti ynë i Madh e pranoi këtë dua të sinqertë të Profetit Adem vetëm per hir të Profetit tonë të Dashur. Pa kaluar shume kohë, Profeti Adem dhe Havaja e gjetën veten bashkë në malin e Arafatit. Mandej, Allahu i Plotfuqishëm u dha atyre leje që te martoheshin. Ata lindën me dhjetëra fëmijë, të cilët ishin të gjithë binjakë. Kështu filloi rraca e njeriut, e cila do të vazhdojë të jetojë deri në fundin e botës.

Allahu u dergoi ketyre njerëzve profetë nga mesi i tyre, duke i berë ata më të drejtët, më të mirët dhe më të ndershmit ndër të gjithë njerëzit. Allahu i Madh, meqe i donte shumë robërit e tij, nuk donte që ata të futeshin në rrugë të gabuara. Ja, këta profetë i jepnin popujve të tyre këshilla të mira dhe i ndalonin ata që të benin gjera të gabuara. Profetët u mësonin njerëzve se ku dhe si ta adhuronin Allahun.