
SHTËPIA E PARË PËR ALLAHUN
Një ditë, Allahu i kërkoi Profetit Adem që të ndërtonte një ndërtesë. Profeti Adem e zbatoi menjëherë urdhrin e dhënë. Kështu u ndërtua edhe ndërtesa e parë që është Qabeja.
Kjo ndërtesë që u ngrit në emër të Allahut, ishte jo vetëm shumë e fortë, por edhe jashtëzakonisht shumë e bukur. Allahu e urdhëroi Profetin Ibrahim që ta riparonte Qaben. Prandaj Profeti Ibrahim, bashkë me djalin e tij, Profetin Ismail, e riparuan atë dhe në fund iu lutën Allahut:
– “O Zot! Dërgo prej fisit tonë një profet të atillë për besimtarët, që t’i lexojë atyre ajetet e tua. T’u mësojë atyre Librin. T’i pastrojë ata prej mëkateve!”
Allahu ynë i Madh, pas Profetit Ibrahim nderoi edhe djalin e tij Ismail duke e bërë profet dhe duke ia shtuar atyre fëmijët dhe nipërit. Ky fis u shpërnda nëpër gjithë Arabinë. Njëri prej sojeve të tyre u nderua më tepër se të tjerët. Prej tyre, Kurejshët që jetonin në Mekë, e prej këtyre të fundit, krahu i Hashimive qëndronte më lart se të tjerët. I pari i Hashimive ishte Hashimi, gjyshi i madh i Profetit tonë të Dashur. Ai mbartte një nur në ballin e tij. Ky nur për herë të parë ishte parë në ballin e Profetit Adem. Ky ishte një shkëlqim midis dy vetullave të tij. Ky nur që i takonte Profetit tonë, ishte krijuar shumë kohë më parë se të krijohej vetë Profeti Adem. Më pas, nëpërmjet njerëzve më të ndershëm pati ardhur deri tek gjyshi i Profetit tonë të dashur. Ky shkëlqim kaloi prej Hashimit tek i biri i tij, Abdulmutalibi. Tashmë çdo gjë, njerëzit, toka, qielli, frymorë e jofrymorë, po prisnin me padurim ardhjen e Tij. I gjithë universi po priste përmbushjen e sihariqit për ardhjen e Profetit të fundit.
Kategoria: Jeta e Profetit