MBRETI DHE GAZTORI I TIJ
Sejiti, Mbreti i Tirmidhit, filloi të kërkonte për një mjet të mirë udhëtimi, pasi duhej të mbërrinte brenda tri-katër ditësh në Samarkand, një vend i largët, ku kishte një punë shumë të rëndësishme. U dërguan lajme në çdo anë për të kërkuar një mjet të mirë. Lajmi u përhap aq shumë sa mbërriti deri në Samarkand që mbreti po kërkonte dikënd që t’i ngiste kuajt sa më shpejt, në mënyrë që ai të mbërrinte brenda kohe në Samarkand. Gjithashtu ishte dhënë lajmërimi se ai njeri që do të gjendej do të shpërblehej me një çmim të majmë dhe me dhurata të shumta. Mbreti kishte një gaztor që e quanin Delkak. Delkaku e dëgjoi fermanin e mbretit në fshatin e tij, prandaj e përgatiti kalin dhe e grahu me shpejtësi dhe pandalur deri në Tirmidh.
Delkakut iu desh të ndërronte dy kuaj ngaqë iu plagosën gjatë rrugës. Afër mesnatës mbërriti kërkoi që ta takonin menjëherë me mbretin.
Në pallat ishte krijuar një panik dhe merak i jashtëzakonshëm, pasi të gjithë ishin të frikësuar për këtë takim të menjëhershëm e të pagjasë të mbretit me Delkakun. E tërë gjindja ishte e merakosur se ç’ishte ai trill që do të flisnin mbreti dhe gaztori. Ata frikësoheshin më shumë se mos kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Menjëherë në të katër anët e vendit u përhapën hamendjet se një armik shumë i rrezikshëm a një e keqe shumë e rëndë ishte duke u afruar.
“Derisa Delkaku erdhi me gjithë këtë vrull, me dy kuaj soji, duke u bërë erë, nuk ka dyshim që diçka shumë e rëndësishme duhet të ketë ndodhur”, thonin zërat. Të gjithë ata që ankoheshin, që ulërinin dhe që ishin futur në dyshime nga frika e shpifjeve dhe ndonjë fatkeqësie të papritur, e kthyen qytetin në një vend vajtimi masiv.
Çdokush që orvatej të mësonte diçka prej Delkakut, kthehej kokulur e veshëbosh. Ai i përgjigjej të gjithëve me një gjest, prej të cilit kuptohej se ai që pyeste duhej të heshtte. Në njëfarë mënyre kjo ia shtonte gjindjes kureshtjen akoma edhe më shumë.
Më në fund, Delkakun e pranuan të dilte përpara mbretit. Delkaku hyri në sallonin e mbretit, dhe duke u munduar të ishte sa më i respektueshëm karshi madhërisë, filloi t’i puthte cepin e poshtëm të pelerinës.
Mbreti, i cili ishte më kureshtar se gjithë populli i tij, vendosi ta pyeste:
– Çfarë ka ndodhur, ma thuaj menjëherë! Ç’është gjithë ky nxitim? Pse je kaq i emocionuar?
– Jam jashtëzakonisht shumë i lodhur. Kam ndërruar disa kuaj për të mbërritur deri këtu, prandaj, të paktën më lejoni të çlodhem pak, – ia ktheu Delkaku.
Mbreti priti për pak kohë. Mirëpo nga pritja e ankthshme dhe emocionet e mëdha që e kishin kapluar, atij iu tha gjuha. E preku jashtëzakonisht shumë gjendja në të cilën ndodhej njeriu i tij më i besuar, që e kishte bërë aq shumë herë për të qeshur në gjendjet e tij më të rënda. Mbreti i druhej mjaft kërcënimeve që mund t’i vinin prej armiqve përreth dhe nga fatkeqësitë që kurrë nuk të pyesin për kohën, ndaj nuk duroi dot më gjatë, prandaj e pyeti:
– Thuama menjëherë, ç’ka ndodhur? Ç’të shtyu të vish në këtë gjendje kaq të rraskapitur?
– Në fshat, dëgjova prej kasnecëve se mbreti ynë i nderuar do të paguante dhe shpërblente me dhurata të shumta personin që do ta çonte në Samarkand brenda tri ditësh. Andaj unë erdha këtu për t’ju lajmëruar se unë nuk mund ta bëj dot këtë punë. Nuk doja që të lidhnit më kot shpresat pas meje, – u përgjigj Delkaku.
Mbreti u çmerit krejtësisht, dhe i habitur në skaj, i nevrikosur, ia ktheu:
– Ah more, që Zoti të dhëntë ç’meriton! Erdhe dhe frikësove një qytet të tërë. Ç’nevojë kishte në këtë mes që ta bëje qimen tra?
Megjithatë, njerëzit e mbretit nuk reshtën së dyshuari se gaztori i mbretit diç fshihte, dhe nuk donte që ta ndante me të tjerët. Ata e morën dhe e futën në lloj-lloj torturash me qëllimin për të nxjerrë diçka më tepër prej tij. Në fund, Delkaku e kuptoi më së miri se në çfarë qorrsokaku të shpie sjellja duke bërë veprime të nxituara dhe të panevojshme.
“Fjala e drejtë të ndriçon; edhe zemra bie në qetësi prej asaj fjale… Nuk qetësohet zemra me fjalë të gënjeshtërta. Nuk qetësohet sepse gënjeshtra i ngjan mbeturinës së kashtës, ndërsa zemra, gojës; veçse mbeturina e kashtës nuk fshihet dot gjithnjë brenda gojës.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi