Tre princa

TRE PRINCA

 Një mbret na kishte tre djem, njëri më trim se tjetri, të tre bujarë dhe mjaft të kuptueshëm. Princat kishin shumë dëshirë që të njihnin vendin që i ati drejtonte, andaj, një ditë, vendosën që të bënin një shëtitje në mbarë vendin, për të parë më nga afër se si ecnin këto punë.

Teksa princat po i puthnin dorën të atit, mbreti u dha atyre këtë këshillë:

– Shkoni ku t’ju dojë e bardha zemër; Zoti ka për t’ju ndihmuar. Mirëpo, gjatë rrugës gjendet një kështjellë me emrin “Hyshruba”, e cila i çmend fort pas vetes mendjet që lidhen fort pas saj. Më e mira e të mirave është që të mos shkoni atje. Qëndroni larg prej asaj kështjelle që i ka muret të mbushura me piktura që të marrin mendtë e kokës!

Në të vërtetë, nëse nuk do të ishte babai ai që ia përmendi, atyre as do t’u shkonte ndërmend për të… Mirëpo këshillimi i detajuar i babait ia shtoi atyre në cak kureshtjen. Ca më tepër ishte ndalimi ajo që i shtynte të mendonin për të kundërtën.

Princat u nisën pikërisht për në kështjellën e “Hyshrubas”, derisa më në fund mbërritën në muret e saj. E gjitha ishte me të vërtetë e zbukuruar me piktura.

Kjo kështjellë kishte dhjetë porta, pesë që hapeshin ndaj detit, dhe pesë të tjera ndaj tokës.

Princat u mahnitën prej pikturave të shumta që qëndronin nëpër mure. Mes tyre ata i tërhoqi një pikturë tejet tërheqëse. Të tre u mahnitën përballë asaj pikture marramendëse. Ajo i bëri ata që të zhyteshin në fantazi të paimagjinueshme. Princat, që u dashuruan pas kësaj pikture, filluan të kërkonin se kush ishte piktori i saj.

Si fillim, ata pyetën një burrë plak që gjendej brenda kështjellës.

– Kjo është piktura e vajzës së mbretit të Kinës, me të cilën janë dashuruar me mijëra ashikë që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të përvëlohen për të. Kjo shërbeu që t’i hidhte barut zjarrit të kureshtjes që ajo pikturë kishte ndezur brenda tyre, – iu përgjigj ai.

Të tre princat vendosën të shkonin në Kinë, andaj u nisën menjëherë për rrugëtimin e largët që i priste. Të tre princat, me të mbërritur në Kinë, u fshehën në një vend të sigurt në afërsi të pallatit mbretëror kinez. Pa kaluar shumë kohë, më i madhi prej tyre i tha vëllezërve të tij, se duhet të dilnin prej aty e të shkonin menjëherë përpara mbretit të atij vendi. Mirëpo vëllai i mesëm dhe i vogli ishin të mendimit se duhet të prisnin edhe pak. Por më kot, vëllai i madh nuk i dëgjoi ata dhe u nis menjëherë për në pallatin e mbretit. Me të dalë përballë mbretit, ai filloi t’i qante atij hallin që e kishte gjetur.

Mbreti i Kinës jo se nuk e kishte marrë vesh se kishin ardhur tre princa dhe me çfarë qëllimesh kishin ardhur. Që më parë ai kishte pyetur dhe e kishte mësuar sakaq synimin e tyre, andaj ai i kishte marrë të gjitha masat e nevojshme. Ai me ta mësuar nga vetë goja e princit arsyen pse kishte ardhur, u dha urdhër ushtarëve të tij që ta vrisnin.

Kaloi një kohë e gjatë që princi më i madh nuk po kthehej. Vëllai i mesëm, ngase edhe vëllai i vogël ishte i sëmurë, u nis i vetëm për të shkuar në varrimin e vëllait të tij. Ndërkohë, mbreti që tani pa një tjetër person nga e njëjta familje filloi të gjente rrugët për ta kapur. Fati i vëllait të dytë ishte i ngjashëm me atë të të parit. Tanimë vëllai i vogël ishte i vetëm dhe fare fillikat.

Saora, princi i mençur që e kishte kuptuar që ajo pikturë nuk ishte me të vërtetë e vajzës së perandorit, por thjesht një kurth i tij, u largua menjëherë për t’u kthyer në pallatin e babait të tij.

“Ata që shesin sende që nuk kanë kurrfarë vlere dhe që nuk ngjajnë aspak me asgjë të vërtetë, të marrin mendjen veç me gjullurdi dhe shamatë.”