Fshatari dhe hajduti

FSHATARI DHE HAJDUTI

 

Një fshatar kishte lidhur një dash për gryke me një litar dhe po e tërhiqte nga pas. Një hajdut e vuri re fshatarin, andaj i shkoi nga pas, ia preu litarin e dashit, duke e grabitur dashin. Mandej, fshatari, që e kishte vërejtur se litari ishte liruar plotësisht, pa mbrapa, por ç’të shihte. Në litar nuk kishte më dash.

Fshatari kësaj here filloi të kërkonte hajdutin që i bëri gjëmën duke ia vjedhur dashin. Gjatë rrugës pa dikë që ishte ulur në gjunjë duke qarë pranë grykës së një pusi.

Fshatari iu afrua këtij burri, që po qante, për ta pyetur:

– Çfarë ke? Pse po ulëret kështu, o njeri i mirë?

Mirëpo, ky burrë që qante nuk ishte kurrkush tjetër, pos hajduti i dashit dora vetë.

– Lëre mos më pyet. Më ra një qese me florinj brenda këtij pusi. Ta dish, po ma nxore dot, të jap një të pestën e florinjve që gjenden brenda asaj qeseje, – i tha ai.

Fshatari, që mendoi se me vlerën e një të pestës që iu ofrua mund të blinte plot dhjetë desh, vendosi ta kryente këtë punë, e sakaq u zhvesh për të zbritur në thellësinë e pusit.

Sakaq, këtë herë, hajduti i vodhi edhe rrobat duke u larguar menjëherë prej andej. Ndërsa burri bërtiste që nga thellësia e pusit se atje nuk gjendej kurrfarë qeseje.

Kur e pa se nuk do të arrinte asgjë duke qëndruar në thellësi të pusit, doli prej andej. Mirëpo, ç’të shikonte. Atje nuk ishte më as burri që qahej, as rrobat e tij…

“Pangopësia është një vjedhëse, që në tërësinë e saj është veç një shkak për ngatërresa; në çdo frymëmarrje ajo merr trajta nga më të ndryshmet.”