Tregtari dhe Papagalli

TREGTARI DHE PAPAGALLI

 

Njëherë e një kohë, një tregtar kishte një papagall shumë të bukur. Papagalli i gjorë mërzitej jashtëzakonisht shumë prej jetës së izoluar që bënte brenda një kafazi. Një ditë, tregtari kishte vendosur të nisej për në Indi, dhe para se të nisej, i pyeti të gjithë miqtë dhe shërbyesit e tij, se çfarë dhuratash donin që t’u sillte kur të kthehej. Çdonjëri kërkoi diçka. Më në fund radha i erdhi papagallit.

  • Pa më thuaj, po ty, ç’dëshiron të të sjell? – e pyeti tregtari bujar.
  • Tregoju gjendjen time papagajve që jetojnë atje. Tregoju se si bëj një jetë të izoluar, si dhe dërgoju përshëndetjet e mia. Pyeti nëse është e drejtë që, teksa ata janë duke jetuar të lirë nëpër pyje dhe bjeshkë të mahnitshme, unë jam duke bërë një jetë prej skllavi, i mbyllur në kafaz dhe larg prej vendit tim. Thuaju se kam nevojë për ndihmën e tyre, – ia ktheu papagalli.

Tregtari i dha fjalën që do t’ia transmetonte fjalët e tij të gjithë papagajve të atjeshëm dhe sakaq u nis.

Ec e ec, tregtari mbërriti në Indi dhe afër një pllaje vuri re disa papagaj që qëndronin mbi pemë. E ndaloi kalin aty. Iu afrua papagajve dhe filloi t’u transmetonte atyre fjalët e papagallit të tij.

Njëri prej papagajve, me të mbaruar fjalët e tregtarit, u rrëzua nga pema duke ngordhur menjëherë. I zemëruar pse u bë shkak për ngordhjen e kësaj kafshe të gjorë, ai ndjeu një pendesë të madhe brenda vetes.

– Ndoshta ka qenë ndonjë prej të afërmve të papagallit tim, – mendoi ai me vete.

Tregtari mbaroi tregtinë e tij në Indi dhe u kthye menjëherë për në vendlindje. Një të mbërritur shpërndau dhuratat dhe fali jashtëzakonisht shumë prej pasurisë së tij. Saora, papagalli e pyeti se çfarë kishte parë dhe dëgjuar në lidhje me kërkesën e tij në Indi. Megjithëse ai ia shpjegoi se ishte shumë i mërzitur nga ajo që i kishte ndodhur dhe nuk donte ta tregonte, papagalli vazhdonte të këmbëngulte.

  • Ia tregova një për një papagajve që më dolën përpara, të gjitha ato që më porosite ti para se të nisesha, mirëpo njëri prej tyre u pré jashtë mase dhe ngordhi, – filloi të tregonte tregtari.

Ai nuk harroi të shtonte se ishte tejet i mërzitur që ishte bërë shkak për ngordhjen e atij papagalli.

Papagalli, me të dëgjuar vdekjen e papagallit, zuri të dridhej dhe u rrëzua. Trupi i tij ngriu në vend. Tregtari, sapo u përball me diçka të tillë, kërceu menjëherë prej vendit ku ishte ulur duke filluar të godiste veten prej mërzisë që kishte humbur zogun e tij të bukur.

Tregtari, i mbetur pa zgjidhje, e nxori zogun e ngordhur nga kafazi dhe e uli me kujdes në tokë. Papagalli zuri të lëvizte trupin e tij me shpejtësi dhe fluturoi drejt një degë peme, ku dhe qëndroi. Tregtari, i habitur shumë prej kësaj sjelljeje të zogut, iu drejtua me këto fjalë:

  • O zog, na trego ç’të ndodhi, që ta kuptojmë edhe ne se ç’është duke ndodhur, çfarë ka bërë ai zog në Indi, që ti më thure këtë kurth duke ma djegur xhanin?
  • Zogu në Indi më dha mua një këshillë nëpërmjet sjelljes së tij. Më dërgoi mua mesazh që edhe unë duhet të shpëtoja duke bërë si i ngordhur. Me pak fjalë,më ka thënë: “Nëse do të shpëtosh prej kafazit vepro kështu siç po veproj unë.”

Tregtari e kuptoi të vërtetën nëpërmjet kësaj përgjigjeje. U ndanë nga njëri-tjetri, dhe teksa zogu i bukur fluturonte, ai kuptoi se sa mësim të bukur kishte nxjerrë prej sjelljes së atij zogu.

 

“E ku është parë që të gjelbërojnë gurët kur vjen pranvera! Andaj, ti bëhu dhe që mbi ty të mbijnë veç trëndafila të ylbertë.”