
TË KUPTOSH GJUHËN E KAFSHËVE
Një ditë, një burrë erdhi pranë profetit Musa dhe iu lut që ai t’i mësonte gjuhën e kafshëve.
– Mësoma edhe mua gjuhën e kafshëve, – i tha ai duke iu lutur, – që duke ia kuptuar gjuhën, të mund të marr mësime prej tyre.
Profeti Musa u mundua së tepërmi që t’ia largonte këtë mendim nga mendja duke i folur për rreziqet e shumta që fshiheshin pas kësaj dëshire. Megjithatë burri nuk hiqte dorë nga dëshira e tij.
E paralajmëroi me herë të tëra, se nëse mësonte gjuhën e kafshëve, e prisnin rreziqe të shumta, derisa burri i kërkoi që të paktën t’i mësonte gjuhën e kafshëve të qymezit dhe qenve.
Ndërkohë, profeti Musa iu lut Zotit që t’i bënte të mundur këtij njeriu aftësinë për të kuptuar gjuhën e pulave, gjelave dhe qenve. Sakaq, lutja e profetit u pranua. Ai shkoi menjëherë t’i jepte sihariqin njeriut që ishte aq i zellshëm për të kuptuar gjuhën e kafshëve. Për ta provuar nëse myzhdeja që i kishte dhënë profeti ishte e vërtetë, ai doli tek porta e shtëpisë duke qëndruar në këmbë. Teksa shërbëtorja po shkundte mbulesën e sofrës, në tokë ra një copë buke e ndenjur. Gjeli u hodh menjëherë duke e rrëmbyer saora ushqimin e tij. Pas tij u hodh qeni, i cili filloi t’i bërtiste gjelit tërë nerva:
– Na bëre të gjithëve një padrejtësi shumë të rëndë. Ti mund të ushqehesh edhe me dy-tri kokrra gruri, ndërsa unë nuk mundem; atje ku jetoj unë është tejet e vështirë që të gjej diçka për të ngrënë. Ti, duke e ditur se mund të gjesh edhe diçka tjetër për të ngrënë, ku ta di unë, pak grurë, misër apo tërshërë, u vërsule dhe kape pikërisht atë kothere buke, që me shumë mundësi ishte e imja. Ti je shumë i padrejtë.
– Pusho, mos fol gjepura. Zoti të jep gjëra të tjera, nuk të lë pa ushqim. Prit, se tani afër kali i pronarit do të sëmuret rëndë, kështu që edhe ti do të kesh sa të ngopesh; nesër do të hash mish për shtatë palë qejfe, mos bëj kështu. Ngordhja e atij kali do të kthehet në festë për të gjitha kafshët e tjera. Ki durim, do të fitosh aq shumë. Madje pa u lodhur fare.
Burri, i cili ishte ende në qoshe duke i dëgjuar të gjitha ato çfarë thanë kafshët, e mori menjëherë kalin për ta çuar në pazar që ta hiqte qafe; sakaq edhe kali edhe gjeli ranë në një pikëllim të thellë. Asgjë nuk shkoi ashtu siç e kishin planifikuar ata. Gjeli e ndjente veten shumë keq karshi qenit.
Ditën tjetër, gjeli kapi një tjetër kothere buke. Këtë herë qeni e akuzoi atë si të padrejtë dhe gënjeshtar.
– Sikur më the që kali do të sëmurej, e prej mishit të tij do të haja sa të ngopesha, – e akuzoi ai gjelin.
– Kali u sëmur, por jo këtu. I zoti i shtëpisë e shiti kalin duke shpëtuar prej dëmit. Ia hodhi dëmin dikujt tjetër. Mirëpo, ta dish, nesër do t’i sëmuret mushka. Ka për t’u kthyer në një festë të madhe për të gjitha kafshët, – tha gjeli i kënaqur që i kishte rikthyer edhe njëherë shpresat qenit të uritur.
Pronari, me të dëgjuar sërish fjalët e gjelit, vendosi që ta hiqte qafe një orë e më parë mushkën, e cila me ngordhjen e saj do t’i kushtonte shtrenjtë. Ai e shpuri në treg dhe ia shiti blerësit të parë që i doli përpara.
Ditën e tretë, qeni e pa që pronari këtë herë e shiti edhe mushkën, kështu që ai do të priste akoma ashtu në atë gjendje të mjeruar prej urisë. Këtë herë ai ishte i mendimit se nuk do të linte gjë pa i thënë gjelit, që megjithëse i pafajshëm, dukej sikur herë pas here i punonte ndonjë rreng qenit të gjorë.
– Hë more gënjeshtar me zile! Ku janë gjithë ato andralla që më trullose së thëni? – iu hakërrye qeni i nxehur, me një pamje prej të mjeri prej urisë.
– Ç’të bëj unë që e shiti menjëherë mushkën, ai? Megjithatë, ja ku po të them. Nesër atij do t’i vdesë njëri prej shërbëtorëve, kështu që njerëzit e tij do të shpërndajnë ushqim për të gjitha kafshët e fermës.
Burri i dëgjoi përsëri pëshpërimat e gjelit, prandaj u nis turravrap që ta shiste edhe shërbëtorin, duke shpëtuar prej një tjetër dëmi, madje duke arritur një qar të majmë nga paralajmërimet që përkapte prej gjuhës së gjelit dhe qenit. Ai u rehatua së tepërmi. Vetëm me njohjen e gjuhës së këtyre dy kafshëve ai kishte shpëtuar prej dy dëmesh që do t’i kushtonin së tepërmi, andaj ai vazhdimisht falënderonte për këtë mirësi që i ishte dhënë.
Burri më së shumti gëzohej, se duke ditur gjuhën e këtyre dy kafshëve ai do të ishte përherë i paralajmëruar për fatkeqësitë e ndryshme që mund t’i trokisnin në derë.
Në të kundërt të haresë që kishte kapluar pronarin, tek gjeli mbizotëronte ndjenja e fajit që kishte rënë tri herë radhazi në vendin e rrenacakut përballë qenit.
– Edhe për sa kohë do të vazhdosh të më gënjesh? A di të thuash ndonjë gjë, që të jetë e drejtë? – i bërtiti gjelit, qeni, kësaj here.
– Kurrën e kurrës! Unë nuk gënjej asnjëherë. Ne gjelat nuk e kemi për zakon të gënjejmë. Ne vetëm vështrojmë drejt diellit duke pritur kohën e duhur të çdo gjëje. Zoti na ka dërguar ne që t’i kujtojmë njeriut herë pas here që të mos harrojë të kryejë falenderime ndaj Tij. Të gjitha ç’të kam thënë kanë qenë të vërteta.
Edhe shërbëtori vdiq, por në shtëpinë e atij që e bleu. Pronari ynë hoqi dorë prej një pjese të mirë të pasurisë, por ta dish se mori veten më qafë. Nesër do të vdesë vetë; familja e tij do të mbajë zi, madje do të therin edhe një ka si flijim për shpirtin e tij. Nesër të gjitha kafshët do të zgjohen mes mirësish të shumëllojshme. Gjithandej do të ketë ushqim për të gjithë.
Ngordhja e kalit, mushkës dhe shërbëtorit do të ishin një shkas që pronari të shpëtonte prej aksidentit që e priste. Humbja e plaçkës do ta shpëtonte prej fatkeqësisë. Por më kot!… Tashmë nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër.
I zoti i shtëpisë, i merakosur prej këtyre fjalëve të zymta që dëgjoi nga goja e gjelit, prandaj rendi me vrap për t’u këshilluar me Profetin Musa.
– Profeti im i dashur! Më shpëto, të lutem, prej kësaj gjendjeje që ndodhem, – ulërinte ai i lemerisur.
Por tashmë ishte mjaft vonë. Të nesërmen në mëngjes ai vdiq, dhe familjarët e tij prenë fli të shumta për shpirtin e tij. Të gjitha kafshët hëngrën sa u dendën.
“Vuajtjet dhe fatkeqësitë kanë anën e tyre të mirë për njeriun. Ato e shpëtojnë atë prej të keqes. Këtë të mos e harrosh kurrë, sepse as ajo nuk harron të veprojë veç kësitrajtshëm.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi