QYTETARI DHE FSHATARI
Dikur, në të shkuarën, një fshatar dhe një qytetar u bënë miq. Fshatari, sa herë që vinte në qytet shkonte si mik në shtëpinë e qytetarit duke qëndruar dy-tre muaj. Në mëngjes ulej me të në dyqan, dhe e përdorte gjithë pasurinë sikur të ishte e tija. Qytetari e mirëpriste atë në këmbim të kurrgjëje në sofrën e tij bujare.
Një ditë fshatari iu drejtua mikut të tij qytetar me këto fjalë:
– Pse more zotëri, nuk vjen njëherë në fshatin tonë, qoftë edhe veç për të shëtitur? Për hir të Zotit, ejani si familje, sepse tani është pranverë, andaj gjithandej sytë të shohin veç trëndafila. Nëse vini në verë, atëherë është stina e frutave. Do të doja shumë që t’ju shërbeja atje. Merri të gjithë, ç’ke e ku ke, dhe eja të na vizitosh në fshatin tonë. Rri nja tre-katër muaj tek ne. Fshati është tejet i bukur në verë. Çdo anë e mbulon gjelbërimi. Atëherë hapen dhe tulipanët.
Qytetari, që më shumë dëshironte të shpëtonte prej fjalës së mikut të tij fshatar, i dha atij fjalën se do të shkonte një ditë. Megjithëse, pas fjalës së dhënë kaluan plot tetë vjet.
– Kur do të vish, se vera iku, e vjeshtët me dimrat po ikin e vijnë. Ju presim të gjithë familjarisht, – vazhdonte fshatari në avazin e tij të vjetër.
– Këtë vit nuk erdha dot se pata filanin të ftuar, pata këtë festë, etj., megjithatë, sapo të mbaroj këto punë që kam në dorë dhe do të vij, – mundohej qytetari duke përdorur të njëjtat përgjigje për të gjetur një rrugëzgjidhje për hallin që e kishte gjetur me mikun e tij.
Fshatari vinte çdo vit në shtëpinë e qytetarit, dhe vendosej aty sikur të ishte një lejlek. Hante, pinte dhe jetonte pa kurrfarë harxhimi; kalonte me muaj të tërë nën kurrizin e qytetarit.
Fshatari, herën e fundit që kishte ndenjur plot tre muaj, u mundua edhe një herë që të merrte fjalën e besës se tashmë qytetari do të shkonte për ta vizituar në fshat. Mirëpo, sakaq kaluan edhe dhjetë vjet të tjerë. Qytetari s’po arrinte që s’po arrinte dot t’ia realizonte këtë dëshirë të qashtër mikut të tij fshatar. Më në fund, fëmijët e qytetarit iu lutën të atit:
– Baba, e ke mërzitur tej mase mikun tënd; hoqe shumë që t’ia zgjidhje problemin që ai pati, andaj ai do që të të shpërblejë duke të ftuar në shtëpinë e tij në fshat.
Më në fund e bindën të atin që të shkonin. Pasi ishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, të gjithë u nisën për udhë. Teksa të hipur mbi mushkat e tyre po udhëtonin drejt fshatit, ata po përsiasnin për bukuritë që i prisnin atje.
Pas një udhëtimi tejet të gjatë, që kishte zgjatur rreth një muaj, më në fund mbërritën në fshat. Ishin shumë të lodhur dhe shumë të uritur. Tagjia dhe bari që kishin marrë me vete për të kullotur kafshët e udhëtimit u kishin mbaruar. Por, çudi, miku i tyre prej fshatit po u fshihej miqve të tij, e nuk po ia hapte portën.
Në darkë, filloi të bënte një mot i ashpër. Gjithandej furtunë dhe shtrëngata. Ai shkoi edhe njëherë të trokiste në portën e mikut të tij, që të paktën t’ia hapte portën që fëmijët e tij të mund të fusnin kokën.
– Ta hap portën vetëm nëse do të marrësh në dorë harkun dhe shigjetat për të ruajtur bagëtinë prej ujqërve që mund të mund të zbresin prej malit, – iu përgjigj fshatari.
I gjori qytetar u kënaq edhe me kaq, andaj filloi të rrinte në një zgëq bashkë me familjen e tij, duke pritur se mos zbriste ndonjë ujk për të sulmuar. Në mesnatë, qytetari pa një kope ujqërish që po zbrisnin prej malit. Mori shenjë mbi njërin prej ujqërve dhe e goditi atë, duke e vrarë menjëherë. Ç’të dëgjonte:
– Çfarë bëre kështu? Ai që vrave ishte kërriçi i gomarit tim, – filloi të qahej duke ulëritur fshatari i nxehur tej mase.
– Si e vure re që ajo kafshë, që vrava unë, nuk ishte ujk, por kërriçi yt? – e pyeti qytetari, i cili ishte i sigurt që ai që kishte vrarë ai ishte një ujk.
– E dallova prej shfryrjeve të ajrit që ai lëshonte, – i ktheu përgjigje fshatari, përgjigje që tanimë kaloi çdo lloj caku në nevrikosjen e tjetrit.
– Po mirë more i paudhë, kërriçin tënd arrin ta dallosh edhe nga një distancë kaq e madhe, madje edhe në një mot të tillë, ndërsa mikun tënd që të ka pritur për dhjetë vjet me radhë në shtëpinë tënde nuk e njeh ë? – ia ktheu qytetari me të drejtë, duke i dhënë sakaq fshatarit një mësim të mirë.
Qytetari që mori një mësim të mirë nga gjithë këto ndodhi, që me mëngjes mblodhi plaçkë e laçkë e u nis për në shtëpinë e tij, në qytet.
“Si do ta fshehësh errësirë e keqdashjes, dembelizmit, smirës dhe pangopësisë që të fshihet ndër vena, more xhambaz?”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi