DITËLINDJA E BEKUAR
Pas kësaj ëndrre, nëna jonë Amina filloi të qetësohej duke pritur lindjen e fëmijës së saj. Sa më shumë të mendonte për lindjen e kësaj fëmije të bekuar, aq më pak pikëllohej nga mungesa e Abdullahut.
Dita e mezipritur, ajo ditë që të gjitha gjallesat mezi e prisnin, erdhi më në fund. Tashmë në botë do të mirëpritej ardhja e Profetit të Fundit. Çasti i gëzuar kishte ardhur, ndërsa dhimbjet e lindjes kishin nisur.
Në ato çaste, nëna jonë Amina dëgjoi një zë. Një zë që e trembi shumë. Pak më vonë kishte ardhur një zog i bardhë, i cili i kishte ledhatuar kurrizin. Që prej atij çasti, ajo nuk ndiente as shqetësim dhe as frikë prej asgjëje. Ajo piu sherbetin që iu servir dhe menjëherë fytyrën e saj e pushtoi një shkëlqim dhe sakaq dhimbja e saj mori fund. Edhe shtëpia u mbush plot me dritë dhe shkëlqim. Për shkak të kësaj drite, edhe muret e shtëpisë ishin bërë të pashikueshme. Asaj për një çast iu shfaqën para syve sarajet e Kisrës dhe kështjellat e Sirisë dhe Bagdadit. Tashmë Profeti ynë kishte ardhur në jetë.
Nëna jonë Amina, e cila e kuptoi që djali kishte lindur, deshi ta shihte menjëherë foshnjën e saj të bekuar. U ngrit pak prej shtratit dhe ç’të shihte; djali i saj ishte në sexhde dhe mbante lart gishtin e dëftimit.
Nënë Fatimeja, njëra prej grave që ndihmuan në lindjen e Profetit tonë të Nderuar, e cila gjendej aty, po i shihte të gjitha thuajse e habitur. Teksa e mori Profetin tonë për ta vendosur në djep, ajo dëgjoi një engjëll tek i thoshte:
– “O Fatime! Atë e pastruam dhe e veshëm ne.”
Pastaj një tjetër zë:
“Lindi Muhamedi! Merreni dhe shëtitini Atij çdo vis, nga Lindja deri në Perëndim. Le ta shohë Atë i gjithë Universi.”
Në atë çast, një engjëll e mori Profetin tonë prej djepit dhe u largua. Por pa kaluar shumë kohë, ai u kthye përsëri.
Atë natë, brendia e shtëpisë dhe e gjithë bota ishin krejtësisht të ndriçuara. Yjet që ishin në qiell ishin afruar aq shumë me tokën, sa nënë Fatimeja mendoi se do të preknin tokën. Përreth kishte aroma shumë të mira. Të gjitha këto i kishte parë nëna e Profetit bashkë me dy gratë e tjera që kishin ndihmuar në lindjen e fëmijës.
Në shpinën e fëmijës së ndritshëm, në një vijë me zemrën gjendej vula e profetësisë. Kjo ishte një shenjë, e cila ishte dhënë si sihariq që më parë për ardhjen e Profetit në kohën e fundit. Ajo ishte një ditë e hënë dhe ishte dita e njëzetenjëtë e prillit. Ishin orët e para të agimit. Kishin kaluar vetëm pesëdhjetë-pesëdhjetë e pesë ditë prej ndodhisë së elefantit. Ishte viti 571. Krenaria e Njerëzimit e nderoi njerëzimin me ardhjen e Tij pikërisht në atë ditë.
Kategoria: Jeta e Profetit