ZËNKA E RRUSHIT
Një burrë shumë i pasur u kishte dhënë një sasi parash një iraniani, një arabi, një turku dhe një greku, të cilit ishin bashkë, dhe me to u kishte thënë: “Merrni ç’të doni me këto para.”, duke dashur që sakaq të bënte një të mirë.
– Me këto para do të blej një “engur”, – u shpreh iraniani, që ishte një prej katër burrave.
– Pse more rrugaç? Unë nuk dua “engur”, andaj do të blej një “ineb”, – ia pati arabi.
Turku, që ishte i treti në radhë, dhe nuk i pëlqeu asnjëri prej mendimeve të hedhura deri pak më parë, tha:
– Unë nuk dua as “engur” as “ineb”. Do të blej “yzym”.
Mirëpo ngeli vetëm greku që i kishte ndjekur të gjithë me vëmendje.
– Lërini fjalët e tepërta! Unë dua “istafil”. Për vete do të blej “istafil” me këto para, – u shpreh ai.
Saora në mes tyre filloi një zënkë, ku secili kërkonte të blihej ajo çka ai vetë dëshironte, dhe askush nuk përpiqej për të gjetur një mendim të përbashkët.
Filluan të fluturonin grushte. Sherri ishte nxehur aq shumë sa ata filluan të shqyheshin me njëri-tjetrin. Mirëpo, pas pak çastesh aty kaloi një i ditur, i cili i pyeti se përse po ziheshin.
– Unë dua, që me këto para që na kanë dhënë, të blej “engur”, – u shpreh iraniani.
– Jo, do të marrim “ineb”, – thoshte arabi.
Ndërsa turku bërtiste se duhet të merrnin medoemos “yzym”, greku ngulmonte që të blinin “istafil”.
I dituri, tashmë e kishte kuptuar se të gjithë po kërkonin të njëjtën gjë, rrushin, por nuk po merreshin vesh sepse secili fliste në gjuhën e tij amtare.
– Tani pushoni dhe më dëgjoni me vëmendje. Me këto para do të blejmë diçka që do ta pëlqejnë të gjithë, kini besim tek unë, – u shpreh ai i gëzuar.
Mandej u largua drejt tregut për të blerë rrush. Sakaq ndërmjet të katërve u rikthye paqja. Njëkohësisht nuk mbeti kurrfarë arsyeje që kjo zënkë të vazhdonte më tej.
“Bashkoji zemrat e zogjve të dashur në një mënyrë të atillë, që prej pastërtisë, të mos u mbesë, mbi flatra, asnjë grimcë e vockël pluhuri.”
Kategoria:Tregime dhe Urtësi, Uncategorized