Era e Ngarkuar me detyrë

Atë ditë afër mbrëmjes, nisi të frynte një erë e freskët. Mbi kodrën pranë Medinës ishte një dru hurme. Lëvizja e degëve nga era e bëri që të dridhej. Duke i fëshfëritur gjethet, i foli:

“Moj motra erë! Erdhe, pra, më në fund, ë? Më gëzove!”

“Fiu-fiu”, bëri era lehtë e lehtë. “ Si je, ti, motër hurma?”

“Të falem nderit, mirë jam! A s’po m’i luan edhe këto degët anësore? Më duket sikur janë mpirë ca!”

Era fryu drejt degëve anësore të drurit të hurmës.

“ Oh, sa mirë! Faleminderit! Ç’do të bënim po të mos ishe ti?”

“Fiu-fiu, e drejtë! Aq shumë detyra që kam!”

“Më shumë më pëlqen që bart retë”, i tha hurma duke i buzëqeshur. “Kështu na vjen shiu që ti e di se sa shumë na duhet. Me të vërtetë, si bëhesh ti, erë?”

“Kur ajri i nxehtë shkëmben vend me ajrin e ftohtë”, tha era.

“Ka shumë kohë që s’të shoh, erë e dashur! Ku ke qenë?”

“Fiu-fiu, jam sjellë nëpër vende të tjera të botës. Sot Zoti më urdhëroi të vij këtu.”

Druri i hurmës i tundi frutat dhe pyeti me kureshtje:

“Pse, vallë?”

“Nuk mund ta di. Mua m’u dha urdhër të fryj drejt ushtrisë së idhujtarëve. Tani po fryj ngadalë, por në të ardhmen do të fryj shumë shpejt. Atëherë do të quhem ciklon, uragan.”

“Ah, e kuptova”, tha hurma. “Me siguri që Allahu të ka dërguar për t’u ndihmuar myslimanëve!”

Era uturiu me kureshtje.

“Ti je një pemë, një dru. Je edhe në majë të kodrës. Ke parë çdo gjë. Më trego së pari këtë gjë. Ndoshta e mësoj se si do t’u ndihmoj myslimanëve.”

“Mirë”, tha pema e hurmës. “Vërtitmu përreth dhe dëgjo!”

Pema u mendua pak dhe nisi të tregojë.

“Tani janë në vitin 627. U bënë pesë vjet që myslimanët mërguan në Medine. Kohët e fundit, disa nga çifutët silleshin nëpër fiset përreth.”

“Përse?”

“Përpiqeshin t’i nxisnin idhujtarët kundër myslimanëve! Ata nuk e duan fuqizimin e myslimanëve!”

Më në fund, idhujtarët u bashkuan dhe formuan një ushtri, një ushtri të madhe prej 10 mijë vetash! Në krye kishin Ebu Sufjanin.”

“Po myslimanët, ç’bënë?”

Pema e hurmës i tundi degët:

“Me ta mësuar këtë, Profeti Muhamed i mblodhi menjëherë shokët.”

“Fiu-fiu, pra, Profeti i paska dhënë rëndësi bisedës, dëgjimit të mendimit të të tjerëve dhe këshillimit!”

“Po, në atë mbledhje u pranua mendimi i Selmanit.”

“Si ishte mendimi i tij?”

“Të qëndronin në qytet e të hapnin kanal rreth tij!”

“Shumë ide e mençur”, tha era. “Ashtu, hyrja e armikut brenda në qytet bëhet shumë e vështirë!”

“Pastaj, të gjithë myslimanët, me Profetin në krye, nisën të hapin hendekun. Edhe fëmijët punuan aty me sa fuqi kishin, por me shumë dëshirë! Hapja e hendekut vazhdoi me ditë të tëra. Gjatë gjithë kohës, Profeti punonte dhe lutej. Ai thoshte: “Allahu im, po të mos na e tregoje Ti rrugën e drejtë, ne as sadaka do të jepnim, as namaz do të falnim. Kur mohuesit të sulen mbi ne, na u jep zemrave durim dhe qetësi!”

Gjatë gërmimit, shokët hasën në një shkëmb shumë të fortë. Sado që u përpoqën, s’e thyen dot. Por aty erdhi Profeti dhe, me tri të rëna, e copëtoi shkëmbin!”

Era, nga njëra anë dëgjonte pemën e hurmës, nga ana tjetër hidhte nga një sy përreth.

“Në këto anë ka shumë pak gjelbërim, kurse toka është krejt e thatë”, tha hurma. Ajo i lëshoi degët poshtë. “Ka kohë që po vuajmë shumë për ujë e për të ngrënë!”

“Po ç’hanë e ç’pinë myslimanët, atëherë?”

“Të ngrënat i kanë shumë të pakta!”

“Gërmimi i një hendeku duhet të jetë punë e vështirë. Pa ngrënë punuan?”

“Po, për ditë të tëra punuan me shumë pak gjë. Të gjithë u dobësuan. Një ditë, njëri nga shokët, që e quanin Xhabir, e ftoi Profetin në shtëpi për të ngrënë pak gjë, kurse Profeti mblodhi një mijë myslimanë dhe i shkoi bashkë me ta.”

“Fiu-fiu”, fishkëlloi era këtë radhë më fort, me çudi. “Allah, Allah! Kush e di si do ta ketë humbur toruan Xhabiri kur ka parë para shtëpisë  një mijë vetë!”

Hurma buzëqeshi.

“Xhabiri kishte përgatitur mish dhe bukë. Profeti bëri mbi ushqimin lutjen e begatisë dhe ua ndau shokëve me dorën e vet. Ajo pak gjë ngopi një mijë vetë!”

“Kjo është një mrekulli!”

“Po, kështu!”

“Po pastaj?”

“Më në fund, hapja e hendekut mbaroi. Atëherë edhe ushtria prej 10 mijë vetash e idhujtarëve, u panë në horizont. Kurse myslimanët ishin afro 3 mijë vetë. Kur e panë hendekun, idhujtarët u habitën. Në këtë mes, çifutët pas Medinës e prishën marrëveshjen që kishin me Profetin. Myslimanët u rrethuan nga armiku edhe përballë, edhe pas shpine!”

“Fiu-fiu, sa vështirë!”

“Por jo vetëm kaq. Mes myslimanëve kishte hipokritë, ata që tregoheshin si myslimanë, por që në të vërtetë s’ishin të tillë. Ata s’bënin gjë tjetër veçse përpiqeshin të ulnin moralin e myslimanëve.”

Duke fryrë gjatë e gjatë, era tha:

“Myslimanët janë shumë të lidhur pas fesë. Ata ndodheshin të rrethuar nga të katër anët me armiq. Ishte dhe kohë krize. Ata ishin të pangrënë. Sikur të mos mjaftonin këto, ja dhe hipokritët që përpiqeshin t’ua ulnin besimin dhe qëndresën.”

“Po. Kushtet ishin shumë të vështira. Por, për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata pranonin me dëshirë çdo lloj vështirësie.”

“A e kapërcyen dot idhujtarët hendekun?”

“Disa e provuan, por e morën atë që kërkonin. Kur e kuptuan se nuk do ta kapërcejnë dot hendekun, filluan të gjuajnë me gurë dhe shigjeta. Ata mbetën me ditë të tëra para hendekut. Pastaj nisën të grinden me njëri-tjetrin. Ushtria e tyre nisi të shthurej. Më në fund, ushtria e idhujtarëve u hodh në sulm në të gjithë gjatësinë e hendekut. U bënë luftime shumë të ashpra! Profeti Muhamed lutej vazhdimisht. Unë arrija ta ndjeja lutjen e tij gjer këtu:

“Allahu im që ke zbritur Kuranin, na ndihmo kundër tyre!”

“Edhe unë thosha ‘amin!’”

Më në fund, u bë natë. Vendi u mbulua nga errësira. Edhe tregimi i drurit të hurmës kishte marrë fund.

Era tha:

“Fiu-fiu, Allahu duhet ta ketë pranuar lutjen e Profetit, sepse më urdhëroi të fryj në drejtimin ku ndodheshin idhujtarët. Më urdhëroi të fryj si ciklon! Të faleminderit për ato që më tregove, motër hurma! Më erdhi koha të shkoj në detyrë!”

Druri i hurmës e përshëndeti erën nga pas duke i tundur degët:

“Allahu qoftë me ty, motër!”

Era nisi të bëhej më e shpejtë e më e ftohtë. Ajo u kthye në një ciklon të fuqishëm. Shkoi te vendi ku qëndronte ushtria e idhujtarëve dhe nisi të fishkëllente për tmerr! Pas pak, çadrat nisën të shkuleshin, kuajt të ngatërroheshin me devetë, sytë të mos shihnin dot më!

Idhujtarët i kishte mbërthyer paniku dhe frika. Ushtria ishte bërë rrëmujë. Luftëtarët nisën të iknin. Brenda një kohe të shkurtër, u shpërndanë. Aty s’mbeti më ushtri!

Myslimanët falenderonin Allahun për ndihmën. Të gjitha përpjekjet, shqetësimet dhe luftimet e guximshme kishin përfunduar me fitore! Ata ishin shumë të lumtur! Kudo sundonte një atmosferë feste!

Mes buzëqeshjeve të fitores, Profeti falenderonte Allahun. Ai thoshte:

“Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Vetëm Ai është! Allahu e shenjtëroi ushtrinë tonë. Dhe e ndihmoi robin e Tij!”

 

A e kuptuat ngjarjen?

  1. Kërkoni të mësoni se me ç’dobi e krijoi Allahu erën?
  2. Ç’i tregon hurma erës për daljen e Luftës së Hendekut?
  3. Para se të merrte vendim mbi një çështje të caktuar, Profeti i jepte rëndësi këshillimit me të tjerët. Diskutoni për këtë.
  4. Ç’ndodhin gjatë betejës së Hendekut? Si përfundoi ajo?
  5. Siç do ta keni vënë re, si të gjithë njerëzit, edhe Profeti, gjatë gjithë jetës përpiqet, punon, sëmuret, plagoset në luftë, përballet me vështirësi me të cilat përballemi edhe ne. Megjithëse është rob i zgjedhur i Allahut, ai nuk kalon në jetë mes pasurisë, mirëqenies dhe qetësisë! Diskutoni pse ndodh kështu!