MIU DHE BRETKOSA
Një ditë prej ditësh, miu dhe bretkosa u njohën dhe u miqësuan në bregun e një kanali. Këta dy miq të mirë, që takoheshin përditë dhe argëtoheshin duke i treguar njëri-tjetrit rrëfenja të ndryshme, e kishin me mjaft dëshirë që të rrinin vetëm bashkë, të pandarë. Por, sa keq! Ngase njëri jetonte në thellësi të ujit, ndërsa tjetri në tokë, nuk po i bëhej që nuk i bëhej e mundur që të bashkëjetonin.
Një ditë, miu i tha bretkosës:
– O mendjendritur, sa herë që vij në breg të ujit për të treguar ndonjë të fshehtë, shoh që ti lëviz në thellësi të ujit, mirëpo e kam të pamundur që të të arrij. Nuk kam mundësi që të futem në ujë, sepse unë jam i krijuar për në tokë. Prandaj edhe zëri im nuk mbërrin deri tek ti.
Të dy shokët u munduan shumë që të gjenin një zgjidhje, në mënyrë që të takoheshin sa herë që të dëshironin. Derisa në fund morën një rrip të gjatë, me të cilin vendosën të lidheshin nga beli, në mënyrë që kur njëri prej tyre të dëshironte që të takoheshin, ta lajmëronte shokun duke i dhënë një të tërhequr litarit.
Miu, sa herë që të donte të takohej me bretkosën, i mjaftonte që thjesht të tërhiqte litarin. Po në atë mënyrë, edhe bretkosa e tregonte dëshirën e saj nga ana tjetër e rripit.
Kaluan shumë ditë e shumë muaj, që këto dy kafshë mike takoheshin sa herë të donin, duke i dhënë njëri-tjetrit mesazhin e takimit. Një ditë, një sorrë bojëkafe, e cila kishte kohë që po vërdallisej në ajër, e vuri re miushin që vërtitej në tokë, dhe me një shpejtësi marramendëse e mori miun duke e fluturuar lart në qiell. Mirëpo, sorra u ngrit aq shumë lart prej tokës saqë rripi i lidhur nxori edhe bretkosën prej ujit.
Të gjithë që e vunë re këtë ndodhi të pamundur, u habitën së tepërmi.
– Pa shihni se ç’kurth thuri sorra për të kullufitur bretkosën që prej kohësh fshihej në thellësitë e ujit, – u shprehën ata të mahnitur prej “zgjuarsisë” së sorrës.
“Hajde në vete dhe mos u gënje nga pamja e jashtme e gjërave; as fjalë të pavenda mos thuaj; mos e kërko njëllojtësinë në pamje të jashtme.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi