Këlyshi i elefantit

KËLYSHI I ELEFANTIT

Një ditë prej ditësh, një dijetar nga India, pa një karvan udhëtarësh që po përparonte me shumë vështirësi. Udhëtarët dukeshin jashtë mase të rraskapitur dhe nuk kishin kurrfarë rezerve ushqimore me vete. Dijetari e kuptoi që ky grup ishte tejet i uritur, prandaj i paralajmëroi ata që të mos hanin asnjë prej këlyshëve të elefantëve që mund të hasnin përgjatë rrugës.

– O miq të shtrenjtë, e kuptoj që jeni të uritur. Gjithashtu e di se çfarë ju ka shkaktuar kjo uri. Mirëpo, ju përgjërohem, për hir të Zotit, mos i gjuani këlyshët e elefantëve që mund të shihni gjatë rrugëtimit tuaj. Mos i hani ata. Megjithëse mund t’jua dojë zemra t’i hani ato kafshë të egra, por të pafuqishme, mirëpo nuk duhet të harroni që nënat e tyre, prej hundëve të të cilave del vetëm flakë e tym, do të jenë duke ju pritur brenda një kurthi. Kanë për t’ju bërë të pendoheni për çka u keni bërë, – i tha dijetari grupit të udhëtarëve.

Dijetari i porositi përsëri ata, se nëse i kaplonte sërish uria, le të hanin gjethe ose barëra të ngrënshme, por kurrsesi nuk duhet të preknin këlyshët e elefantëve. Rruga ishte tejet e gjatë dhe e lodhshme. Udhëtarët, që po përpëliteshin prej urisë që kishin, mundoheshin që si e si të gjenin sikur edhe diçka të vogël për të ngrënë. Papritur në rrugë u kishte dalë përpara një këlysh i vockël elefanti. Udhëtarët, që ishin të lodhur sa më s’ka, porsi ujq të egër, iu hodhën sipër dhe filluan ta hanin të voglin e elefantit. Ndërkohë, njërit prej tyre iu kujtua këshilla që i kishte dhënë dijetari. Filloi të frikësohej se tani fatkeqësia e madhe nuk do të vononte, andaj vendosi që të mos hante prej mishit të këlyshit, prandaj i këshilloi edhe miqtë e tij që të mos e hanin.

Pa kaluar shumë kohë, të gjithë ata që hëngrën prej mishit të këlyshit i kaploi një gjumë i rëndë. Ndërsa ata që nuk kishin ngrënë, u rrinin mbi krye si çobanë. Sakaq, ç’të shohin. Drejt tyre po vjen një elefant i stërmadh, që dukej tejet i xhindosur. Elefanti në fillim nuhati gojën e burrit që nuk hëngri prej mishit të këlyshit. Në të nuk kishte kurrfarë ere të keqe. Megjithëse i erdhi disa herë rrotull, elefanti nënë nuk e dëmtoi aspak atë.

Elefanti nënë shkoi të kontrollonte edhe pjesëtarët e tjerë të karvanit duke u nuhatur gojët e tyre. Gojët e secilit prej atyre që e kishin skuqur mishin e këlyshin vinte një lloj ere karakteristike të keqe.

Elefanti nënë i copëtoi të gjithë, pa përjashtim, ata që ndodheshin atje.

“Ah more njeri i padrejtë, që edhe të voglin e elefantit e ha;  mos harro që elefanti i madh, meqë e ke edhe armik, të shkatërron, madje të zhduk fare.”