Një ditë, po binte një shi rrebesh dhe Nastradini po vështronte rrugën nga dritarja. Në atë çast syri i zuri njërin nga shokët që po vraponte për në shtëpi. Nastradini e hapi dritaren dhe i thirri:
– Turp të kesh, ore mik! A vrapon kështu një burrë me mend në kokë dhe i mençur si ti, përballë asaj që ka falur Zoti?!
I shkreti burrë i dha të drejtë në vetvete Nastradinit dhe filloi të ecte dalëngadalë, por u lag kokë e këmbë. Atëherë e kuptoi lojën që i bëri Nastradini. Pas shumë kohësh, një ditë me shi, pa Nastradinin që po vraponte për në shtëpi, dhe deshi të hakmerrej për lojën që i pati bërë dikur.
– Nastradin, Nastradin! Pse po ikën kështu nga ajo që ka falur Zoti? A nuk është turp për ty?!
Nastradini nuk e ndryshoi aspak vrullin dhe duke vrapuar i ktheu përgjigje:
– Jo, ore! Nuk po i largohem, përkundrazi, po vrapoj që të mos shkel atë që po na sjell Zoti.
Kategoria: Zbavitje