Një ditë Nastradini kërkoi nga fqinji një kazan. Kur e mbaroi punën që kishte, brenda kazanit vendosi një tenxhere dhe ia ktheu përsëri komshiut. Komshiu pa tenxheren dhe pyeti:
– Po kjo çfarë është Nastradin?
– Ç’e pyet, – tha Nastradini, – kazani kishte qenë me barrë, pra kazani yt lindi.
Komshiut iu bë qejfi nga kjo situatë dhe e mori kazanin bashkë me tenxheren.
Pas ca ditësh Nastradini i kërkoi kazanin të njëjtit fqinj. Kaloi shumë kohë dhe Nastradini nuk ia ktheu komshiut kazanin. Më në fund, ky vendosi të shkonte në shtëpinë e Nastradinit dhe të kërkonte kazanin. Nastradini i mërzitur në fytyrë i tha:
– Ah, komshi, ah! Të rroni vetë se kazani …
– O Nastradin, çfarë po thua? A vdes kazani?
– O fqinji im i dashur! Ti besove se kazani lindi dhe tani nuk po beson se kazani vdiq?!
Kategoria: Zbavitje